Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Shkodrës, Valdrin Pjetri, ka reaguar pas kërkesës së Partisë Demokratike, drejtuar Prokurorisë, për nisjen e verifikimeve lidhur me pastërinë e figurës së tij.
Pjetri ka mohuar të ketë qenë dënuar dhe dëbuar nga Italia, duke hedhur poshtë akuzën e PD-së.
Gjithashtu, Pjetri është shprehur se do të pritet edhe kryerja e verifikimeve nga ana e Prokurorisë lidhur me këtë çështje, ndërsa ka shtuar se është i hapur për çdo lloj kërkese në adresë të tij.
“Kam udhëtuar disa herë në drejtim të Italisë dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme. Ky ngjan më shumë si një gjyq publik. Nuk jam ndaluar dhe as arrestuar në Itali. Jam i hapur për çdo verifikim të mundshme.”- ka thënë Pjetri.
Sipas selisë blu, Pjetri preket nga ligji i dekriminalizimit pikërisht për shkak të ndalimit të tij në Itali në harkun njëvjeçar 2001-2002, duke shtuar se pas kthimit në Shqipëri, nuk ka udhëtuar më në drejtim të shtetit fqinjt për tetë vjet me radhë. Por, në formularin e vetëdeklarimit që kryebashkiaku i porsaemëruar i Shkodrës ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nuk rezulton të ketë shënuar dënim e dhënë ndaj tij nga autoritetet italiane.
Në formular, Pjetri ka pasqyruar vetëm qendrimin në qytetin e Firences në periudhën 2001-2002 për kryerjen e studimeve universitare. Ndërsa socialisti iu është përgjigjur negativisht pyetjeve në kategorinë “të dhëna mbi gjendjen gjyqësore të personit”.