
Një shpërthim i fuqishëm është shënuar mëngjesin e kësaj të premteje në një ndërtesë dykatëshe në Plaka të Athinës. Sipas mediave, bëhet fjalë për një ndërtesë të vjetër përballë Kolonave të Zeusit Olimpian, ndërsa një kalimtar është plagosur lehtë. Zjarrfikësit shpëtuan dy gra nga një ndërtesë ngjitur.
Njëra prej tyre është e moshuar, ndërsa të dyja u transferuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore. “Menduam se kishte shpërthyer ndonjë bombë”, thanë fqinjët, të cilët dolën me vrap në rrugë të tmerruar nga shpërthimi. Shkaqet e shpërthimit nuk dihen ende, megjithatë, provat fillestare tregojnë se ishte një rrjedhje gazi.