Gjithcka sipas parashikimeve. Fitojnë ata që duhet të fitonin, dorëzohen në fund ata që nuk kishin objektiva, ndërsa akti i vetëm që kishte kuptim u luajt në Air Albania, me Partizanin që shtangu Vllazninë 3-0 duke i lënë përfundimisht play out-in. Tirana si kampione njeh humbjen e parë në Lac, ndërsa Teuta vuan për të kaluar 2-3 Flamurtarin.
PARTIZANI 3-0 VLLAZNIA
Solomon, Melo e Mala, me 3-0, i bëjnë favorin Kalarit të mos mbajë mbi supe të paktën këtë peshë, duke e shkarkuar përgjegjësinë tek Vllaznia, që bëri ndeshjen e gabuar në transfertën e gabuar. Kuqeblutë që kishin bërë më mirë se kushdo jashtë fushës luajtën nën ton, duke bërë të harrohej edhe ajo performancë perfekte përballë Kukësit. Solomon në minutën e 21 shënoi ndoshta golin më të bukur me fanellën e kryeqytetasve, ndërsa Melo vuri në siguri ndeshjen dy minuta nga fundi. Në të 74 Mala, në fushë vetëm prej 8 minutash, vulos rezultatin në asist të Bardhit. Kënaqësi për lojtarin që lë pas përfundimisht një moment aspak të bukur në këtë sezon, por më shumë për Kalarin që të paktën arriti të mbajë larg playout-in, ku qendron Vllaznia, madje tashmë përfundimisht.
LAÇI 3-1 TIRANA
Në Lac, më shumë se fitorja e kurbinasve ishin të rëndësishëm golat e Nëabuezes. Sulmuesi konfirmohet golashënuesi më i mirë i Superiores me dygolëshin kundër Tiranës, duke lënë pas Shkurtajn. Bardhezinjtë mbajnë vendin e tretë dhe vënë nën presion Kukësin, që duhet të luajë në mbrëmje me Skënderbeun. Egbo me ndryshimet në formacion nuk mund të bënte më shumë se një perfomancë humbëse, ku më shumë se forca e kundërshtarit vendosi mungesa e motivimit. Në fund një gol i Torassa ngushton vetëm rezultatin në 3-1, por që për Egbo nuk ka asnjë problem, edhe pse konteston penalltinë, duke qenë se e ka mendjen tek finalja e Kupës me Teutën.
BYLIS 2-0 LUFTËTARI
Bylisi fiton 2-0 falë golit me penallti të Isli Hidit në minutën e 33-të, si dhe Eridon Qardakut në limitin e pjesës së pare, duke marrë fitoren që i duhej kundër Luftëtarit. 11-metërshi që zhbllokoi ndeshjen, i fituar nga Ntepe pas ndërhyrjes së B.Malajt bëri që miqtë të protestonin jo pak. Qardaku i siguroi tre pikët ekipit ballshiot, duke i dhënë matematikisht edhe qëndrimin në elitë edhe për një sezon, ndërsa bluzinjtë kanë prerë biletën prej javësh dhe kampionatin tjetër do të jenë pjesë e Kategorisë së Parë. Ishin edhe të pafat gjirokastritët, që goditën tre herë shtyllën, fillimisht me Rimal Haxhiun kur ndeshja ishte 0-0, e më pas në pjesën e dytë me Gresild Likën, ndërsa në kohën shtesë i pafat ishte Alvi Ahmetaj, pasi topi u përlpas në shtyllë.
FLAMURTARI 2-3 TEUTA
Një ndeshje që nuk duhet të kishte histori e megjithatë pati. Flamurtari i Troisit rezistoi shumë gjatë përballë një Teute europiane, duke e trembur Martinin për fatet e ndeshjes. Durrsakët e kishin menduar të lehtë, ose të fituar pa luajtur por kuqezinjtë luajtën me mundësitë e tyre duke e cuar ndeshjen në 2-2 deri në minutën e 64 kur vendosi Hebaj. E të mendosh që dy herë në avantazh skuadra e Martinit në gol me Vilën në të 3 dhe 21, u arrit dy herë nga Pjeshka në të 15 dhe Hoxha në të 28. Në fund, dëshira për fitore dhe kualiteti ishin në anën e miqve dhe Hebaj qetësoi situatën me golin e tretë, që mban durrsakët në vendin e katërt.