Flash

Pas betejave në gjykatë, Kevin Spacey flet për rikthimin në Hollywood

Lapsi.al 29 June 2026

Aktori Kevin Spacey ka deklaruar se beson se karriera e tij në Hollywood po rikthehet, pas viteve të shoqëruara me akuza për ngacmim dhe sjellje të papërshtatshme seksuale.

Gjatë një interviste në podcastin "Club Random" të Bill Maher, 66-vjeçari tha se ndihet sërish i pranuar nga industria.

"Ndjehem shumë më i mirëpritur dhe mendoj se gjërat po shkojnë në drejtimin që shpresonim," u shpreh Spacey.

Aktori theksoi se ka fituar në proceset gjyqësore ku çështjet janë shqyrtuar nga juritë.

"Kemi fituar në çdo gjykatë ku kemi dalë para një jurie," tha ai, duke shtuar se në disa raste faktet janë shtrembëruar ose janë interpretuar ndryshe nga realiteti.

Spacey përmendi edhe çështjen e ngritur nga aktori Anthony Rapp, i cili e akuzoi se i kishte bërë një afrim seksual të padëshiruar kur ishte 14 vjeç. Në vitin 2022, një juri federale në New York e shpalli Spacey-n të pafajshëm në atë proces civil.

Nga ana tjetër, Bill Maher i tha aktorit se besonte se disa nga akuzat ndaj tij kishin bazë, duke përdorur shprehjen: "Ka shumë tym që të mos ketë zjarr."

Spacey pranoi se disa nga veprimet e tij kishin kaluar kufijtë.

"Unë nuk kam thënë kurrë se nuk kishte zjarr. Thjesht nuk ishte një zjarr pylli, por një zjarr i vogël në kuzhinë që mund të ishte shuar," u shpreh ai.

Aktori shtoi gjithashtu se ka flirtuar me shumë burra gjatë jetës së tij, por këmbënguli se ka paguar një çmim të lartë për situatën.

"Kur njerëzit dëgjojnë faktet dhe kuptojnë çfarë kemi fituar në gjykata, mendoj se tashmë shumë prej tyre besojnë se nëntë vjet kanë qenë të mjaftueshme," tha Spacey.

Karriera e aktorit u godit rëndë në vitin 2017, kur ndaj tij u ngritën një sërë akuzash për sjellje të papërshtatshme seksuale. Si pasojë, ai u largua nga seriali "House of Cards" dhe u zëvendësua në filmin "All the Money in the World".

Në vitin 2023, një gjykatë në Londër e shpalli të pafajshëm për nëntë akuza penale për vepra seksuale. Megjithatë, në mars të këtij viti, Spacey arriti një marrëveshje jashtë gjykate me tre persona që e kishin akuzuar për sulm seksual.

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

94.16

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI