Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë draftin e Komisionit të Venecias për çështjen e shkarkimit të Presidentit Ilir Meta. Në një intervistë për Report Tv, Rama tha se tashmë i takon komisionit të posaçëm parlamentar për të gjykuar mbi shkeljen e bërë dhe për të konstatuar peshën e saj.
"Nuk kam asnjë qëndrim për këtë sepse është një çështje që i takon komisionit të posaçëm dhe ka të gjithë kompetencën për të gjykuar mbi shkeljen e bërë dhe për të konstatuar peshën e kësaj shkelje. Në fund nuk do të jetë një qëndrim politik, por i formësuar mbi gjykimin e atyre që e dinë këtë punë më mirë se ne të dy.
Nuk është më puna ime.
Qëndrimet i kam mbajtur kur ndodhi shkelja dhe për mua tani është shumë e rëndësishme që komisioni i Venecias është shprehur, sikur unë shprehja në mënyrë të përsëritur kur më pyesnit si do të bëhen zgjedhje me një parti dhe u thosha se “asnjë parti apo një grup nuk mund të marrin peng zgjedhjet”. Këtë Venecia e ka thënë e zeza mbi të bardhë dhe nuk ka asnjë diskutim se shkuarja në zgjedhje ka qenë vendim i duhur dhe se zgjedhjet janë plotësisht legjitime" – tha Rama.
"Përgjigja ime është e thjeshtë dhe e qartë, është krijuar një komision që ka në përbërje njerëz të ligjit, që dinë të zbërthejnë të gjithë materien nga pikëpamja ligjore dhe ata do të na bëjnë ne sugjerimin e tyre si parlament dhe ne do të marrim vendimin tonë. Nuk kam asnjë minutë për t'u marrë me fatin e Ilir Metës.
Mbrëmë jam marrë me fatin e një djali që gjendej në një situatë dramatike që prej 8 vitesh e trajtojnë në shtëpi dhe u mungonte një spital special për sëmundjen e tij. Nuk kishin trokitur në dyer e autoriteteve, u desh një faqe në Facebook që të merrej vesh. Djalin e kemi sjellë në Tiranë dhe tani po kthehet në shtëpi ku do të ketë edhe krevatin e krijuar posaçërisht për këtë sëmundje. Kjo është shumë e rëndësishme se fati i Ilir Metës.
Ilir Meta nuk ka asnjë problem shëndetësor dhe uroj të mos ketë kurrë, për problemet e tjera të Ilir Metës nuk kam asnjë interes, fare” - tha ai.
I pyetur nëse kishte një këshillë për Metën pas deklaratës se do të jepte dorëheqjen nëse Venecia gjykonte se ai ka shkelur Kushtetutën, Rama anashkaloi sërish.
“Asnjë këshillë. U vonova teksa më prisnit sepse po merresha me një tjetër çështje, të një familje në emigracion që duhet të kthejë trupin e një familjari dhe kërkonte ndihmë për procedurat dhe këtë e zgjidhëm. Kemi gjëra shumë më të rëndësishme sepse në fund të fundit, politika është e bukur sepse u shërben njerëzve dhe bëhet e shëmtuar kur kthehet në një territori të okupuar ku grinden dhe përplasen, ua nxjerr nga hundët njerëzve. Kam vendosur të braktis këtë territor. Kjo është një çështje që i takon komisionit të posaçëm dhe parlamentit" – tha Rama.