
Pas më shumë se dhjetë vitesh së bashku, aktorja e njohur Courteney Cox dhe muzikanti Johnny McDaid i kanë dhënë fund marrëdhënies së tyre.
Sipas Daily Mail, çifti është ndarë në mënyrë miqësore në fund të vitit të kaluar. Burime pranë tyre kanë bërë të ditur se ndarja nuk ka qenë konfliktuale, por ka ardhur si pasojë e faktit që të dy po jetonin “jeta të ndryshme”.
“Johnny flet gjithmonë me shumë respekt për Courteney. Ata patën një marrëdhënie shumë të thellë dhe vazhdojnë të mbeten shumë miqësorë. Janë miq të mirë dhe kujdesen ende për njëri-tjetrin,” është shprehur një burim për Daily Mail.
Courteney Cox dhe Johnny McDaid u njohën në vitin 2013 gjatë një feste të organizuar nga aktorja. Vetë Cox ka treguar më parë se u mahnit nga muzika dhe prania e McDaid që në takimin e parë.
Në vitin 2014, muzikanti i Snow Patrol i propozoi për martesë aktores së famshme të serialit “Friends”. Megjithatë, në fund të vitit 2015, çifti anuloi fejesën për shkak të problemeve në marrëdhënie.
Pas një periudhe ndarjeje, ata u ribashkuan në vitin 2016. Cox kishte deklaruar se lidhja e tyre ishte bërë më e fortë, pasi të dy kishin punuar shumë me veten dhe kishin mësuar nga gabimet e së kaluarës.
Gjatë viteve të fundit, aktorja kishte folur hapur edhe për dëshirën që të bëhej nënë me McDaid, duke pranuar se do të ishte e gatshme të përdorte një vezë dhuruese për të realizuar këtë ëndërr.
Courteney Cox ka qenë më parë e martuar me aktorin David Arquette nga viti 1999 deri në vitin 2013. Ish-çifti kanë një vajzë, Coco, ndërsa Arquette është i martuar prej vitit 2015 me Christina McLarty, me të cilën ka dy djem.