
Gjykata Supreme e SHBA-së ka bllokuar përpjekjen e Presidentit Donald Trump për të shkarkuar guvernatoren e bankës qendrore të SHBA-së. Me një rezultat prej 5 votash pro dhe 4 kundër, gjykata bllokoi përpjekjen e Trumpit për tu bërë presidenti i parë amerikan që shkarkon një anëtar të Bordit të Guvernatorëve të Fed që nga themelimi i institucionit në vitin 1913.
Vendimi e rikthen çështjen për shqyrtim në gjykatat më të ulëta, ku administrata duhet të provojë pretendimet e saj se Cook ka kryer mashtrim me kreditë hipotekore, nëse dëshiron të vazhdojë me procedurën e shkarkimit. Trump njoftoi planin e tij për të larguar Cook nga Rezerva Federale në gusht në mediat sociale, duke u mbështet në akuza të pakonfirmuara për mashtrim me kredi hipotekore. Cook argumentoi se këto pretendime ishin vetëm një pretekst për ta shkarkuar, pasi ajo kundërshtonte politikën monetare të presidentit.
Fed
Rezerva Federale është banka qendrore më e rëndësishme në botë dhe institucioni që përcakton koston e kreditimit në Shtetet e Bashkuara dhe, në mënyrë të tërthortë, në ekonominë globale. Ajo ka qenë vazhdimisht në shënjestër të kritikave të Trump që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, në janar të vitit 2025. Lisa Cook u emërua në vitin 2022 nga ish-presidenti Joe Biden dhe mandati i saj përfundon në vitin 2038.
Paralelisht me përpjekjet për largimin e Cook, administrata amerikane zhvilloi edhe një hetim penal ndaj ish-kryetarit të Fed, Jerome Powell, i cili ishte emëruar në këtë post nga vetë Trump. Hetimi u mbyll pa pasoja dhe, pas përfundimit të mandatit të Powell në muajin maj, drejtimin e Fed e mori.
Çfarë parashikon ligji?
Kur Fed u krijua në vitin 1913, Kongresi amerikan miratoi Aktin e Rezervës Federale (Federal Reserve Act), i cili synonte të mbronte bankën qendrore nga ndërhyrjet politike. Ligji parashikon se një president mund të shkarkojë një guvernator të Fed vetëm “për një shkak të bazuar”, por nuk përcakton qartë se cilat janë këto arsye dhe as procedurat që duhet të ndiqen.
Trump njoftoi shkarkimin e Cook më 25 gusht 2025 përmes një letre të publikuar në rrjetet sociale. Si argument ai përmendi pretendimet e drejtorit të atëhershëm të Agjencisë Federale të Financimit të Strehimit (FHFA), Bill Pulte, i emëruar gjithashtu nga Trump, lidhur me kreditë hipotekore që Cook kishte marrë për blerjen e banesave në Ann Arbor, Michigan, dhe Atlanta.
Vendimi i Gjykatës
Kryetari i Gjykatës Supreme, John Roberts, shpjegoi se lejimi i Trump-it për të larguar Cook do të hapte rrugën që Presidenti të mund të shkarkonte një anëtar të Rezervës Federale në çdo moment, për çfarëdo arsye, pa paralajmërim dhe pa asnjë kontroll gjyqësor pasues. Kryetari Roberts dhe kolegu i tij konservator Brett Kavanaugh u rreshtuan kundër shkarkimit të Cook së bashku me tre gjyqtarët liberalë të Gjykatës, Sonia Sotomayor, Elena Kagan dhe Ketanji Broën Jackson.
Vendimi tjetër që zgjeron kompetencat e presidentit
Në një tjetër vendim, po të hënën, më 29 qershor, Gjykata Supreme i njohu presidentit kompetenca të gjera për të shkarkuar, pa qenë i detyruar të japë arsye, drejtuesit e agjencive të tjera federale të pavarura. Vendimi, siç kanë theksuar mediat amerikane, duket në kontrast me vendimin që bllokoi, të paktën për momentin, shkarkimin e guvernatores së Fed-it. Këtë e dëshmon edhe reagimi i Trump-it, i cili në këtë rast e priti vendimin me tone triumfaliste, duke deklaruar se ai ka ‘kapërcyer plotësisht dhe pa asnjë dyshim’ një precedent juridik në fuqi prej 90 vitesh, duke forcuar ndjeshëm kompetencat e presidencës.