
Brad Pitt ka siguruar një tjetër fitore në përplasjen e gjatë ligjore me ish-bashkëshorten Angelina Jolie lidhur me pronën e tyre të përbashkët, kantinën prestigjioze franceze Château Miraval.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Gjykata e Lartë e Kalifornisë ka miratuar kërkesën e ekipit ligjor të Pitt për të marrë në pyetje anëtarë të Stoli Group, kompanisë që bleu pjesën e Jolie në vitin 2021.
Avokatët e aktorit argumentojnë se drejtuesit e kompanisë kanë dijeni të drejtpërdrejtë për rrethanat e shitjes së aksioneve të Jolie te Tenute del Mondo, divizioni i verërave i Stoli Group.
Një burim pranë çështjes është shprehur se vendimi do t'i detyrojë përfaqësuesit e Stoli Group të jenë më transparentë për mënyrën se si u realizua transaksioni.
Mosmarrëveshja mes Pitt dhe Jolie nisi pasi aktorja shiti pjesën e saj të pronës, e cila vlerësohet rreth 500 milionë dollarë. Brad Pitt pretendon se shitja është bërë pa pëlqimin e tij, duke shkelur një marrëveshje të mëparshme sipas së cilës asnjëri prej tyre nuk mund të shiste aksionet pa miratimin e tjetrit.
Nga ana tjetër, Angelina Jolie e ka mohuar ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë dhe në kundërpadinë e saj ka akuzuar ish-bashkëshortin se ka zhvilluar një "luftë hakmarrëse" kundër saj.
Muajin e kaluar, Pitt shënoi një tjetër fitore, kur një gjykatë vendosi që një ish-zyrtar i Stoli Group duhet të rikthehet për të dëshmuar, pasi gjatë një seance kishte refuzuar t'u përgjigjej dhjetëra pyetjeve.
Megjithatë, edhe Angelina Jolie arriti një fitore të pjesshme në gjykatë, pasi një gjyqtar hodhi poshtë kërkesën e Pitt për të detyruar aktoren të dorëzonte disa e-mail privatë që ai i konsideronte të rëndësishëm për çështjen.
Brad Pitt dhe Angelina Jolie finalizuan zyrtarisht divorcin në dhjetor 2024, pas më shumë se tetë vitesh procesesh gjyqësore. Ish-çifti kanë gjashtë fëmijë së bashku, ndërsa mosmarrëveshja për Château Miraval mbetet ende e pazgjidhur.