Kryedemokrati Lulzim Basha nga tryeza e bashkëbisedimit me grupet e interesit, ka treguar se protesta e opozitës ditën e sotme do të zgjasë 3 orë.
“Përballja me protestat nuk mund të konsiderohet thjesht si karshillëk, por nuk kemi asnjë instrument tjetër. Përballë dhunës çdo popull europian vepron si ne. Ne jemi të vendosur të vijojmë me mosbindjen civile, i bëj thirrje qytetarëve të na bashkohen në këtë aksion duke filluar sot në orën 18 deri në orën 21”,- tha Basha.
Në lidhje me zbatimin e platformës së propozuar sot, Basha nuk i përjashtoi negociatat, por shtoi se ato i përkasin një faze të dytë, pasi fillimisht kërkohet largimi i Ramës dhe qeverisë së tij.
“Si do të shkohet drejt produktit që propozojmë ne? Natyrisht me negociata duke pasur përballë kundërshtarin e PS, duke insistuar për një frymë dialogu në shërbim të interesit kombëtar për të ndalur rënien kokëposhtë drejt një gremine. Por, parakushti për dialog është largimi i kësaj qeverie të kapur në afera korruptive, të kapur në bashkëpunim me kriminelë teksa vjedhin zgjedhjet. Të kërkosh të ulesh me një përdhunues serial dhe t’i besosh procesin e ardhshëm zgjedhor kjo është pabesi, është kriminale. Në vendet e Europës ai do ishte ndjekur penalisht. Ai është edhe përdhunues edhe kujdestar. S’mund të jesh edhe përdhunues serial edhe kujdestar. Kushti ynë paraparak është largimi i Ramës dhe hapja e rrugës drejt një procesi normal dialogu”,- vijoi kryedemokrati.