Flash

Ligj i ri për mediat/ Bashkimi Europian afat Ramës deri në Tetor

Lapsi.al 18 June 2025
Ligj i ri për mediat/ Bashkimi Europian afat Ramës deri në Tetor

Komisioni Europian ka vendosur afat deri në shtator për qeverinë e Edi Ramës që ka për detyrë të çlirojë tregun mediatik përmes miratimit të një pakete për median, nëse dëshiron të ecë përpara në negociatat e anëtarësimit. Në një deklaratë të drejtpërdrejtë në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, përfaqësuesja e Komisionit, Sigrid Brettel, i vendosi mazhorancës një afat të qartë: deri në tetor duhet të miratohen disa paketa ligjore si për median, ashtu edhe disa reforma kyçe që përfshijnë korrupsionin, drejtësinë dhe barazinë gjinore.

“Para pushimeve të verës, presim miratimin e ligjit për Zyrën e Rikuperimit të Aseteve, dhe më pas në shtator e tetor, me nisjen e legjislaturës së re, presim disa paketa të rëndësishme ligjore,” u shpreh Brettel që renditi këtu 4 paketa ligjore.

Bëhet fjalë më së pari për një paketë kundër korrupsionit (përfshirë konfliktin e interesit, mbrojtjen e sinjalizuesve), së dyti paketa për median, së treti një paketë ligjore për drejtësinë, veçanërisht për anëtarët jo-magjistratë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe së katërti një paketë për barazinë gjinore.

Rast pas Rasti/ Si i ofendon Edi Rama gazetarët (video)

Midis tyre, paketa për median zë një vend qendror, jo thjesht për arsye teknike, por sepse përbën një nyje të vjetër dhe të pazgjidhur në afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian. E renditur brenda Klasterit 1 – grupkapitulli më kritik për negociatat – kjo paketë përbën edhe një test konkret për kryeministrin Rama që supozohet të bëjë një hap pas në kontrollin total që ushtron ndaj televizioneve në vend.

BE kërkon “reforma tërësore” për median në Shqipëri

Në një raport paraprak, tashmë Bashkimi Europian e ka shprehur hapur shqetësimin për gjendjen aktuale të mediave në Shqipëri: “Shqipëria ende pritet të miratojë një reformë tërësore të kuadrit ligjor dhe rregullator për lirinë e shprehjes dhe të medias, në veçanti për fuqizimin e pavarësisë dhe efikasitetit të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe të transmetuesit publik,” theksohet në tekstin që, ndryshe nga formulimet e zakonshme burokratike të Brukselit, i jep këtij problemi një peshë të veçantë.

Ndryshimet ligjore pritet të adresojnë përqendrimin e lartë në tregun mediatik shqiptar – një dukuri që deri tani nuk ka hasur as vullnet politik për t’u diskutuar, e jo më për t’u ndrequr. Dy televizionet më të mëdha, Klan dhe Top Channel, kontrollojnë rreth 64 për qind të tregut sipas të ardhurave, ndërsa së bashku me Vizion Plus dhe A2CNN përbëjnë pothuajse 80 për qind të tregut.

Në këtë kontekst, kërkesa e BE-së për të rritur transparencën mbi financimin, pronësinë dhe ndarjen e reklamave shtetërore është një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj modelit të kontrollit vertikal të informacionit publik.

Një tjetër aspekt që Brukseli ka kërkuar me forcë është dekriminalizimi i shpifjes – një hap që ndan një herë e mirë fjalën e lirë nga ndëshkimi penal. Kjo kërkesë është ripërsëritur prej vitesh si nga BE, ashtu edhe nga OSBE/ODIHR, por asnjë qeveri nuk ka pasur deri tani vullnetin ta përkthejë në ligj.

Raporti i OSBE-ODIHR/ Mediat në Shqipëri, bashkëpuntoret e pushtetit

Në të njëjtën frymë ishte edhe raporti paraprak i OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore të 11 majit i cili dhuroi një tablo të zymtë të kapjes së mediave në Shqipëri. Sipas vëzhguesve, lajmet shpesh prodhohen nga vetë partitë politike dhe transmetohen nga mediat si të ishin materiale të pavarura, pa asnjë filtër editorial, pa etiketim, pa distancë profesionale.

“Materialet e fushatës u ofruan nga partitë politike dhe u transmetuan nga televizionet pa u shënuar si të tilla, siç kërkohet nga Kodi Zgjedhor, ndërsa KQZ nuk mori asnjë masë për ta ndaluar këtë praktikë,” thuhej në raportin e OSBE-ODHIR.

Gazetaria investigative është drejt zhdukjes, ndërsa pjesa më e madhe e mediave të mëdha mbahen në jetë nga reklamat shtetërore dhe kontratat publike – një raport varësie që e ka shndërruar median në një instrument të propagandës, jo në mbikëqyrës të pushtetit.

“Pavarësia, diversiteti dhe integriteti i lajmeve në dispozicion të votuesve janë dëmtuar nga varësia e mediave nga financimi jotransparent, shpesh i lidhur me interesa politike dhe biznesi,” shënon OSBE/ODHIR.

Sipas të njëjtit raport, përqendrimi i pronësisë së mediave në pak duar minon pluralizmin, ndërsa kontrolli i tregut të reklamave nga aktorë me lidhje politike e bën të pamundur ndarjen e drejtë dhe transparente të burimeve financiare.

Edi Rama i vë pseudonim gazetares në studio, e quan “virologia”

Gjithsesi mbetet për t’u parë ndryshimi real që mund të sjellë miratimi i një pakete ligjore për median siç e kërkon Bashkimi Europian, pasi është gjithnjë rreziku që ligji i ri të kalojë vetëm si fasadë, sepse status quo-ja i ka rrënjët shumë më të thella./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI