Flash

Rasti i "Stop"/ Mediat po e shpikin vetë realitetin

Lapsi.al 15 July 2017
Rasti i "Stop"/ Mediat po e shpikin vetë realitetin

Nga ARDIAN VEHBIUPamë një video që është mëkat ta quash amatoriale, dhe ku një grua (e luajtur nga Mirela Topulli) kërkon të rrahë një burrë (i luajtur nga Genci Angjellari): gruaja prezantohet si pronare e një firme, burri si gazetar. Dy homines sapientes në kacafytje të trishtuar.

U tha se ky gazetari po bënte një “investigim” për një punë të pistë të kompanisë që drejtonte agresorja, dhe se kjo e fundit deshi t’i tregojë vendin. U shtua se Topulli “e dhunoi kafshërisht” Angjellarin.
Më pas u kundër-tha, nga pala tjetër, se videoja i ish dhënë publikut e edituar rëndë, dhe aty ish lënë jashtë fakti që gazetari në fjalë, i paraqitur si viktimë, e kish nisur “investigimin” duke e fyer atë gruan dhe duke e qëlluar në mjekër me mikrofon.
Pamë edhe hematomat në mjekrën e viktimës tjetër. Tashmë jemi mësuar me këto gjurmë që ia lëmë njëri-tjetrit në trup, kur duam të komunikojmë me zor: ia shkruajmë tjetrit dhunën në lëkurë, si të thuash.
Vështirë të thuash se çfarë ka ndodhur; ose më mirë, shumë e lehtë të thuash se çfarë ka ndodhur: kemi parë median në veprim.
Publiku i përfytyron këta guerrilas të medias si “syrin dhe veshin” e vet; nëpërmjet tyre, shpreson të marrë vesh se çfarë ndodh.
Këtij publiku i duhet uruar, megjithatë, mirëseardhja në raportimin post-modern të realitetit, ku mediat nuk mjaftohen me kronikën e ngjarjes, por e krijojnë këtë ngjarje vetë.
Nuk është hera e parë, që gazetaria “investigative” paraqitet kështu – një gazetar kamikaze, që i vërsulet dikujt me pyetje të tipit: “kur do të hiqni dorë nga vjedhja e popullit?” dhe një kamerë dore, që regjistron në video reagimet e tjetrit.
Ky farë zhurnalizmi e përdor mikrofonin si armë të ftohtë: çfarë e bën ironik pretendimin e administratores Topulli, se Angjellari e kish goditur në mjekër me mikrofon.
(Po sikur ta kish goditur me kamera?)
Konfliktet në vijën e frontit mediatik ndonjëherë përfundojnë edhe kështu; çfarë është e re, në historinë e trishtuar të medias shqip, është se këto konflikte tashmë u zënë vendin lajmeve.
Po të jetë i vërtetë pretendimi i Topullit (dhe i mjekrës së saj të lënduar), atëherë kemi një gazetar që mësyn qytetarin dhe pastaj reagimin e këtij të fundit e paraqet si lajm.
Dhe meqë lajmin e rrëfen gazetari vetë, ndonëse i “agresuar” në krye të detyrës, atëherë kemi të bëjmë me atë që, në narratologji, e quajnë unreliable narrator – ose në rrëfimtar që nuk i zihet besë.
Prandaj fola më lart për gazetari post-moderne.
Do të pyetet: po cili është lajmi këtu, sa kohë që palët kanë dhënë versione të kundërta? E kam përgjigjen gati: lajmi është që ky lajm është dhënë; nuk duhet pretenduar për më tepër.
Dhe një investigim i një çështjeje aq serioze sa eliminimi abuziv i mbetjeve spitalore, dëshmon më shumë nevojën që vetë gazetarisë “investigative” (këtë fjalë do ta shkruaj gjithnjë në thonjëza), në Shqipëri, i duhet të eliminojë mbetjet trash në stilin me të cilin u qaset temave të mëdha.
Thelbi i këtij skandali – nëse mund ta përdor ende një fjalë si prej GABI – është prova e sjellë nëpërmjet videos; meqë publiku ende e ka ruajtur besimin tek imazhi, si më afër së vërtetës se fjala.
Por që publiku e ka ruajtur besimin tek imazhi, kjo veç do të thotë se sot përpjekjet më të mëdha për ta mashtruar po bëhen nëpërmjet imazhit.
Tek e fundit, hetimi dhe raportimi i çështjeve me interes kushton më shumë se inskenimi i një videoje çfarëdo, të filmuar me kamera dore, e cila sakaq merr vlera dokumentare dhe përhapet më shpejt se fruthi.
Sa kohë që është pranuar roli i mediave si teatër për dëfrimin e publikut dhe kur infotainment-i ka zënë kryet e vendit në portalet dhe vend-grumbullimet e tjera të plehrave, çfarë do të pengojë që edhe lajmi t’i nënshtrohet produksionit?
Kjo do të ishte edhe ana e përkundërt e lektisjes pas reality shows, edhe pse pjesë e së njëjtës prirjeje madhore për t’i shkrirë kufijtë midis raportimit dhe realitetit.
Brenda këtij produksioni, “gazetari” do të zërë vend qendror – meqë lajmi jo vetëm do të rrëfehet në vetën e parë, por edhe vetë rrëfimtari imponohet si personazhi kryesor i rrëfimit.
Madje jo vetëm: misioni i këtij personazhi, a i këtij heroi në daçim, do të ishte ai i ndëshkuesit – ose një version soft i inkuizicionit.
Le ta quajmë këtë funksionalitet të papritur ana e pasme e vetting-ut, të paktën për nga efektet populiste të garantuara.
Dikur media totalitare ruante monopolin ndaj përzgjedhjes së lajmit dhe sidomos ndaj interpretimit të tij – sipas filozofisë se “kuptimi” a “domethënia” e një ngjarjeje kish përparësi ndaj rrëfimit vetë, sa kohë që ishte “kuptimi” dhe “domethënia” që vërtetonin drejtësinë e vijës ideologjike, etj.
Sot media post-totalitare nuk ka më fuqi të interpretojë; e ka më të lehtë ta sendërtojë realitetin, ashtu siç kujton se ia kërkon publiku.
Media është mesazhi, thoshte McLuhan-i. Tashmë i rrëfyer në vetën e parë nga një unreliable narrator, do të shtoja. (Peizazhe.com)

Të këshilluara

Turp ta largojmë De Biasin kështu!

Nga Mentor Kikia / Kur ai erdhi me flamurin Kuq e Zi dhe me fitoren historike të Shqipërisë, të gjithë nxituan ti shtrojnë tapetin e kuq nga aeroporti deri...

16:11

Terrori si normalitet!

Nga Felix Steiner (Opinionist në Deutsche Welle) …dhe tani Mançesteri! Përsëri terror në zemër të një metropoli të Evropës. Një tjetër sulm ndaj njerëzve që ...

16:09

Anglishtja në Bunker

E çelur në 19 nëntor të vitit 2016 për publikun, BUNK’ART 2 është “ekspozita e parë e madhe video-muzeale” që u dedikohet viktimave të terrorit komunist, si faz...

10:57

ide

Plaku me bastun, si antimodeli ndaj një pushteti të shurdhët

Ndarja e re teritoriale përpos problemeve të diskutueshme me pakësimin e bashkive po vërteton se kjo qeverisje e degraduar nuk ka më as vullnet as nerva për të dëgjuar qytetarët. Prandaj rruga e vetme e komunikimit me të mbetet ajo e ngritjes së shkopit

16:34 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

92.53

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Plaku me bastun, si antimodeli ndaj një pushteti të shurdhët

Ndarja e re teritoriale përpos problemeve të diskutueshme me pakësimin e bashkive po vërteton se kjo qeverisje e degraduar nuk ka më as vullnet as nerva për të dëgjuar qytetarët. Prandaj rruga e vetme e komunikimit me të mbetet ajo e ngritjes së shkopit

16:34 Andi Bushati

E pickoi gjarpëri/ Turistja australiane rrëfen gjendjen skandaloze të spitaleve në Shqipëri

Amy Lecons u bë një sensacion i papritur viral pasi filmoi veten duke pritur për shpëtim në një shpat mali në Shqipëri, pas kafshimit nga një gjarpër helmues. Në këtë intervistë ekskluzive, vrapuesja australiane e shtigjeve, me bazë në Zelandën e Re, përshkruan kafshimin, telefonatat e dështuara të emergjencës, telefonatën e dëshpëruar ndaj babait të saj, mjek në Australi, dhe arsyen pse ajo beson se historia e saj është përdorur për të mbuluar probleme serioze në sistemin shëndetësor të Shqipërisë.

14:48

Me sytë katër

PAPARAZZI