Flash

"Bella Ciao", Elseid Hysaj e nis me këngën e gabuar në klubin e gabuar

Lapsi.al 20 July 2021
"Bella Ciao", Elseid Hysaj e nis me këngën e gabuar në

Për Elseid Hysajn, tingujt e "Bella ciao" kanë qenë bashkëshoqërues të disa momenteve prekëse në serialin "La casa del papel".  Në sfondin e krismave të armëve mes korridoreve të bankave që grabiteshin apo teksa pëshpëritej nën zë nga heronjtë romantikë të serialit të famshëm, 27 vjeçari nga Shkodra i fiksoi tingujt e melodisë njësoj si mijëra të rinj që për disa muaj u dashuruan me spanjollët romantikë në Netflix. Vetëm kaq.

Por për lacialët e ekstremit të djathtë në Romë, kënga që u kushtohet partizanëve që luftonin nazi-fashizmin gjatë luftës së dytë botërore mbetet një sfidë, një provokim që shkakton irritim deri në fyerje për historinë dhe trashëgiminë e klubit. Ishte për shkak të kësaj kënge që Hysaj, në pak ditë, ra pre e urrejtjes së një prej tifo-grupeve më të mëdhenj të Italisë, duke u vënë në qendër të polemikave, ku nuk munguan as sharjet dhe kërcënimet.

Gjithçka nisi kur shokët e skuadrës i kërkuan shkodranit të respektonte traditën e fillestarëve në klub, pra të çohej e të këndonte me zë të lartë, në mes të lokalit një këngë duke rrezikuar të bëhej edhe pak qesharak mes miqve. E kush prej tyre i kishte shpëtuar një "dënimi" si ky?

https://www.youtube.com/watch?v=4VYr-jBShi0

Dhe Elseid Hysaj ua plotësoi dëshirën me gjithë zemër. Siç duket në videon që publikoi Luis Alberto, Hysaj, i hipur majë karriges, këndon me sa ka në kokë "Bella ciao", ndërsa mban celularin në dorë për të kujtuar fjalët.

Gjasat janë që kjo të ishte melodia që i erdhi aty për aty në mendje pa u menduar gjatë. Por ndërsa e bërtet me të madhe tekstin e këngës në lokal, mes të qeshurave të shokëve, Hysaj ngre një grusht lart me dorën e majtë. Ky qe një provokim i dytë për tifozët e Lazios, të njohur në të gjithë Italinë për dashamirësinë e tyre ndaj ideve të ekstremit të djathtë.

Në rrjetet sociale shpërtheu furia e komenteve: "Më mirë të kishe kënduar himnin e Romës" "hajde tani të shkatërrojmë gjithçka" "Më mirë të luajmë me 10 lojtarë" ose "Po ky e di që nuk është te Livorno".

Dhe këto nuk mjaftuan. Një pjesë e tifozëve, ato që klubin e futbollit e njehsojnë me idetë fashiste të trashëguara që nga vitet e luftës së dytë botërore, shkuan ta kërkojnë personalisht shqiptarin në ambjentet e klubit.

Ditën që doli video, një grup ultras i zunë pritë në picerinë ku ishte mbledhur skuadra, duke kërkuar një konfrontim me lojtarin shqiptar. Por Hysaj dhe pjesa tjetër e skuadrës kishin shkuar në hotel ndërkohë. Me tifozët kanë biseduar disa zyrtarë të klubit, mes të cilëve edhe Igli Tare, që sipas mediave italiane janë përpjekur të qetësojnë gjakrat.

I pranishëm aty ka qenë edhe trajneri Mauricio Sarri, i cili në njërën anë nuk i ka fshehur ndonjëherë preferencat politike kundër atyre të tifozëve ultras të Lacios, në anën tjetër vetëm pak ditë më parë iu desh t'i kërcënonte direkt tifozët që ndiqnin stërvitjen, sepse këto e kishin kapur me një shqiptar tjetër, Vedat Muriqin. (Video më poshtë, trajneri i Lacios mbron Muriqin nga ngacmimet e tifozëve)

https://twitter.com/perchetendenza/status/1416347621749370882

Por përgjigjen ndaj Elseid Hysajt, ultrasit lacialë ia dhanë në një formë tjetër. Mbrëmjen e së hënës, foto e një banderole gjigande e shpalosur në Romë u shpërnda në rrjetet sociale. "Hysja je një krimb, Lazio është fashiste" shkruhej në të. Parrulla gjigande ishte varur në anë të urës Corso Francia.

Klubi më në fund ka vendosur të reagojë. Në një deklaratë publike dënoi banderolën, të cilën e quajti "të turpshme" dhe u shpreh: Ne jemi në krah të futbollistit tonë dhe të gjithë lojtarëve të tjerë të përfshirë në përgatitjet para-sezonale në javët e fundit. Ne qartësisht distancohemi nga ata që duan të shfrytëzojnë këtë ngjarje që dëmtojnë ekipin, të gjithë tifozët e Lacios dhe klubin për qëllime politike. Ne nuk do të frikësohemi nga ata që përdorin tone të dhunshme dhe agresive, për ta nuk ka hapësirë ​​në botën tonë e cila në vend të kësaj frymëzohet nga vlerat e shëndetshme sportive të besnikërisë dhe konkurrencës, respektit reciprok dhe bashkëjetesës civile dhe që synojnë të kapërcejnë të gjithë gardhet e një natyre shoqërore, kulturore, ekonomike dhe racore”.

Në rrjetet sociale pati edhe nga ata tifozë të Lacios që e përshëndetën videon e Hysajt duke kënduar "Bella ciao", të lodhur nga asociimi që i bëjnë ngjyrave të Lacios me fashizmin. "Ja pra që Lazio dhe fashizmi nuk janë sinonime" shkruante njëri prej tyre. Ndërkohë në rrjetet sociale janë të shumtë ata që shprehën solidaritet përmes hashtagut #iostoconhysaj

Megjithatë përgjigjen më të mirë ndaj ultrasve fashistë ia dha vetë lojtari. Në një ndeshje miqësore që u luajt këtë të martë, ai shënoi një gol që ka marrë duartrokitjet dhe brohorimat e tifozëve që ishin në shkallët e stadiumit.

https://twitter.com/OfficialSSLazio/status/1417531844875141121

"Furtuna sigurisht që e ka shkundur lojtarin, i cili ka reaguar si një profesionist i madh, duke u përgjigjur në fushë për gjithçka që po ndodhte përreth tij" shkruajnë mediat italiane pas këtij goli.

Në anën tjetër, dihet që një pjesë e tifozëve lacialë janë atje, peng i nostalgjisë për një të shkuar tragjike, dramatike dhe të errët për historinë e vendit të tyre. Ndaj në komentet e tyre ngrinin pyetjen: "Po ky nuk e di ku është? Mos mendon se është në Livorno..."

Një prej tifozëve më të vjetër të Lacios, ndërsa flet pa mllef për Hysajn, shpjegoi për mediat italiane: "Historikisht, e jona ka qenë një tifozeri e ekstremit të djathtë dhe ne jemi krenarë. Të këndosh "Bella ciao" kur ke veshur bluzën e Lacios është një gjë jashtë mendjes. Hysaj gaboi. S'ka justifikime!"

Për 27 vjeçarinshqiptar, padituria duket të jetë argumenti më i mirë. Gjithsesi me golin që ka shënuar sot, i ka bërë të heshtin një pjesë të tifozëve. Për të tjerat, me siguri që ai mbetet në pritje të serive të reja që nuk dihet ende kur do të dalin nga "La casa del papel".©Lapsi.al

 

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI