
Ushtria ukrainase ka njoftuar se ka rimarrë kontrollin e 26 vendbanimeve në zonën e Oleksandrivkës, në juglindje të Ukrainës, pas një operacioni ushtarak që ka zgjatur më shumë se gjashtë muaj.
Sipas autoriteteve ukrainase, 12 prej vendbanimeve ndodhen në rajonin e Dnipropetrovskut, 10 në rajonin e Donetskut dhe katër në rajonin e Zaporizhzhias.
Kievi thotë se kundërofensiva në drejtim të Oleksandrivkës kishte për qëllim të ndalte ofensivën ruse të pranverës dhe verës dhe të largonte trupat ruse nga rajoni i Dnipropetrovskut. Rusia synonte ta përdorte këtë zonë si një lloj zone tampon.
Sipas komandës së Forcave Sulmuese Ajrore të Ukrainës, trupat ukrainase kanë rimarrë më shumë se 745 kilometra katrorë territor. Instituti për Studimin e Luftës (ISW), i cili monitoron zhvillimet në terren përmes të dhënave dhe hartave të burimeve të hapura, e vlerëson territorin e rimarrë në rreth 627 kilometra katrorë. ISW thekson se kjo shifër mund të jetë më e ulët se përparimi real i forcave ukrainase.
Sipas analistëve të ISW, operacioni tregon se Ukraina është ende në gjendje të zhvillojë kundërsulme të koordinuara dhe të përdorë mjete të blinduara, pavarësisht se lufta prej më shumë se katër vitesh është karakterizuar kryesisht nga beteja të gjata dhe përparime të ngadalta.
ISW e lidh suksesin ukrainas me përmirësimin e planifikimit ushtarak, sulmet ndaj sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore, goditjet ndaj linjave të furnizimit dhe përdorimin më të avancuar të dronëve në fushën e betejës.
Analistët thonë gjithashtu se ndërprerja e lidhjes Starlink për njësitë ruse që vepronin në Ukrainë më 1 shkurt ndikoi në aftësinë e tyre për të komunikuar dhe koordinuar operacionet.
Luftimet në zonën e Oleksandrivkës kanë ndikuar edhe në pjesë të tjera të frontit. Sipas ISW, Rusia është detyruar të zgjedhë mes forcimit të mbrojtjes në këtë zonë dhe dërgimit të trupave e pajisjeve në zona të tjera ku po zhvillon ofensiva.
Për të njëjtën periudhë prej rreth gjashtë muajsh e gjysmë, ISW vlerëson se forcat ruse kanë humbur rreth 234 kilometra katrorë territor në të gjithë vijën e frontit, ndërsa kanë arritur të marrin ose depërtojnë në rreth 383 kilometra katrorë territor të ri.
Sipas institutit, këto shifra e bëjnë përparimin e Ukrainës në zonën e Oleksandrivkës veçanërisht të rëndësishëm në një luftë ku ndryshimet territoriale kanë qenë përgjithësisht të ngadalta.