Flash

Ministri i jashtëm i Malit të Zi: Rubio planifikon ta vizitojë Ballkanin Perëndimor

Lapsi.al 4 April 2025
Ministri i jashtëm i Malit të Zi: Rubio planifikon ta vizitojë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, e ka paralajmëruar një vizitë në Ballkanin Perëndimor gjatë këtij viti, njoftoi të premten ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq. Ibrahimoviq u takua me Rubion në ditën e parë të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel.

“Një bisedë e shkurtër, por përmbajtjesore për temat e tanishme dypalëshe dhe ato rajonale, të cilën e pata me sekretarin amerikan të Shtetit, Marko Rubio. Do ta vazhdojmë atë edhe në Podgoricë gjatë vizitës së tij në Mal të Zi dhe rajon, të cilën ma paralajmëroi për këtë vit”, shkroi Ibrahimoviq në llogarinë e tij në X.

Ai ka bërë të ditur se kanë shkëmbyer mendime për çështje dypalëshe dhe rajonale, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe partneritetit të vazhdueshëm ndërmjet Malit të Zi dhe SHBA-së, sidomos në lidhje me sfidat e përbashkëta të sigurisë.

“U pajtuan se vizita [e Rubios] do të përbënte mundësi shtesë për avancimin e bashkëpunimit dypalësh dhe për konfirmimin e marrëdhënieve të fuqishme aleate ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi.

Në Bruksel po mbahet një takim dyditor i ministrave të Jashtëm të NATO-s, ku ndër të tjera, do të vendoset nëse vendet anëtare do t’i rrisin shpenzimet për mbrojtje nga minimumi i tanishëm prej 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Administrata e Trumpit më herët kishte propozuar që shpenzimet minimale të jenë 5 për qind e prodhimit të brendshëm bruto, ndërsa shefi i NATO-s, Mark Rutte ka kërkuar që çdo aleat të zotohet për t’i shpenzuar të paktën 3.7 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtje sa më shpejt të jetë e mundur.

Rubio u bëri thirrje të enjten 32 vendeve anëtare të aleancës ushtarake të zotohen për rritjen e shpenzimeve për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse. Mali i Zi është anëtar i aleancës së NATO-s që nga viti 2017./ REL

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

25°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI