Edhe pse është folur aq shumë, mazhoranca nuk ka pranuar se emërimet në administratë janë politike dhe që bëhen rekomandimet e deputetëve të saj, siç u dëshmua pak kohë më parë me disa lista të publikuara ekskluzivisht nga lapsi.al. Një arsimtar i ri pranoi në mënyrë të pafajshme javën e shkuar në Vlorë, në podium me Edi Ramën, se ai gjeti punë vetëm pasi u bë pjesë e PS -së. Ishte mirënjohje e sinqertë për partinë që i gjeti punë. Kjo mirënjohje po shprehet në forma nga më të ndryshmet. Ky punonjës i tatimeve të Sarandës duket se ka zgjedhur mbajtjen e portretit elektoral të superdeputetit Koço Kokëdhima për këtë qëllim. Edhe pse në një zyrë shtetërore, ai e mban deputetin e zonës mbi kokë. Shenjë falenderimi apo simpatie për koordinatorin e Jugut? Burime të lapsi.al thonë se ai është punësuar në këtë zyrë pas ardhjes së PS në pushtet dhe se ka qenë pjesë aktive e fushatës së Kokëdhimës dhe mbajtja e portretit të tij në zyrë është sa vlerësim për figurën e deputetit aq edhe për t'u treguar punonjësve të tjerë rëndësinë që ai ka në administratë si pjesë e stafit elektoral të superdeputetit. /Lapsi.al