
Nuk ka surpriza në ndeshjen e dytë të fazës së 1/8-ave të finaleve të Botërorit 2026, e cila përfundon me fitoren e Francës. "Gjelat" nuk bindin me lojën e tyre dhe për një kohë të gjatë frenohen nga Paraguai (me një lojë të pisët të pandëshkuar nga arbitri), por arrijnë të fitojnë 1-0. Aksioni vendimtar mban firmën e Kylian Mbappé, i cili zhbllokon sfidën me penallti në minutën e 70-të, duke rrëzuar murin mbrojtës të Albirrojas. Nuk ka asgjë për të bërë për amerikano-jugorët, që i japin lamtumirën turneut: në çerekfinale do të luhet Francë–Marok.
Paraguai nuk arrin të përsërisë mrekullinë dhe eliminohet nga Botërori, pas një ndeshjeje të tensionuar dhe një mbrojtjeje të jashtëzakonshme: Franca fiton 1-0 dhe siguron kualifikimin në çerekfinale. Albirroja përpiqet që në fillim të përsërisë paraqitjen ndaj Gjermanisë, me një mbrojtje të fortë me pesë lojtarë dhe kundërsulme të organizuara nga Enciso, por nuk arrin ta aktivizojë kurrë "numrin 9 fals". Nga ana tjetër, Franca përplaset vazhdimisht me murin mbrojtës të kundërshtarëve dhe në pjesën e parë rrezikon vetëm me mesfushorët. Më aktivët janë Rabiot dhe Koné, por Gill tregohet i vëmendshëm, ndërsa goditjeve u mungon saktësia.
Paraguaji i përdor të gjitha: bërryl ndaj Kounde, taka ndaj Mbappe i shënjestruari për tu provokuar nga paraguajanët, por çuditërisht arbitri nuk i ndëshkoi. Në pjesën e dytë "Gjelat" rrisin ritmin dhe avancojnë më shumë në kërkim të golit të avantazhit, duke goditur rrjetën e jashtme me Dembélé dhe duke rrezikuar sërish me Rabiot.
Momenti që ndryshon përfundimisht fatin e takimit vjen në minutën e 70'. Diego Gomez shkakton faull ndaj Doué dhe arbitri, i cili deri në atë moment kishte qenë mjaft tolerant ndaj ndërhyrjeve të ashpra të amerikano-jugorëve, veçanërisht të Galarzës, nuk mund të bëjë tjetër veçse të akordojë penallti. E turpshme ajo që bënë lojtarët e Paraguajit, duke tentuar të prishnin pikën e penalltisë, edhe pse Dembele e kishte kuptuar qëllimin dhe qendronte mbi pikën e bardhë.
Nga pika e bardhë godet Mbappé, i cili mposht Gill dhe zhbllokon sfidën. Paraguai detyrohet të dalë nga mbrojtja, por nuk shkon më larg se një goditje e Mauricio dhe pritja e Maignan. Nga ana tjetër, Mbappé i afrohet dy herë golit të dytë, por në të dy rastet ndalet nga pritjet vendimtare të Gill. Gjithsesi, ndeshja përfundon 1-0 për Francën, e cila feston kualifikimin në çerekfinale, ku do të përballet me Marokun. Gjithçka është gati për ribërjen e gjysmëfinales së Botërorit 2022, të fituar 2-0 nga francezët, përpara se ata të mposhteshin nga Argjentina në finalen e madhe.