Një prej kandidatëve potencial për t'u bërë kryeministër në Greqi, kreu i partisë "Demokracia e Re", Kiriakos Micotakis, ka paralajmëruar kryeministrin e Shqipërisë, se kur të vijë në pushtet do të vendosë sanksione ndaj Shqipërisë nëse nuk respektohen të drejtat e minoritetit grek në vendin tonë.
Micotakis, partia e të cilit shihet favorite, u shpreh se nëse Rama dëshiron që të ketë marrëdhënie të mira me Greqinë, atëherë ai duhet të respektojë të drejtat e minoritetit grek.
“Do të ketë sanksione nëse nuk respektohen të drejtat e komunitetit grek dhe kjo ka lidhje me marrëdhënien dypalëshe. Nëse do Rama të kemi marrëdhënie të mira, të respektojë të drejtat e minoritetit grek.”
Edhe pak ditë më parë kryeministri aktual Aleksis Cipras gjatë prezantimit të programit elektoral paralajmëroi Shqipërinë se nuk do të merrte dritën jeshile për në BE në rast se nuk plotësohen të gjitha të drejtat dhe detyrimet që vendi ynë ka ndaj minoritetit.