Flash

Biznesi i Kosovës po “zbret” në Shqipëri

Lapsi.al 8 June 2025
Biznesi i Kosovës po “zbret” në Shqipëri

Në muajin mars, kompania nga Kosova Viva Fresh njoftoi blerjen e rrjetit të dytë më të madh të supermarketeve në Shqipëri, Spar Albania. Ky transaksion ilustron praninë në rritje të bizneseve kosovare në tregun shqiptar, tendencë që duket qartë edhe nga shifrat e Investimeve të Huaja Direkte.

Ersuin Shehu

Në muajin mars, kompania që zotëron rrjetin më të madh të shitjeve me pakicë në Kosovë, Viva Fresh, njoftoi blerjen e Spar Albania, rrjeti i dytë më i madh i shitjeve me pakicë në Shqipëri.

Vlera e shitblerjes nuk është bërë publike, por me shumë mundësi, shitja e Spar do të jetë investimi më i madh deri tani i një biznesi nga Kosova në Shqipëri.

Viva Fresh do t’u shtohet disa sipërmarrjeve të tjera të rëndësishme që kanë hyrë në tregun shqiptar, duke balancuar ndjeshëm kahun e investimeve të ndërsjella mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Prej fillimit të viteve 2000, ishin kryesisht bizneset shqiptare që filluan të zgjeroheshin në tregun e Kosovës, duke shfrytëzuar potencialet që krijoi hapja e tregut pas shkëputjes faktike të Kosovës nga Serbia.

Me përjashtime të vogla, deri një dekadë më parë, investimet nga Kosova në Shqipëri ishin të papërfillshme. Por, në vitet e fundit, gjendja ka ndryshuar. Forcimi dhe konsolidimi i sipërmarrjes së Kosovës po sjell një prani në rritje në tregun shqiptar.

Investitorët e rëndësishëm kryesisht janë të pranishëm në sektorin e tregtisë. DE Holding e Blerim Devollit është e pranishme me rrjetin e dyqaneve të produkteve shtëpiake, Commodita Home.

Pronari i Viva Fresh, Xhevdet Rexhepi, hyri në Shqipëri një vit më parë, me blerjen e kompanisë me shtrirje rajonale Studio Moderna (Top Shop), ndërsa së fundmi realizoi edhe blerjen më të rëndësishme, atë të Spar Albania.

Scandinavian Living Holding është e pranishme në Shqipëri nëpërmjet degës së saj Scandinavian Living, që zotëron të drejtën e franchise të markës daneze të produkteve shtëpiake, Jysk. Scandinavian Living Holding zotërohet nga biznesmeni nga Kosova, Fatmir Zymberi.

Bucaj International është kompania me kapital nga Kosova që zotëron franchise për Shqipërinë të markave Burger King dhe Pizza Hut. Bucaj International është në pronësi të kompanisë kosovare Balkan Foods, e zotëruar nga biznesmeni Xhevat Jusufi.

Investitor i rëndësishëm, me kontroll të tërthortë është edhe Mabco Construcions, kompania që kontrollon shoqërinë koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Mabco Constructions zotërohet nga biznesmeni Behgjet Pacolli.

Edhe aksioneri i pakicës në konsorcium, 2A Group, është kompani ndërtimi nga Kosova, në pronësi të biznesmenit Valon Ademi.

Një nga grumbulluesit më të mëdhenj të produkteve bujqësore në Shqipëri, Top Fruits (ish-Doni Fruits) zotërohet në masën 50% nga biznesmeni nga Kosova Ejup Ahmeti, në partneritet me grupin shqiptar të biznesit, Gjonaj.

Investimet e Kosovës kanë arritur në 422 milionë euro

Investimet e Kosovës në Shqipëri po shfaqin një tendencë të qartë në rritje gjatë viteve të fundit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për vitin 2024, investimet arritën vlerën e 96 milionë eurove, me një rritje prej 32% krahasuar me një vit më parë.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Deri në vitin 2020, flukset e Investimeve Direkte nga Kosova ishin në shifra relativisht modeste.

Pas këtij viti, duket se ka një rritje të konsiderueshme, që është reflektuar qartë edhe në stokun total të investimeve direkte prej subjekteve me kapital nga shteti fqinjë.

Në fund të vitit 2024, stoku i investimeve raportohej në vlerën e 422 milionë eurove, në rritje me 37% krahasuar me vitin 2023.

Bazuar në metodologjitë e përdorura për matjen e investimeve të huaja, flukset e tyre vlerësohen me kursin e këmbimit mesatar të periudhës, ndërkohë që stoku vlerësohet me kursin e ditës së fundit të periudhës.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja në stokun e investimeve nuk vjen vetëm nga flukset e reja, por në të duhen llogaritur edhe ndryshimet nga kursi i këmbimit dhe ndryshimet e çmimit të aseteve.

Rritja e investimeve nga Kosova duket në linjë me tendencën e përgjithshme të rritjes së Investimeve të Huaja Direkte në vitet e fundit.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Bizneset e Kosovës, 7.5% e ndërmarrjeve të huaja

Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave, në fund të vitit 2023, në Shqipëri rezultonin 519 ndërmarrje aktive me kapital nga Kosova, duke përfshirë edhe ato me kapital të përbashkët.

Numri i ndërmarrjeve me kapital nga shteti fqinjë është rritur me 13% krahasuar me një vit më parë dhe ka arritur nivelin më të lartë historik.

