Në vigjilje të Krishtlindjeve, një vajzë 20-vjeçare hidhet nga kati i 11 i një ndërtese të Tiranës. Mbase vërtet jeta të vjen përpara syve kur je pranë fundit; mjafton të ngjitesh në taracën e një pallati për të parë smogun e jetës së çdo shqiptari.
Klea Shyti quhet 20 vjeçarja që vrau veten sepse, siç shkruhet, ‘shkak ishte ndarja nga i dashuri’. Por duke parë profilin e saj në Facebook dhe Instagram, gjetëm më tepër sesa një arsye që ajo të vriste veten. Përtej gazetarisë, mund të themi me plot gojë se Klea nuk ishte një adoleshente e zakonshme. Ndryshe nga bashkëmoshataret e saj, që dëgjojnë dance, pop, e tallava, Klea dëgjonte rock metal e eksperimental; Pink Floyd, Slayer; David Bowie; këngë që, kush i njeh, e di mirë se u referohen njerëzve që shohin më larg, sesa thjesht adrenalina e një nate në pab.
Sa të rinj e njohin Sylvia Plath? Një prej poeteshave më emblematike të letërsisë amerikane e botërore, e cila vrau veten në të 30at. 20-vjeçarja shqiptare e njihte, dhe i ka uruar ditëlindjen më 27 tetor: ‘Ashtu siç kacavirremi në shpirtëra të tjerë, e me trupa të tjerë ngrohemi, pushojmë e u besojmë besimin tonë dhe shpirtin në fshehtësi, mua më duhet, më duhet dikush mbi të cilin të lëshohem’, janë vargjet e Sylvia Plath që Klea Shyta ndan në Facebook-un e saj.
Mes jetës sipërfaqësore të kryeqytetit, me muzikë të shpejtë, ushqim të shpejtë, Klea përdorte rrjetet sociale, dilte me miqtë, vishej, krihej, dhe në fund, çdo moment e përjetonte përtej kënaqësisë së thjeshtë. Në fotot që hedh me miqtë, ajo shkruan: ‘Nëse ke miq të mirë, pavarësisht sa e shëmtuar është jeta, ata përsëri arrijnë të të bëjnë të qeshësh’. Portreti i saj shpreh pastërti; jo thjesht sepse nuk ka make up të tepërt, jo vetëm sepse flokët e saj janë natyralë. Ajo tregon moshën e saj, 20 vjeç. Dhe kur je 20 vjeç, por rininë e jeton duke lexuar libra dhe dëgjuar këngë që përcjellin ndjenja të vërteta, jo thjesht citime Facebook-u, është e vështirë të jetosh në botën e shpejtë e të përkohshme të Fast Food-it.
Ne nuk e kemi njohur Klean, por kemi njohur pak të rinj që i njohin vlerat e artit të mirë. Flasim për makina, veshje, aplikacione smart phone-sh, për vajza blloku dhe squats-e. Shikojmë filma 3D me efekte speciale, por nëse kthejmë kokën, mes fansave të konsumizmit masiv, mund të gjejmë të rinj si Klea që mund t’a shohin jetën në 7 dimensione. Janë të rinjtë që nuk gjejnë vend në kryeqytet, që nuk arrijnë të bëhen njësh me realitetin e cekët, sado të përpiqen. Ndoshta ka qenë një dashuri e humbur, por ndoshta ajo ka qenë jehona e mundësive të humbura për të qenë vetvetja, në një vend ku të gjithë janë si dikush tjetër, që nuk e di kush është.
Genta Hodo/Anabel