Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një bisedë me kryetaren e Partisë Konservatore Britanike të kryeministrit Johnson dhe këshilltarin e bordit të tregtisë në Britani, Daniel John Hannan. Gjatë bashkëbisedimit online, Basha u shpreh se Partia Demokratike synon të rikthejë shpresën tek qytetarët. Lideri demokrat po ashtu tha se Partia Demokratike ka filluar një fushatë, e cila përqëndrohet në problemet e shumta që ka sot vendi, pas 8 viteve keqqeverisje. Kryedemokrati thotë se Shqipëria ka nevojë për ndryshim, që të jetë në gjendje të garantojmë rritje ekonomike dhe të ecim të sigurt drejt anëtarësimit në BE.
“Për këtë ne kemi përgatitur një plan të detajuar me ekspertët më të mirë të vendit dhe me shumë ndihmë nga ekspertët perëndimorë duke përfshirë ekspertë tuaj. Në thelb të këtij plani është përmirësimi i klimës së biznesit, taksa e sheshtë 9%, ulja e taksave për të gjithë njerëzit dhe bizneset, çka do të ndikojë në veçanti te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që janë shumica dërrmuese e ndërmarrjeve në Shqipëri. Ato janë palca e ekonomisë shqiptare për të ndihmuar gjithashtu krijimin e një klime që do të sjellë investime në Shqipëri dhe ne jemi shumë të interesuar të krijojmë një klimë pozitive, të sjellim investime në Shqipëri dhe natyrisht të përqendrohemi në një arsimim më të mirë për të rinjtë. Sepse në mënyrë që investimet të vijnë këtu, ata duhet të kenë një klimë biznesi konkurruese, të favorshme dhe taksa të ulëta por gjithashtu një forcë pune profesionale dhe të trajnuar mirë." tha Basha.