Flash

Kos: Rruga e Serbisë drejt BE-së do të jetë e vështirë, nëse Vuçiç viziton Moskën

Lapsi.al 30 April 2025
Kos: Rruga e Serbisë drejt BE-së do të jetë e

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, ka paralajmëruar të mërkurën se Serbia do ta ketë të vështirë të mbetet në binarë drejt anëtarësimit në BE, nëse presidenti i saj, Aleksandar Vuçiç, e viziton Moskën javën e ardhshme.

Kos tha se, megjithatë, i takon Vuçiçit të vendosë nëse dëshiron të shkojë apo jo në Rusi. Vuçiç ka thënë se do të marrë pjesë në paradën e Ditës së Fitores më 9 maj dhe se do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Moskë, për herë të parë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Kremlini.

“Nëntë maji 1945 dhe 9 maji 2025 janë dy data me vlera të ndryshme. Të shkosh në Moskë dhe të festosh me Putinin, ose ushtrinë e tij që po vret njerëz në Ukrainë, është në kundërshtim të plotë me vlerat evropiane dhe në kundërshtim të madh me vendimin e Këshillit të BE-së, i cili vendosi në vitin 2022 që shtetet anëtare nuk duhet të ndërmarrin asnjë hap që mund t’i japë legjitimitet Putinit dhe Rusisë”, tha Kos, duke iu përgjigjur një pyetjeje nga Radio Evropa e Lirë në një konferencë për shtyp në Beograd.

Ajo e përsëriti se Serbia, si kandidate për anëtarësim në BE, duhet t’i ketë politikat e saj plotësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Brukselit deri në kohën e pranimit.

"Megjithatë, marrëdhëniet me Moskën sot nuk mund të jenë 'sikur nuk po ndodh asgjë'", theksoi ajo. “Por, ky është vendimi i tij [Vuçiçit]”, përfundoi Kos.

Serbia nuk ka pranuar t’i bashkohet Brukselit në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, pasi ajo e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Kos është duke qëndruar në Beograd në një vizitë dyditore, e para që nga marrja e detyrës. Kos kujtoi se ka disa kushte që Serbia duhet t’i përmbushë në vazhdimin e negociatave me BE-në në mënyrë që ta hapë kapitullin e tretë.

“Gjithçka është deklaruar në ‘non-paper’. Ka të bëjë me tri ligje, ligjin për media, ligjin zgjedhor dhe REM. Dhe sigurisht, dje biseduam për këtë me Qeverinë e Serbisë dhe kryetaren e Parlamentit. Ata premtuan se do ta përmbushin atë, dhe ne do të monitorojmë që kjo të ndodhë realisht”, deklaroi Kos.

Si kandidate për anëtarësim në BE, Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull negociatash që nga dhjetori i vitit 2021. Procesi ka ngecur për shkak të refuzimit të saj për ta përafruar politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës. Brukseli kërkon gjithashtu përparim nga Beogradi në sundimin e ligjit dhe në dialogun me Kosovën. /Marrë nga Radio Evropa e Lirë

Të këshilluara

ide

Blendi Kajsiu: Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

15°c

KËMBIMI EURO

91.98

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI