
Pak para nisjes së Asamblesë së PS-së, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka zgjedhur t’u drejtohet me një mesazh të gjatë anëtarëve të këtij forumi, duke bërë publike letrën që ka shkruar nga burgu i Fierit.
Në letrën me titull “Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj”, Veliaj ngre një sërë kritikash ndaj mënyrës se si drejtohet sot PS-ja, duke vënë në pikëpyetje përqendrimin e vendimmarrjes te kryetari Edi Rama dhe duke kërkuar aktivizimin e procedurës statutore për mocion mosbesimi ndaj tij.
Kujtojmë që Veliaj kishte kërkuar të merrte pjesë në këtë asamble.
Letra përmban gjithashtu akuza për ndërhyrje politike në çështjen e tij, kritika për funksionimin e institucioneve të partisë dhe thirrje për më shumë demokraci të brendshme, debat dhe llogaridhënie.
LETRA E PLOTW
PARTIA SOCIALISTE ËSHTË MË E MADHE SE KRYETARI I SAJ
Të dashura shoqe dhe shokë,
Të nderuar anëtarë të Asamblesë Kombëtare,
Sot ju drejtohem në rrethana që nuk do t’i kisha imagjinuar kurrë në rrugëtimin tim politik. Prej 21 muajsh ndodhem i privuar nga liria. Jam fizikisht larg familjes, larg zyrës sime, larg rrugëve të Tiranës, larg qytetarëve që më kanë besuar drejtimin e kryeqytetit dhe larg socialistëve me të cilët kam ndarë për vite të tëra punën, përpjekjet, fitoret dhe vështirësitë.
Por nuk jam larg përgjegjësive të mia. Nuk jam larg bindjeve të mia dhe nuk jam larg Partisë Socialiste. Sot nuk dua t’ju flas vetëm për atë që më ka ndodhur mua, por edhe për atë që besoj se po i ndodh Partisë Socialiste dhe vendit tonë. Sepse këta 21 muaj më kanë dhënë kohë të mendoj jo vetëm për fatin tim personal, por edhe për përgjegjësitë që kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi ndaj qytetarëve.
RRUGËTIMI IM ME SOCIALISTËT
Unë kam ardhur në Partinë Socialiste si njeri i protestës, i zërit qytetar dhe i besimit se Shqipëria mund të modernizohej dhe evropianizohej. Bashkëpunimin me Edi Ramën e kam nisur në një kohë kur atij i mbylleshin dyert brenda vetë Partisë Socialiste. As Asambleja e Lezhës nuk e lejonte të hynte në Pallatin e Kulturës, me kontributin direkt, të atyre që përsëri sot hapin e mbyllin përsëri dyert e kryetarit. Ishte koha kur na bashkonte bindja se politika mund të ndryshonte jetën e njerëzve, se një parti progresiste duhej të krijonte mundësi për ata që nuk i kishin pasur dhe se të rinjtë mund të merrnin përgjegjësi pa pasur nevojë për mbiemra të njohur, lidhje të privilegjuara apo mbështetje nga njerëz të fuqishëm. Në këtë parti kam mësuar se besimi nuk fitohet me emërime apo autoritet personal, por duke punuar, duke dëgjuar, duke qëndruar pranë njerëzve dhe duke mbajtur përgjegjësi për atë që premton.
Kam pasur nderin të bashkëdrejtoj një fushatë në Qarkun e Gjirokastrës dhe pasi bëra gavetën nga viti 2009 deri në vitin 2013, pa mandat deputeti, por në front të çdo beteje opozitare, fitova në gjashtë fushata në Tiranë. Kam marrë besimin e qytetarëve për tri mandate në krye të bashkisë më të madhe shqiptare. Gjatë gjithë këtij rrugëtimi kam punuar me mijëra socialistë që nuk kanë kërkuar kurrë asgjë për veten, përveç mundësisë për të kontribuar.
Atyre u detyrohem shumë. U përulem me mirënjohje socialistëve që kanë trokitur derë më derë, që kanë mbrojtur idetë tona në lagje e komunitete dhe që kanë sakrifikuar kohën e tyre pa kërkuar shpërblim. U detyrohem të rinjve që besuan se PS ishte vendi ku talenti dhe puna mund të hapnin rrugë. U detyrohem bashkëpunëtorëve të mi në Bashkinë e Tiranës, me të cilët kemi punuar për ta shndërruar kryeqytetin në një metropol evropian dhe u detyrohem qytetarëve të Tiranës, përfshirë ata që nuk më kanë votuar, sepse jam bërë një kryetar bashkie më i mirë edhe prej tyre.
ARRITJET DHE PËRGJEGJËSITË TONA
Shoqe dhe shokë,
Ne kemi shumë arsye të flasim për arritjet e qeverisjes sonë. Shqipëria e sotme nuk është Shqipëria që morëm përsipër të qeverisim. Janë ndërtuar rrugë, shkolla, spitale, infrastruktura dhe shërbime. Ekonomia ka ndryshuar. Qytetet tona kanë ndryshuar. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejt Evropës. Tirana ka qenë vit pas viti Kryeqyteti Evropian i Rinisë, Sportit dhe i Kulturës.
Në këtë transformim ka kontribut qeveria socialiste, kryeministri i saj, kryetarët e bashkive, deputetët, administrata dhe mijëra njerëz që kanë punuar me përkushtim. Unë nuk kam ndërmend të mohoj asnjë nga këto arritje. Por sot duhet të kemi kurajon politike t’i bëjmë vetes një pyetje tjetër:
A mjaftojnë më arritjet për të justifikuar mënyrën se si po ushtrohet pushteti ynë sot?
Ne kemi ndërtuar shumë. Por a kemi ndërtuar po aq drejt? Kemi modernizuar administratën. Por a e kemi bërë më të ndershme dhe më të përgjegjshme? Kemi zhvilluar ekonominë. Por a kemi krijuar mundësi të barabarta? Kemi fituar shumë zgjedhje. Por a kemi qenë “fair” dhe a na kanë bërë ato më të besueshëm? Këto pyetje nuk i zhvlerësojnë arritjet tona. Përkundrazi, janë pyetjet që duhet t’i bëjë një forcë politike e përgjegjshme, pikërisht sepse ka qeverisur gjatë dhe ka pasur mundësinë të ndryshojë vendin.
QUO VADIS, PS?
Kur iu bashkova Partisë Socialiste 17 vjet më parë, ishim partia e shpresës. Sot jemi bërë parti e fshehjes, drojës dhe tutjes.
Atëherë ngrinim zërin për çdo gjë. Sot heshtim për shumëçka.
Kërkonim drejtësi për Gërdecin dhe 21 Janarin. Sot bashkëjetojmë me padrejtësinë.
Në asamble e kongrese kishte entuziazëm dhe optimizëm. Sot pllakos heshtja dhe frika, si në “Squid Game”: kush do të “hahet” i radhës?
Dikur sfida jonë ishte si t’i përfshinim të gjithë njerëzit që na afroheshin. Sot kemi hallin e atyre që na largohen.
Bënim aleanca me mësuesit, mjekët dhe profesionistët. Sot bëjmë aleanca me të fortët e qyteteve.
Quo Vadis, PS?
Ishim parti e solidaritetit me njëri-tjetrin. Sot kemi thikat pas shpine.
Investonim te faktet dhe e vërteta. Sot te thashethemet dhe intrigat.
Harxhonim energji për të gjetur miq. Sot harxhojmë energji për të zbuluar armiq.
Bënim garë kush hapte më shumë shkolla, jo kush hapte më shumë biruca.
Ishim një skuadër. Sot vendosin një apo dy individë.
Ishim të gjithë të Partisë Socialiste. Sot jemi ndarë në njerëz të atij apo të asaj.
Rrinim mes njerëzve, në rrugë, kafene dhe markata. Sot i shmangim, sepse nuk përballemi dot me pakënaqësinë e tyre.
Kishim Kryeqytetin Evropian të Rinisë, Sportit dhe Kulturës. Sot përballemi me pamjet e dhunës, gazit dhe zjarrit.
Indinjoheshim nga padrejtësia. Sot mjaftohemi që padrejtësia të mos na bjerë neve.
Dikur kishim më pak mandate, por mbështetje të madhe. Sot kemi më shumë mandate, por mbështetje më të vogël.
Mbillnim pemë dhe ndërtonim së bashku. Sot presim degët e njëri-tjetrit dhe mbjellim ndasi.
Thërrisnim për bashkim. Sot kërkojmë armiq të brendshëm.
Kishim moton “Një për të gjithë, të gjithë për një”. Sot “Secili për vete, Zoti për të gjithë”.
Ku po shkojmë?
Ishim reformatorë të së majtës, të vendosur të largoheshim nga Partia e Punës. Sot rikthejmë kallëzimet anonime dhe fletërrufetë.
