
SPAK ka përfunduar hetimet për Evis Berberin, ish-kreun e ARRSH-së, dhe i ka komunikuar mbylljen e hetimeve për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera në 9 raste.
Berberi është një nga 26 të pandehurit në dosjen që lidhet me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku. SPAK ka përfunduar hetimet edhe për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku dhe 25 të pandehurit e tjerë, mes tyre edhe ish-drejtorin e ARRSH. Dosja pritet të kalojë për gjykim në Gjykatën e Posaçme (GJKKO).
Berberi është marrë i pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera, në lidhje me procedurat e prokurimit publik të zhvilluara gjatë kohës kur drejtonte ARRSH-në. Hetimi përfshin disa prej tenderave të rëndësishëm të infrastrukturës, mes tyre Tunelin e Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe të Tiranës. Në kuadër të hetimeve, SPAK ka administruar edhe komunikime elektronike mes Ballukut dhe vartësve të saj, ku përfshihen edhe materiale të lidhura me telefonin e Berberit.