Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët u shpreh se kryeministri Edi Rama nuk po dëgjon miqtë e shqiptarëve që po kërkojnë mbizotërimin e arsyes dhe të interesave të popullit.
Sipas Bashës përpjekja për të vendosur 30 qershorin në qendër të debatit politik bëhet me qëllimin që kryeministri Rama të negociojë kokën e tij, pasurinë e tij për pushtetin e tij, si dhe të një grushti kriminelësh e oligarkësh.
"Gjatë 48 orëve të fundit, shumë miq të Shqipërisë, kanë kërkuar të mbizotërojë arsyeja dhe interesi i shqiptarëve, interesi publik dhe Edi Rama t’i hapë rrugë një procesi politik, i cili kërkon asgjë më shumë, dhe asgjë më pak se standardin europian, zgjedhje të lira dhe të ndershme, një parlament legjitim, nga populli, për popullin dhe për popullin; jo nga kriminelët, të kriminelëve dhe për kriminelët.
Sfidimi i hapur që Edi Rama bën, përpjekja për të vendosur 30 qershorin në qendër të debatit politik, kur tashmë 30 qershori ligjërisht nuk përbën më nga pikëpamja kushtetuese një datë zgjedhjesh, por përbën nga pikëpamja politike dhe njerëzore një datë krimi kushtetues, një akti grusht shteti dhe krimi mbi çdo shqiptar, ky sfidim bëhet me një dhe një qëllim që Edi Rama të ketë mundësinë të negociojë kokën e tij, pasurinë e tij për pushtetin e tij, të një grushti kriminelësh dhe një grushti oligarkësh që e mbajnë me serume kufomën e tij politike dhe organizatën e tij të shpartalluar kriminale të Rilindjes nga zbulimet e deritanishme dhe ato të pritshme të aktivitetit të tyre kriminal dhe korruptiv", u shpreh Basha.