Policia e Kosovës ka arritur të parandalojë vjedhjen e një lope në një fshat të Vushtrrisë, sot rreth orës 3 të mëngjesit. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, tha për KALLXO.com se një patrullë policore kishte vërejtur një veturë të dyshimtë. Policia ka provuar ta ndalojë, por pasi ajo nuk ishte ndalur, ishte vënë ndjekje. “Policët kanë arritur që në fshatin Maxhunaj të Vushtrisë ta gjejë veturën në të cilën kishte qenë e futur një lopë” - tha Zahiti. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe policia e Obiliqit bashkë me pronarin që mbrëmë kishte lajmëruar se vjedhjen e lopës. KALLXO.com sjell fotografi ekskluzive të lopës së futur në veturën- taksi dhe pasi është liruar nga Policia. Vetura aktualisht është në Policinë e Vushtrrisë për ekzaminime të mëtejme. Nuk dihet ende pronari i saj pasi që ngasësi i veturës ka ikur kur e ka parë të pamundur të shpëtojë nga policia, ndërsa lopa i është kthyer pronarit.