Autoritetet shqiptare në bashkëpunim me ato italiane kanë finalizuar një operacion ndërkombëtar për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që operonte në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, hetime të nisura që prej vitit 2021.
Konkretisht janë lëshuar 51 masa “arrest me burg” dhe 1 urdhër ndalimi, nga këto 29 masa sigurie janë lëshuar nga shteti shqiptar dhe 22 të tjera në Itali. Të përfshirë në këtë organizatë kriminale janë personazhe të njohur të botës së krimit, biznesmenë si dhe eksponentë të lartë të Policisë së Shtetit.
Masa “arrest me burg” është lëshuar për ish-efektivimin e forcave Renea, Altin Morina tashmë i arrestuar në kuadër të një tjetër operacioni. Sipas asaj që deklaroi dhe prokurori i çështjes ditën e sotme në konferencë për shtyp, në dosjen hetimore ka të dhëna se efektivi i policisë ka bashkëpunuar me personazhe të kësaj organizate kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike.
“Kemi pasur disa episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj zyrtarëve shtetërorë që në vijim do të kemi një hetim më të thelluar. Kemi pas dy punonjës të Policisë së Shtetit, njëri prej tyre në një pozicion të rëndësishëm. Në një rast kemi pasur bashkëpunim me pjesëtarë të organizatave kriminale, në një tjetër rast kemi pasur një rast korrupsioni në policisë e Portit të Durrësit”, tha prokurori Vladimir Mara.
Altin Morina është arrestuar fillimisht më 14 mars të vitit 2023 teksa u kap në flagrancë në zonën e njohur si “Kodra e Diellit” në kryeqytet teksa me vete në automjet kishte rreth 113 mijë euro, rreth 290.00 lekë të rinj dhe 80 paund.
Lidhur me këtë oepracion, Morina dyshohet si i përfshirë në trafikun e drogës me grupet kriminale në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan që merreshin me aktivitetin e heroinës dhe kokainës.
Një muaj më vonë, ai u lirua nga qelia pasi deklaroi se shumën e parave e kishte marrë hua te një biznesmen për një problem personal dhe se ato nuk ishin të krijuara nga aktiviteti kriminal.
Morina u arrestua për herë të dytë më 3 prill të këtij viti teksa ishte shpallur në kërkim që prej datës 17 maj 2024, i akuzuar si bashkëpunëtor me Durim Bamin për të organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës në vitet 2019-2020.