Donald Trump nënshkroi tarifat e reja të SHBA-së për importet. "Sot është dita e çlirimit, dita kur e bëjmë Amerikën të pasur sërish” - tha ai. Presidenti i SHBA-ve u shpreh se do vendosë tariva 25% për makinat e importuara në SHBA nga e gjithë bota me efekt të menjëhershëm.
“Tani është radha jonë që të përparojmë”, tha Trump. “Kur bëhet fjalë për tregtinë, ndonjëherë “miku është më i keq se armiku. Mbi 80% e makinave të prodhuara në Korenë e Jugut shiten në Korenë e Jugut, dhe mbi 90% e makinave të shitura në Japoni janë prodhuar në Japoni, dhe se makinat e prodhuara në SHBA përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël në ato vende”, - tha ai.
“Ford shet shumë pak” në vendet e tjera, deklaroi Trump, një çekuilibër që ka “shkatërruar” industritë amerikane. Kjo është arsyeja pse në mesnatë ne do të vendosim një tarifë 25% për të gjitha automobilat e prodhimit të huaj”, tha Trump.
Presidenti amerikan u shfaq me një tabelë në dorë, që krahasonte taksat e vendosura nga vendet e tjera për SHBA kundrejt taksave të Uashingtonit. Ai tregoi një tarifë 10% për importet nga Britania e Madhe dhe 20% për importet nga BE.
Ndër të tjera ai veçoi Kinën dhe Bashkimin Evropian. “Ata na shqyejnë. Është shumë e trishtueshme të shohësh. Është kaq patetike”, tha ai. Trump deklaroi se kombet e tjera e kanë trajtuar SHBA-në “keq”, duke vendosur tarifa disproporcionale për importet amerikane.
Nga ana tjetër, SHBA do t’i ngarkojë vendet e tjera “përafërsisht gjysmën” e asaj që po i ngarkojnë SHBA-së. “Pra, tarifat nuk do të jenë plotësisht reciproke. Unë mund ta kisha bërë këtë, po, por do të ishte e vështirë për shumë vende,” thotë Trump. Presidenti amerikan thotë se kompanitë që ndërtojnë produktet e tyre në SHBA nuk do te tarifohen.
“Nuk ka tarifë nëse e ndërton produktin tënd këtu në Amerikë”, deklaroi Trump. Presidenti thotë se “së shpejti” ai do të marrë telefonata nga mbretër, mbretëresha dhe ambasadorë që kërkojnë përjashtime nga tarifat.
Mesazhi i tij për ta është: “Ndërprisni tarifat tuaja, hiqni barrierat tuaja, mos manipuloni monedhat tuaja… dhe filloni të blini dhjetëra miliarda dollarë mallra amerikane”. Para se të nënshkruante urdhrin, Trump foli para gazetarëve të pranishëm në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë.
“Sot kemi disa lajme shumë, shumë të mira. Shumë gjëra të mira po ndodhin për vendin tonë”, tha ai. “Reciproke. Kjo do të thotë që nëse ata e bëjnë ndaj nesh, ne e bëjmë ndaj tyre. Shumë e thjeshtë. Nuk mund të bëhet më e thjeshtë se kaq”, pohoi presidenti 78-vjeçar.
Trump tha se SHBA-ja është “plaçkitur, grabitur, dhunuar dhe shfrytëzuar nga kombe të afërta dhe të largëta, si miq ashtu edhe armiq”. Ai theksoi se, për vite me radhë, “qytetarët punëtorë amerikanë” u detyruan të “qëndronin mënjanë ndërsa kombet e tjera bëheshin të pasura dhe të fuqishme. Tatimpaguesit tanë janë shfrytëzuar për më shumë se 50 vjet, por kjo nuk do të ndodhë më”.
Presidenti amerikan tha se sot është dita kur industria amerikane “do të rilindë”, duke promovuar një “epokë të artë të Amerikës”. Trump deklaron se veprimet e sotme do të “bëjnë Amerikën të madhe sërish”.
Ai tha se vendet e punës dhe fabrikat “do të rikthehen me vrull në vendin tonë” dhe se konsumatorët do të përfitojnë nga çmime më të ulëta dhe konkurrencë më e madhe “kjo do të jetë me të vërtetë epoka e artë e Amerikës”.
Bursat amerikane u mbyllën lart, pasi tregtarët injoruan shqetësimet për pasigurinë dhe e shtynë tregun në territor pozitiv. Indeksi Dow u mbyll me një rritje prej 235 pikësh, ose 0.56 për qind. Indeksi më i gjerë S&P 500 u rrit me 0.67 për qind, ndërsa Nasdaq Composite, i dominuar nga teknologjia, u rrit me 0.87 për qind. S&P 500 shënoi ditën e tretë radhazi me fitime. ©LAPSI.al