Pasi e quajti një grip te theshtë që do largohet me ngrohjen e kohës, pasi e nënvleftësoi duke thënë se kishat do të mbusheshin sërish për pashkë dhe se ilaçi nuk mund te qe më i dëmshëm se shkaku, presidenti i SHBA-së Donald Trump, ka bërë një kthesë të fortë. Të shtunën ai deklaroi se vendi do të shohë "shumë vdekje" javën e ardhshme për shkak të pandemisë globale të koronavirusit.
"Kjo ndoshta do të jetë java më e vështirë midis kësaj jave dhe javës tjetër. Dhe do të ketë shumë vdekje, për fat të keq, por shumë më pak vdekje sesa nëse nuk do ta bënim këtë", tha Trump gjatë konferencës për shtyp të grupit të punës kundër COVID-19 në Shtëpinë e Bardhë.
Komentet e tij erdhën kur numri i vdekjeve në vend u afrua në 8.200 dhe rastet e konfirmuara në afro 305 mijë. Deri më tani, 14.500 njerëz janë shëruar.
Mjekja që udhëheq ekipin e Shtëpisë së Bardhë kundër koronavirusit, Deborah Birx, paraqiti një model të mërkurën për numrin e mundshëm të vdekjeve nga virusi në SHBA.
Ajo tregoi se midis 100.000 dhe 240.000 njerëz mund të vdisnin nëse SHBA ndjek udhëzimet për distancën në shoqëri dhe shëndetin publik. Nëse nuk do të kishte ndërhyrje, modeli parashikon nga 1,5 deri në 2 milionë vdekje.
SHBA është kthyer në vendin me numrin më të madh të rasteve të konfirmuara me koronavirus, e ndjekur nga Spanja dhe Italia me 124.700 dhe 124.600 raste secila, sipas Universitetit Johns Hopkins