Ishim gjuetarë të ideve, jo të njëri-tjetrit.
Dikur mezi prisnim debatet televizive për të mbrojtur idetë tona. Sot shmangim përballjet për të mos u përgjigjur për vendimet tona.
Dikur zgjonim imagjinatën. Sot e trembim atë.
E shihnim brezin Z si të ardhmen e shtetit, jo si armikun e pushtetit.
Ishim tolerantë dhe bashkëpunues. Sot dyshues dhe hakmarrës.
Talleshim me teoritë e konspiracionit. Sot i prodhojmë dhe u besojmë vetë.
Dikur ndiznim ëndrra. Sot prodhojmë makthe.
Ishim partia e Dritëroit. Sot e “Nesti Angonit”.
Na iku i madhi Gramoz, na erdhi Dashi i vogël i Saliut.
Quo Vadis, Partia Socialiste?
A do të vazhdojmë të ndërrojmë vendet në “Titanikun” që shkon drejt ajsbergut, apo do të gjejmë guximin të ndryshojmë drejtimin për ta shmangur atë?
Të dashura shoqe dhe shokë,
Këto nuk janë thjesht kujtime të një kohe tjetër, as nostalgji për Partinë Socialiste që ka qenë. Janë ato që kemi humbur gjatë ushtrimit të pushtetit dhe për mënyrën se si funksionon sot organizata jonë politike. Ndryshimi më shqetësues nuk është vetëm te njerëzit që janë larguar apo te debatet që nuk zhvillohen më. Është te mënyra se si merren vendimet dhe te roli që u ka mbetur institucioneve të partisë. A janë organizatat tona socialiste ende vende ku diskutohet dhe vendoset, apo janë kthyer kryesisht në struktura që aktivizohen gjatë fushatave? A dëgjohen socialistët që mendojnë ndryshe? A promovohen njerëzit me integritet dhe autoritet në komunitetet e tyre, apo mjafton lidhja me drejtuesin?
Këto çështje na përfshijnë të gjithëve. Edhe mua.
Unë nuk dua të flas nga pozita e njeriut që ka bërë gjithçka drejt. Kam drejtuar për vite një administratë të madhe, kam marrë mijëra vendime dhe kam mbajtur përgjegjësi që kanë ndikuar në jetën e qindra mijëra qytetarëve. Në këtë rrugëtim kam bërë gabime. Ka vendime që sot do t’i shqyrtoja ndryshe, njerëz që mund të mos i kem dëgjuar sa duhet dhe situata ku mund të kisha treguar më shumë kujdes e ndjeshmëri. Për përgjegjësitë e mia politike dhe njerëzore jam i gatshëm të jap llogari.
Por përgjegjësia individuale e secilit prej nesh nuk mund të përdoret për të shmangur shqyrtimin e përgjegjësisë së Edi Ramës për drejtimin politik të Partisë Socialiste. Pushteti i gjatë krijon një rrezik të njohur për çdo organizatë politike. Në fillim, njerëzit të afrohen sepse besojnë te idetë e tua. Më pas, kur fiton pushtetin, të afrohen edhe njerëz që kërkojnë mundësi, favore, ndikim dhe përfitime, e lloj-lloj “të fortësh”, të cilët janë më të gatshëm të të shërbejnë. Nëse organizata nuk ruan mekanizmat e kontrollit, një ditë mund të zbulosh se njerëzit që të thonë gjithmonë “po” janë bërë më të shumtë se ata që kanë guximin të të thonë të vërtetën. Kjo nuk mbetet vetëm çështje e marrëdhënieve mes njerëzve. Ajo përcakton mënyrën se si formohet qeveria, si përzgjidhen përfaqësuesit dhe si funksionojnë institucionet.
Qeveria dhe përgjegjësia politike
Le të fillojmë nga mënyra se si formohet qeveria. Kush i propozon ministrat? Mbi cilat kritere politike dhe profesionale përzgjidhen? Çfarë përfaqësimi kanë në Partinë Socialiste? Çfarë debati zhvillohet në organet e saj për përbërjen dhe drejtimin politik të qeverisë?
Përgjigjja që dëgjojmë shpesh është se qeveria është përgjegjësi e kryeministrit. Kushtetuta ia njeh kryeministrit kompetencën për të propozuar emërimin dhe shkarkimin e ministrave. Kjo kompetencë është e qartë dhe nuk vihet në diskutim. Por kompetenca kushtetuese për të formuar qeverinë nuk e përjashton përgjegjësinë politike ndaj partisë që ka marrë mandatin për të qeverisur.
Kompetenca kushtetuese dhe përgjegjësia politike nuk janë e njëjta gjë. Kryeministri ushtron kompetencat që i njeh Kushtetuta. Partia Socialiste, nga ana tjetër, ka organet, rregullat dhe përgjegjësinë e saj për të diskutuar, orientuar dhe vlerësuar drejtimin politik të qeverisjes. Prandaj, pyetja nuk është nëse kryeministri duhet të marrë autorizimin e partisë për çdo emërim. Pyetja është nëse Asambleja dhe Kryesia po ushtrojnë realisht përgjegjësinë e tyre politike.
A diskutojnë ato për drejtimin e qeverisjes? A shqyrtojnë kriteret e përfaqësimit politik? A kërkojnë llogari për vendimet dhe rezultatet? Apo thirren kryesisht për t’u njohur me vendime që tashmë janë marrë? Nëse organet drejtuese nuk marrin pjesë realisht në formimin e vullnetit politik, por vetëm informohen për vendimmarrjen e kryetarit, atëherë ato nuk e ushtrojnë funksionin për të cilin ekzistojnë.
Grupi Parlamentar dhe përfaqësimi politik
E njëjta çështje shtrohet për Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste. Kush i përzgjedh kandidatët për deputetë? Mbi çfarë kriteresh politike, profesionale dhe përfaqësuese? Sa peshë kanë kontributi në parti, integriteti, përvoja dhe besimi që gëzojnë në komunitetet e tyre? Sa ndikim kanë anëtarësia dhe strukturat socialiste në këtë proces? A përfaqëson Grupi Parlamentar sot pluralitetin e mendimit politik brenda Partisë Socialiste, apo përbërja dhe drejtimi i tij varen gjithnjë e më shumë nga vullneti i një individi?
A është ky Grupi Parlamentar që përfaqëson vërtet Partinë Socialiste, historinë e saj, vlerat, traditën e debatit dhe kontributin e brezave të socialistëve? Apo është shndërruar në një grup njerëzish të mbledhur për të votuar vendime që merren diku tjetër, pa diskutuar, pa kundërshtuar dhe pa ushtruar përgjegjësinë politike që u buron nga mandati i tyre?
Partia Socialiste nuk ka qenë kurrë thjesht një makineri votash. Ajo ka qenë një bashkësi politike idesh, personalitetesh dhe bindjesh. Një grup parlamentar që humbet aftësinë për të debatuar, rrezikon të humbasë edhe aftësinë për të përfaqësuar. Deputetët nuk janë nëpunës të emëruar nga kryetari i partisë apo nga kryeministri. Ata janë përfaqësues të popullit, të zgjedhur përmes një procesi kushtetues dhe zgjedhor, me mandat përfaqësues dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Besnikëria ndaj programit politik nuk mund të kërkojë dorëzimin e lirisë së mendimit dhe të gjykimit të pavarur. Disiplina politike është e nevojshme për funksionimin e një shumice parlamentare. Por ajo nuk mund të shndërrohet në bindje të pakushtëzuar personale. Kur një deputet nuk guxon të kundërshtojë, kur mendimi ndryshe trajtohet si mosbindje dhe kur qëndrimi publik për një koleg bëhet shkak për presion nga drejtimi politik, atëherë vihet në diskutim ushtrimi real i mandatit përfaqësues. Deputeti duhet ta ushtrojë mandatin në përputhje me Kushtetutën, ndërgjegjen dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve, jo nën frikën se një qëndrim i pavarur mund t’i kushtojë të ardhmen politike.
Kur Grupi Parlamentar humbet aftësinë për të diskutuar, për të kontrolluar dhe për të kërkuar llogari, nuk dobësohet vetëm demokracia e brendshme e partisë. Dobësohet edhe funksioni kushtetues i Kuvendit si institucion përfaqësues dhe kontrollues i pushtetit ekzekutiv. Pasojat e kësaj mënyre drejtimi nuk mbeten vetëm brenda partisë apo Kuvendit. Ato shfaqen edhe në marrëdhënien ndërmjet pushtetit qendror dhe pushtetit vendor.
Pushteti vendor dhe autonomia e institucioneve
Zhvillimet në pushtetin vendor e bëjnë edhe më të rëndësishëm këtë diskutim. Në korrik 2025 u njoftuan ndryshime të gjera në drejtimin e administratës së Bashkisë Vlorë, përfshirë dorëheqje të drejtuesve dhe hapjen e vendeve vakante. Këto dorëheqje u kërkuan nga kryeministri Edi Rama dhe presioni i tij politik bëri që një pjesë e drejtuesve të largoheshin, edhe pse gëzonin mbrojtje ligjore në ushtrimin e detyrës.
E njëjta sjellje u shfaq edhe në Bashkinë e Tiranës. Gjatë paraburgimit tim, drejtimi i përditshëm i bashkisë vazhdoi në rrethana të jashtëzakonshme. Unë kam tashmë bindjen se ndryshimet e personelit dhe mënyra e administrimit janë përdorur, më shumë se për qytetin, për të dobësuar ndikimin tim politik dhe për të larguar bashkëpunëtorë me të cilët kemi punuar për vite. Ndërhyrja e kryeministrit në shkarkimet në bashki, e bëri administratën më pak funksionale dhe e largoi atë nga vizioni i kryetarit të zgjedhur drejtpërdrejt me votë, duke zgjeruar ndikimin politik dhe marrëdhëniet klienteliste.
Por ndërhyrja më e rëndë ndaj mandatit tim nuk u kufizua te ndryshimet në administratë. Në shtator 2025, Këshilli Bashkiak, nën presionin e drejtpërdrejtë të Edi Ramës, propozoi shkarkimin tim. Më pas, Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e tij, miratoi vendimin për shkarkimin tim nga detyra. Unë e konsideroj këtë një përpjekje për ndërprerjen e mandatit tim për qëllime politike, përmes përdorimit antikushtetues të institucioneve shtetërore. E kundërshtova këtë vendimmarrje në Gjykatën Kushtetuese. Me vendimin nr. 66, datë 3 nëntor 2025, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e Këshillit të Ministrave si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Ky është një fakt juridik i qartë.
Por ai kërkon edhe shqyrtimin e përgjegjësisë institucionale dhe politike: përse u ndërmor një procedurë që përfundoi me shfuqizimin kushtetues të shkarkimit të një kryetari bashkie të zgjedhur drejtpërdrejt? Unë kam shprehur bindjen, tashmë edhe në Strasburg, se pas përpjekjes për shkarkimin tim ka ekzistuar një qëllim për neutralizimin tim politik. Këtë bindje e lidh me një sërë zhvillimesh: protestat e opozitës përpara bashkisë, kallëzimet anonime, shkeljet e prokurorisë dhe vendimmarrjet gjyqësore për vijimin e paraburgimit edhe pas 21 muajsh, ndërthurjen e tyre me veprime politike që kanë tentuar largimin tim nga ushtrimi i funksioneve dhe kufizimin e marrëdhënieve të mia politike, duke ushqyer perceptimin publik mbi fundin politik të një të pafajshmi, siç Kushtetuta jonë e prezumon.
Këto veprime politike kulmuan menjëherë pas qëndrimeve të mia publike dhe refuzimit për t’ia dorëzuar mandatin e qytetarëve një njeriu që nuk e ka marrë atë me votë, me atë që unë e konsideroj rrëmbimin tim nga Durrësi në Fier, pa më vënë në dispozicion asnjë akt të shkruar. Më pas erdhi takimi me Ministrin e Drejtësisë, gjatë të cilit, siç kam deklaruar, m’u përcollën në emër të Edi Ramës kërcënime për rëndimin e pozitës sime penale dhe përkeqësimin e kushteve të paraburgimit, nëse nuk jepja dorëheqjen nga funksioni për të cilin më kanë zgjedhur qytetarët. Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë situatë është se, pas këtyre kërcënimeve, ato po provohen me veprime konkrete ku pengohem në marrjen e kujdesit mjekësor: nuk më mundësohet ekzaminimi i nevojshëm për të vlerësuar gjendjen e këmbës sime të thyer dhe për pasojë, as ndërhyrja kirurgjikale që mund të rezultojë e domosdoshme. Kjo nuk është ankesë, por konstatim politik. Nëse kushtet e paraburgimit dhe e drejta për kujdes shëndetësor përdoren për të imponuar një dorëheqje politike, atëherë kemi të bëjmë me një inkuizicion politik.
Këto janë pretendime jashtëzakonisht serioze, të cilat ia kam paraqitur për shqyrtim dhe verifikim Grupit tonë Parlamentar, duke kërkuar edhe ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Nuk kam kërkuar që Partia Socialiste të zëvendësojë organet e drejtësisë. Por ajo nuk mund të shmangë përgjegjësinë politike për të shqyrtuar veprimet që prekin mandatin e një të zgjedhuri të saj dhe mënyrën se si ushtrohet pushteti në emër të saj.
Mendimi ndryshe dhe solidariteti politik
A jemi sot më demokratikë dhe a kemi më shumë solidaritet? Demokracia e brendshme dhe solidariteti nuk janë thjesht vlera morale, por dy burime themelore të forcës së një organizate politike. Demokracia i jep partisë aftësinë të dëgjojë, të debatojë dhe të korrigjojë gabimet, ndërsa solidariteti krijon besimin dhe kohezionin e nevojshëm për të vepruar së bashku.
Kur mendimi ndryshe trajtohet si mosbindje dhe kritika si kërcënim, partia humbet aftësinë për të reflektuar. Një deputet duhet të jetë i lirë të shprehë mendimin e tij. Një anëtar i Kryesisë duhet të ketë guximin të kundërshtojë. Një anëtar i Asamblesë duhet të ketë autoritetin të kërkojë llogari. Një socialist duhet të vlerësohet për kontributin dhe bindjet e tij, jo për shkallën e bindjes ndaj drejtuesit. Solidariteti nuk është mbrojtje e pakushtëzuar e individëve, por besnikëri ndaj parimeve dhe përgjegjësi për njëri-tjetrin. Një parti ku secili hesht për të mbrojtur veten, gradualisht humbet aftësinë për të mbrojtur interesin e përbashkët.
Një parti pa demokraci të brendshme humbet aftësinë për t’u korrigjuar; një parti pa solidaritet humbet forcën për të qëndruar e bashkuar. Kur mungojnë të dyja, mbetet pushteti, por organizata politike jo.
PËRGJEGJËSIA PËR GJENDJEN E PARTISË SOCIALISTE
Të gjitha çështjet që kam ngritur na çojnë te një pyetje që nuk mund të shmanget: kush mban përgjegjësi për mënyrën se si drejtohet sot Partia Socialiste?
Përgjegjësia politike nuk mund të shpërndahet në mënyrë të tillë që, në fund, të mos mbetet askush përgjegjës. Edi Rama është njëkohësisht kryeministër dhe kryetar i Partisë Socialiste. Ai ka drejtuar për vite të tëra proceset kryesore politike dhe organizative të saj. Për këtë arsye, përgjegjësia kryesore politike për modelin e drejtimit të partisë, për funksionimin e organeve të saj dhe për mekanizmat e llogaridhënies i takon atij. Kjo nuk përjashton përgjegjësinë e askujt tjetër.
Edhe unë kam përgjegjësinë time për vendimet që kam marrë, për gabimet që mund të kem bërë dhe për mënyrën se si kam ushtruar funksionet që më janë besuar. Nuk kërkoj përjashtim nga ky standard. Por përgjegjësia ime dhe e drejtuesve të tjerë nuk mund të shërbejë si arsye për të shmangur shqyrtimin e përgjegjësisë së kryetarit të partisë.
Ai ka të drejtë të marrë meritat për arritjet e drejtimit të tij. Por kjo e drejtë shoqërohet me detyrimin për të dhënë llogari edhe për pasojat e vendimeve, për dobësimin e kontrollit të brendshëm dhe për mënyrën se si janë trajtuar kundërshtimet politike. Në këtë kuadër, unë e konsideroj rastin tim kulmin e degradimit të marrëdhënieve politike brenda Partisë Socialiste.
Në parashtrimet e mia përpara Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut kam ngritur pretendimin se pas paraburgimit dhe zhvillimeve të tjera që më kanë larguar nga ushtrimi i funksioneve ekziston edhe një qëllim politik për neutralizimin tim. Nuk kërkoj që Asambleja të marrë rolin e një forumi gjyqësor. Por kërkoj që ajo të shqyrtojë domethënien institucionale të një situate në të cilën një drejtues i zgjedhur, anëtar i organeve më të larta të partisë, ngre pretendime kaq serioze për ndërhyrje politike dhe për përpjekje për ta larguar nga jeta publike.
Për mua, këtu lind edhe një pyetje historike. Partia Socialiste u krijua në një periudhë kur Shqipëria kërkonte të shkëputej nga praktikat e një sistemi ku kundërshtimi politik trajtohej si armiqësi dhe ku pushteti përqendrohej pa kontroll demokratik. A i jemi kthyer kësaj kulture politike që shfaqet përsëri në marrëdhëniet tona me pushtetin dhe me njëri-tjetrin?
Historia e Partisë Socialiste është më e gjatë se drejtimi i çdo kryetari. Ajo nuk mund të identifikohet me interesin politik të një individi dhe as me vazhdimësinë personale të askujt në pushtet. Prandaj, debati për përgjegjësinë e Edi Ramës nuk duhet të kufizohet te marrëdhënia e tij me mua, sado e rëndë të jetë ajo. Ai duhet të përfshijë mënyrën se si funksionon Kryesia, rolin real të Asamblesë, lirinë e mendimit në Grupin Parlamentar, përzgjedhjen e drejtuesve, marrëdhënien me anëtarësinë dhe respektimin e autonomisë së institucioneve.
Sepse pasojat e një modeli drejtimi nuk mbeten vetëm brenda partisë. Kur meritokracia dobësohet, dobësohet administrata. Kur vendimmarrja përqendrohet, dobësohet kontrolli. Kur mendimi kritik nuk dëgjohet, gabimet nuk korrigjohen. Kur institucionet perceptohen si të varura nga marrëdhëniet personale, dobësohet besimi i qytetarëve te shteti. Kur anëtarësia nuk merr pjesë realisht në vendimmarrje, dobësohet lidhja ndërmjet partisë dhe shoqërisë.
Për këtë arsye, kërkimi i përgjegjësisë politike nuk duhet të konsiderohet sulm ndaj partisë por ndaj sëmundjes që i kanë injektuar. Asnjë drejtues nuk mund të jetë i përjashtuar nga llogaridhënia për shkak të kontributit të tij historik. Asnjë arritje e së kaluarës nuk e shuan detyrimin për të shqyrtuar problemet e së tashmes. Asnjë konflikt personal nuk duhet të pengojë një debat të nevojshëm për mënyrën se si funksionon Partia Socialiste.
Respektimi i historisë së Partisë Socialiste nuk kërkon heshtje përballë problemeve të saj. Kërkon aftësinë për t’i identifikuar, për t’i shqyrtuar dhe për t’i korrigjuar përmes institucioneve të saj demokratike.
A KEMI ENDE MUNDËSI TË NDRYSHOJMË?
Unë besoj se Partia Socialiste e ka potencialin për të ndryshuar. Ka njerëzit, historinë, përvojën dhe energjinë për t’u ringritur. Por, sipas gjykimit tim, ky ndryshim nuk mund të realizohet pa ndryshuar më parë modelin e drejtimit dhe kryetarin që e ka ndërtuar atë.
Edi Rama ka qenë një reformator i rëndësishëm i Partisë Socialiste. Por unë besoj se sot ai është kthyer në pengesën kryesore për reformimin e saj. Nuk mund të presim që një sistem i përqendruar te vullneti i një individi të korrigjohet vetëm nga vullneti i po atij individi. Nuk mund të kërkojmë demokraci të brendshme nga një model që e ka dobësuar atë; meritokraci nga një mënyrë drejtimi që ka favorizuar besnikërinë personale; apo institucione të pavarura nga një praktikë që e ka përqendruar vendimmarrjen.
Shembulli më i fundit është “Prania Besnike”. Përballë pakënaqësisë qytetare dhe nevojës së ethshme për ndryshim, përgjigjja ishte sërish një nismë e hartuar nga kryetari, jo nga forumet e Partisë Socialiste, pa debat, pa votim dhe pa një miratim real nga organet e saj. Një instrument që ia ngarkon Partisë Socialiste përgjegjësinë për të zgjidhur një problem për të cilin ajo nuk është përgjegjëse, sepse nuk është dëgjuar. Një problem që është shkaktuar nga institucionet shtetërore që nuk u përgjigjen qytetarëve. Sepse drejtuesit e këtyre institucioneve nuk janë përzgjedhur përmes një procesi politik që pasqyron ndjeshmërinë, vlerat dhe vullnetin e socialistëve, por përmes emërimeve klienteliste, jashtë vendimmarrjes së forumeve të partisë dhe brenda një sistemi marrëdhëniesh që i shërben ruajtjes së pushtetit.
Pra, partia nuk pyetet kur merren vendimet, por thirret të mbajë përgjegjësi kur ato dështojnë. Nuk vendos për njerëzit që qeverisin, por duhet të dalë përpara qytetarëve për të mbrojtur pasojat e qeverisjes së tyre. Ja ky është përdorim i grushtit dhe trëndafilit të Partisë Socialiste për interesa që nuk kanë asgjë të përbashkët as me grushtin, si simbol i forcës sonë kolektive, as me trëndafilin, si simbol i vlerave tona socialiste.
Përgjigjja ime është jo. Pa ndryshimin e kryetarit dhe të modelit të drejtimit që ai përfaqëson, nuk besoj se mund të ketë një reformim të vërtetë të Partisë Socialiste.
PËRGJEGJËSIA E ASAMBLESË KOMBËTARE
Përgjegjësia politike nuk mund të mbetet një diskutim pa përfundim dhe pa pasoja institucionale. Për këtë arsye, në cilësinë time si anëtar i Asamblesë Kombëtare dhe i Kryesisë së Partisë Socialiste, kërkoj që kjo Asamble të shqyrtojë formalisht përgjegjësinë politike të kryetarit të partisë, Edi Rama, për mënyrën e drejtimit të saj, funksionimin e organeve kolegjiale dhe respektimin e parimeve të demokracisë së brendshme.
Kërkoj që të ndërmerren veprimet e nevojshme për aktivizimin e procedurës statutore të mocionit të mosbesimit ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, në përputhje me Statutin dhe me rregullat përkatëse të zbatimit të tij. Kërkoj që organet përgjegjëse të bëjnë të njohur procedurën, afatet dhe mënyrën e ushtrimit të kësaj të drejte, në mënyrë që anëtarët e Partisë Socialiste të kenë mundësi të shprehen sipas Statutit.
Besimi ndaj kryetarit të partisë nuk mund të konsiderohet i pakufizuar vetëm sepse ai ka drejtuar fitore të rëndësishme elektorale. Ai është një marrëdhënie përgjegjësie politike, e cila duhet t’i nënshtrohet mekanizmave demokratikë të kontrollit që parashikon vetë Statuti.
Nuk kërkoj që një çështje e tillë të zgjidhet me përjashtime, presione apo vendime të paracaktuara. Kërkoj që ajo të shqyrtohet përmes procedurës së rregullt statutore, me debat të hapur, me respekt për mendimin ndryshe dhe me mundësi të barabarta për të gjithë anëtarët që kanë të drejtë të marrin pjesë. Vendimmarrja mbi besimin ndaj kryetarit duhet të jetë rezultat i një procesi demokratik, jo i autoritetit personal të cilit i kërkohet llogari. Partia Socialiste ka institucione, rregulla dhe anëtarësi. Pikërisht këtyre duhet t’u besohet zgjidhja e çështjeve që lidhen me drejtimin e saj.
Të dashura shoqe dhe shokë,
Kam pasur 21 muaj kohë për të menduar për politikën, pushtetin, miqësinë, besnikërinë dhe përgjegjësinë. Kam menduar për gjithçka kemi ndërtuar së bashku. Për fitoret, për gabimet dhe për njerëzit që na kanë besuar. Kam menduar edhe për një të vërtetë që pushteti shpesh na e bën të vështirë ta pranojmë: askush nuk është i pazëvendësueshëm.
As unë. As Edi Rama. Askush. Ne jemi të përkohshëm në detyrat që mbajmë. Por institucionet, vlerat dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve duhet të mbeten.
Kërkoj që askush të mos heqë dorë nga e drejta për të menduar, për të folur dhe për të gjykuar në mënyrë të pavarur. Unë mbetem përgjegjës për vendimet e mia dhe do të kërkoj që çdo drejtues të përballet me të njëjtin standard përgjegjësie.
Një parti demokratike nuk është pronë e kryetarit të saj sot. Nuk është as pronë e atyre që aspirojnë ta drejtojnë nesër. Ajo u përket njerëzve që e kanë ndërtuar, që i kanë besuar dhe që kanë të drejtë të kërkojnë llogari prej saj.
Historia e Partisë Socialiste është më e gjatë se mandati i çdo kryetari. E ardhmja e saj nuk mund të mbështetet te paprekshmëria e askujt.
Nëse duam që institucionet e Shqipërisë të jenë më të forta se njerëzit që i drejtojnë, duhet të fillojmë duke zbatuar të njëjtin parim brenda partisë sonë.
Prova e vërtetë e një drejtuesi nuk është sa gjatë arrin ta mbajë pushtetin, por çfarë institucionesh lë pas, për shtetin dhe njerëzit e tij.
Erion VELIAJ
IEVP FIER, 13/11/2026.