Pas më shumë se një jave të një fushate bombardimesh izraelite kundër Iranit, Shtetet e Bashkuara u përfshinë në konflikt me një sulm kundër objekteve bërthamore të Iranit. Tani Shtetet e Bashkuara po përgatiten për përgjigjen e Iranit, e cila duket e afërt. Duke folur në televizionin iranian pas sulmit amerikan, një spiker lajmesh deklaroi: “Z. Trump, ju e nisët, dhe ne do ta përfundojmë.”
Pra, si mund të duket përgjigjja e Iranit? Ndër opsionet më të mundshme janë operacionet asimetrike, si sulmet ndaj trupave amerikane në rajon, ose sulme terroriste nga përfaqësues iranianë në Perëndim, potencialisht edhe në Shtetet e Bashkuara.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, sugjeroi se me sulmin e tij, Shtetet e Bashkuara kaluan një “vijë shumë të kuqe.” Në këtë pikë të konfliktit, nëse udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, nuk kundërpërgjigjet, ai mund të humbasë mbështetjen e rrethit të ngushtë të regjimit. Një përgjigje iraniane është një mundësi e qartë, edhe pse afati kohor mbetet i panjohur.
Objektivi i parë dhe më i qartë do të ishin bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, ku janë të vendosur dhjetëra mijëra trupa. Shtetet e Bashkuara mbajnë baza ushtarake ose pika të avancuara në Bahrein, Irak, Jordani, Katar, Siri dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ambasadat, komplekset diplomatike dhe interesa të tjera amerikane janë të gjitha objektiva të mundshëm. Disa prej këtyre vendeve mund të goditen nga raketa iraniane, dhe në raste të tjera, përfaqësuesit iranianë mund të marrin iniciativën, qoftë Houthit në Jemen apo milicitë shiite në Irak. Departamenti i Shtetit të SHBA-së ka lëshuar paralajmërime udhëtimi për qytetarët amerikanë në Izrael, dhe ambasadat në Irak dhe Liban kanë bërë thirrje për largimin e të gjithë personelit jodomosdoshëm të SHBA-së.
Kërcënimi më serioz në Irak është rrjeti i lidhur me Kata’ib Hezbollah, një milici shiite e mbështetur nga Irani, e cila ka sulmuar bazat amerikane vitet e fundit dhe mund ta bëjë sërish. Sekretari i përgjithshëm i Kata’ib Hezbollah, Abu Hussein al-Hamidawi, publikoi një deklaratë javën e kaluar, duke paralajmëruar: “Nëse Amerika ndërhyn në luftë, ne do të veprojmë drejtpërdrejt kundër interesave dhe bazave të saj të shpërndara në rajon pa hezitim.”
Shtetet e tjera të Gjirit Persik mund të gjenden gjithashtu në shënjestrën e Iranit, siç ndodhi në shtator të vitit 2019, kur në mes të tensioneve SHBA-Iran, Houthit lëshuan dronë ndaj dy impianteve të naftës në Arabinë Saudite. Anije të naftës pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe u sulmuan disa muaj para këtyre goditjeve. Sot ekziston mundësia e qartë që Irani dhe përfaqësuesit e tij të përpiqen të shkaktojnë kaos në Gjirin e Omanit dhe në Ngushticën e Hormuzit, duke përfshirë vendosjen e minave detare, siç kanë bërë më parë. Sulmet ndaj cisternave dhe anijeve tregtare do të pengonin qarkullimin global të energjisë dhe do të trondisnin tregjet botërore.
Lexo më tej: Çfarë është Ngushtica e Hormuzit dhe pse është e rëndësishme?
Gjatë 20 muajve të fundit, grupet e boshtit të rezistencës, një koalicion i përfaqësuesve terroristë të mbështetur nga Irani, janë dobësuar ndjeshëm nga sulmet izraelite, përfshirë edhe milicinë e fuqishme libaneze Hezbollah, e cila ka një prani globale të qelizave terroriste. Por ata ende ruajnë kapacitete ushtarake jashtë rajonit. Tani që Shtetet e Bashkuara janë përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin me Iranin, Teherani mund të aktivizojë këtë rrjet për të kryer sulme në Perëndim.
