Komisioni i Ankimimeve dhe Ankesave ka rrëzuar sot kërkesën e PD dhe LSI për përsëritje të zgjedhjeve në qarkun e Vlorës. Partitë kanë pesë ditë kohë që ta ankimojnë vendimin në Kolegjin Zgjedhor. Ndërkohë, ka nisur edhe numërimi i 114 kutive të votimit, për subjektet zgjedhore, në qarkun e Beratit.
“KAS me shumicë votash vendosi: rrëzimin e kërkesës ankimore 36 të paraqitur nga PD-AN. Rrëzimin e kërkesës ankimore 49 të paraqitur nga LSI. Lënien në fuqi të vendimit të Komisionarit për rezultatin e votimit për qarkun e Vlorës”, tha relatori i ankimimit.
Ky është vendimi i tretë kundër kërkesave për përsëritje zgjedhjesh. KAS rrëzoi dje kërkesën për përsëritje zgjedhjesh në Gjirokastër dhe Berat. PD dhe LSI kanë ankimuar rezultatin e zgjedhjeve në 9 qarqe, në 5 nga të cilat, LSI ndryshe nga PD kërkon rivlerësim dhe rinumërim.