17 raste të reja me COVID-19 nga 259 teste të kryera 24 orët e fundit, janë identifikuar në Shqipëri, duke e çuar numrin e të infektuarve në total në 433, nga 3644 teste të kryera.
Rastet e reja janë të shtuara në Tiranë, Shkodër, Pukë, Lushnje, Krujë dhe Durrës, ndërsa harta nuk është zgjeruar me qytete të reja të infektuara me koronavirus.
Një pjesë e mirë e tyre janë raste kontaktesh si rezultat i mos respektimit të rregullave të distancimit social. Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha se disa nga rastet janë persona që kanë kryer vizita familjare tek të afërmit e infektuar me COVID-19. Ajo apeloi që mos të bëhen vizita tek të afërmit.
"Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40", tha Mira Rakacolli.
Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 23 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor. Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 197.
Në shërbimin infektiv aktualisht janë 53 të shtruar. 6 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 pacientë janë të intubuar.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive, prej tyre 4 pacientë janë të intubuar.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 60 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 10 raste, Shkodër 3 raste, Pukë 1 rast, Lushnje 1 rast, Krujë 1 rast dhe Durrës 1 rast.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
- Tiranë 209 raste
- Durrës 39 raste
- Lushnje 6 raste
- Elbasan 15 raste
- Fier 32 raste
- Kavajë 8 raste
- Rrogozhinë 4 raste
- Korçë 17 raste
- Vlorë 5 raste
- Shkodër 52 raste
- Lezhë 14 raste
- Berat 2 rast
- Has 12 raste
- Krujë 6 raste
-Tropojë 4 raste
- Pukë 5 raste
- Mirditë 3 raste