
Gazetari Lorin Kadiu, drejtues i Citizens.al, u godit në këmbë me një bombolë gazi lotsjellës ndërsa mbulonte protestën e 28 nëntorit në Tiranë. Sipas dëshmisë së tij, policia qëlloi në drejtim të tij nga rreth pesë metra, pranë Urës së Tajvanit.
Në çastin e goditjes, Kadiu po fotografonte një qytetar që, sipas tij, sapo ishte goditur në kokë me një bombolë gazi. Pak sekonda më vonë, një tjetër bombolë e goditi gazetarin në këmbë.
Kadiu mbante kartën e identifikimit të medias në momentin që u qëllua dhe një helmetë me shënimin “PRESS”. Më herët uji me presion i policisë qëlloi grupin e xhirimit të Syri tv duke dëmtuar gazetarin Elkier Bushkolaj dhe operatorin Ardian Muka.