Në harkun e një dekade, pesha e ndërmarrjeve me kapital nga Kosova është rritur nga 5% në 7.5% të numrit total të bizneseve të huaja.

Nga 519 ndërmarrje me kapital të Kosovës, shumica e tyre, 415, janë të angazhuara në sektorin e shërbimeve, ndërsa 104 prej tyre kanë aktivitet në prodhimin e mallrave.

Numri i bizneseve dominohet mikronjësitë, me më pak se katër të punësuar, që përbëjnë rreth 79% (409 ndërmarrje) të numrit të përgjithshëm të tyre.

Bizneset me 5-9 punonjës përbëjnë rreth 12% (64 ndërmarrje), ato me 10-49 të punësuar përbëjnë rreth 7% (37 ndërmarrje), ndërsa më pak se 2% e tyre (gjithsej 9 ndërmarrje) kanë më shumë se 50 të punësuar.

Të dhënat e detajuara për peshën e ndërmarrjeve nga Kosova në strukturën punësimit dhe të shitjeve në ekonomi janë ende të papërditësuara, megjithatë ato tregojnë një tendencë në rritje.

Në vitin 2022, ndërmarrjet e Kosovës gjeneruan 5.9% të shitjeve totale të ndërmarrjeve të huaja në ekonominë shqiptare, nga 4.9% në 2021 dhe 3.5% në 2020.

Ndërsa pesha në punësim është rritur në 5.1% të totalit, nga 3.8% në vitin 2021 dhe 2.9% në vitin 2020.

Gjithmonë, sipas të dhënave të vitit 2022, pesha e ndërmarrjeve nga shteti që flet të njëjtën gjuhë, në strukturën e shitjeve, është veçanërisht e lartë në sektorët e ndërtimit, tregtisë dhe hotelerisë e restoranteve.

Burimi: INSTAT

Importet nga Kosova janë rritur me 163% në një dekadë

Paralelisht me rritjen e investimeve nga Kosova, pas vitit 2021 vërehet edhe një rritje e ndjeshme e vlerës së këmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se vlera totale e shkëmbimeve tregtare vitin e kaluar arriti në afërsisht 53 miliardë lekë dhe është rritur me 113% krahasuar me një dekadë më parë.

Megjithatë, rritja më e madhe vërehet në kahun e importeve prej Kosovës. Vitin e kaluar, vlera e importeve nga Kosova arriti shifrën e 15.8 miliardë lekëve, në rritje me 33% krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa krahasuar me një dekadë më parë, vlera e importeve nga Kosova është rritur me 163%.

Eksportet shqiptare drejt Kosovës në 2024 ranë në 36.9 miliardë lekë, 10% më pak krahasuar me vitin 2023.

Krahasuar me një dekadë më parë, eksportet shqiptare drejt Kosovës janë rritur me 97%, rritje kjo ndjeshëm më e ulët krahasuar me importet prej Kosovës.

Suficiti tregtar vitin e kaluar kishte vlerën e 21.1 miliardë lekëve, në rënie me 38% krahasuar me vitin 2023. Në harkun e një dekade, suficiti me Kosovën është rritur me 65%.

Tendencat e tregtisë së mallrave tregojnë se në vitet e fundit, importet nga Kosova po rriten më shpejt se eksportet shqiptare drejt Kosovës. Një tendencë e tillë mund të jetë favorizuar pjesërisht edhe nga kursi i këmbimit.

Kosova përdor Euron si monedhë të saj dhe forcimi i Lekut në kursin ndaj monedhës europiane në teori favorizon importet dhe penalizon eksportet.

Megjithatë, rritja e importeve dhe përmirësimi i bilancit tregtar të Kosovës me Shqipërinë mund të shpjegohet edhe me konsolidimin e bizneseve dhe rritjen e investimeve të tyre në Shqipëri.

Burimi: INSTAT

Tregtia dominohet nga karburantet, çeliku, çimentoja, pijet dhe fruta-perimet

Të dhënat e tregtisë sipas mallrave tregojnë se struktura e importeve nga Kosova në Shqipëri dominohet kryesisht nga grupmallrat.

Produktet ushqimore dhe pijet përbënin 35% të importeve nga Kosova në 2024, të ndjekura nga produktet e grupit minerale, lëndë djegëse, energji, me 26% të totalit dhe produktet e grupit materiale ndërtimi e metale, me 22%.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në nivel më të detajuar, importet nga Kosova dominohen kryesisht nga nënproduktet e naftës, çeliku, pijet alkoolike dhe joalkoolike, kafshët e gjalla dhe artikujt e mobilierisë.

Struktura e tregtisë është e përqendruar në një shpërndarje të ngjashme grupmallrash edhe në kahun e eksporteve shqiptare drejt Kosovës.

Për vitin 2024, afërsisht 33% e eksporteve drejt Kosovës përbëhej nga grupi “Materiale ndërtimi dhe metale”, e ndjekur nga grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji”, me 26%, dhe produktet ushqimore, me 18%.

Në një nivel më të detajuar, produktet kryesore që Shqipëria eksporton në Kosovë janë çeliku, nafta dhe nënproduktet e saj dhe çimentoja, të ndjekura nga pijet, frutat e zarzavatet, bojërat, etj. /monitor

Burimi: INSTAT

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI