
Këshilli Bashkiak i Bashkisë Divjakë zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme për të kundërshtuar shkrirjen e bashkisë, të parashikuar nga Partia Socialiste në ndarjen e re territoriale.
Këshilltarët ngritën një grup pune për dëgjesa me 5 njësi administrative, ndërsa kryetari i Bashkisë së Divjakës, Josif Gorrea, deklaroi se nuk ka qenë i informuar për shkrirjen e bashkisë, pasi më herët përfaqësues të PS-së i kishin thënë se në Qarkun Fier nuk do të ketë ndryshime.
Këshilli Bashkiak i Divjakës, njëzëri, ka kundërshtuar shkrirjen e bashkisë, që parashikon propozimi i mazhorancës socialiste, duke miratuar edhe një tur dëgjesash në njësitë administrative përgjatë dy muajve, ndërsa rezultatet do t’i dërgohen në fund Kuvendit.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të këshillit, këshilltarët kërkuan që Divjaka të vijojë të mbetet bashki dhe paraqitën argumentet kundër bashkimit me Bashkinë e Lushnjës, duke vënë në pah edhe standardet e dyfishta të ndjekura nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste në propozimet për ndarjen e re territoriale.
Këshilltarët i kërkuan kryetarit të Bashkisë së Divjakës, Josif Gorrea, të tregojë çfarë ndodhi në mbledhjen që kryeministri Edi Rama zhvilloi me fokus reformën territoriale. Gorrea, i cili u shpreh kundër shkrirjes së Bashkisë Divjakë, i cilësoi si të pasakta shifrat e bashkëkryetarit socialist të komisionit, Arbjan Mazniku, ndërsa theksoi se nuk ka marrë përgjigje se çfarë fitojnë qytetarët nga kjo ndarje territoriale.
Në mbledhje u vendos ngritja e një komisioni me 7 anëtarë, që do të organizojë dëgjesa në njësitë administrative Divjakë, Tërbuf, Grabjan, Gradishtë dhe Remas.