Hezbollah ka reaguar në të kaluarën duke kryer sulme ndaj objektivave në Amerikën Latine dhe Europë, pjesërisht për hakmarrje ndaj goditjeve ndaj personelit të saj dhe gjithashtu për të avancuar interesat iraniane. Në fillim të viteve 1990, bombardimet e Hezbollah-ut ndaj institucioneve izraelite dhe hebraike në Argjentinë vranë mbi 100 persona dhe plagosën qindra të tjerë. Një sulm me bombë në autobus në Burgas të Bullgarisë në vitin 2012, gjithashtu i kryer nga Hezbollah, vrau pesë turistë izraelitë. Irani dhe përfaqësuesit e tij kanë kryer operacione survejimi ndaj objektivave hebraike në Qipro, Indi dhe Nigeri.
Në vitet më të fundit, operativë të Hezbollah-it janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2017, dy burra u arrestuan dhe u akuzuan për kryerje survejimi të objektivave të mundshëm për Hezbollah-un në vend, përfshirë objekte ushtarake dhe të zbatimit të ligjit në New York. Në maj 2023, një banor i New Jersey-it u dënua me 12 vjet burg për marrje trajnimi ushtarak nga Hezbollah dhe për përgatitje për sulme ndaj një liste të gjatë objektivash të mundshëm, përfshirë Statujën e Lirisë, Qendrën Rockefeller, Times Square, Empire State Building, infrastrukturë transporti dhe selinë e Kombeve të Bashkuara. Grupi nuk ka realizuar ende një sulm të suksesshëm në SHBA. Por Irani është përfshirë në disa tentativa atentati kundër zyrtarëve të lartë amerikanë të sigurisë kombëtare ndër vite, përfshirë John Bolton, Mike Pompeo dhe Presidentin Trump.
Pavarësisht kërcënimit relativisht më të vogël të një sulmi terrorist të brendshëm, drejtori i FBI-së, Kash Patel, ka dedikuar më shumë burime ditët e fundit për të monitoruar mundësinë e qelizave të fjetura të lidhura me Hezbollah-un brenda territorit amerikan.
Në operacionet konvencionale, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë dominues ushtarakisht ndaj Iranit. Inteligjenca izraelite ka depërtuar thellësisht në vend, siç dëshmohet nga atentatet e suksesshme ndaj shkencëtarëve bërthamorë iranianë, drejtuesve të Gardës Revolucionare Islamike dhe anëtarëve të tjerë të lartë të strukturave të sigurisë dhe ushtrisë iraniane.
Operacionet asimetrike dhe sulmet terroriste përfaqësojnë avantazhin krahasues të Iranit, që daton që nga sulmi i vitit 1983 ndaj kazermave të marinsave amerikanë në Liban, kur organizata e mbështetur nga Irani, “Xhihadi Islamik”, vrau 241 pjesëtarë të shërbimit amerikan me një bombë në automjet. Bombardimi i Kullave Khobar në Arabinë Saudite në vitin 1996, i atribuar Iranit, ku u godit një bazë ushtarake amerikane, duke vrarë 19 ushtarë amerikanë dhe plagosur gati 500 persona të tjerë, kujtoi se Teherani është në gjendje të përdorë qeliza të fjetura në vende të huaja për të organizuar sulme të ndërlikuara, përfshirë bombardime dhe misione vetëvrasëse. Irani gjithashtu ofron strehim dhe mbështetje për udhëheqës të lartë të Al Kaedës, përfshirë liderin de facto të tanishëm të grupit, Saif al-Adel.
Gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, ai autorizoi vrasjen e komandantit të Forcës Quds të Gardës Revolucionare Islamike, Qassem Soleimani. Përgjigja e Iranit u shpalos përgjatë disa muajve, përfshirë sulme ndaj trupave amerikane në bazat e Irakut.
Pas sulmit me bomba të mbrëmjes së kaluar, Irani mund të ndihet i detyruar të përgjigjet menjëherë dhe me forcë. Zyrtarët ushtarakë amerikanë jashtë vendit dhe forcat e zbatimit të ligjit brenda SHBA-së do të duhet të qëndrojnë në gatishmëri të lartë, të marrin masa mbrojtëse dhe të rrisin kapacitetet kundërterrorizëm për t’u përgatitur ndaj një sërë veprimesh të mundshme iraniane.
The New York Times, përshtati në shqip ©LAPSI.AL