
Saga ligjore mes Blake Lively dhe Justin Baldoni ka sjellë një tjetër padi, këtë herë nga një gazetar që u përfshi në betejën mes dy aktorëve.
James Vituscka, ish-reporter i Daily Mail, ka ngritur padi ndaj ish-punëdhënësit të tij, duke pretenduar se u pushua nga puna pasi u përfshi në çështjen ligjore mes Lively dhe Baldonit.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Page Six, Vituscka u përfshi në këtë çështje pasi kishte diskutuar konfliktin rreth filmit It Ends With Us me publicisten e vjetër të Blake Lively dhe me përfaqësues të Justin Baldonit.
Gazetari pretendon se, pasi mesazhet e tij u përdorën në dokumentet gjyqësore, ai kërkoi të kishte përfaqësim të pavarur ligjor. Megjithatë, sipas padisë, Daily Mail e dekurajoi që ta bënte këtë.
Vituscka pretendon se gazeta i “ushtroi presion” për të nënshkruar një deklaratë me formulime me të cilat ai nuk ishte dakord, përfshirë një pjesë ku shprehej se “i vinte keq” për veprimet që çuan në përfshirjen e tij në çështje.
James, i cili e dorëzoi padinë të hënën në Gjykatën Supreme të Manhattanit, akuzon ish-punëdhënësin për hakmarrje , diskriminim për shkak të gjinisë dhe aftësisë së kufizuar, ngacmim seksual, ndërhyrje në të drejtat e mbrojtura dhe pushim të padrejtë nga puna. Ai kërkon dëmshpërblim për pagat e humbura, dëmin emocional dhe dëme ndëshkuese.
Sipas padisë, Vituscka po mbulonte si reporter i lartë i Daily Mail konfliktin rreth It Ends With Us. Ai pretendon se në gusht 2024, publicistja e Lively, Leslie Sloane, i kishte thënë se Baldoni ishte shkaku i tensioneve në sheshxhirim, por nuk i kishte thënë se ai kishte ngacmuar apo sulmuar seksualisht Lively.
Pasi Lively paraqiti një ankesë për ngacmim seksual kundër Baldonit në dhjetor 2024, Vituscka pretendon se i dërgoi mesazh Melissa Nathan, menaxheres së krizave të marrëdhënieve me publikun të Baldonit, për të pyetur rreth mospërputhjes.
Në një prej mesazheve, gazetari përdori gabimisht shprehjen “sulm seksual” në vend të “ngacmim seksual”, por pretendon se më pas sqaroi se Sloane nuk i kishte thënë kurrë se kishte pasur ngacmim seksual.
Mesazhet e tij u përfshinë më vonë në dokumentet ligjore të Baldonit, duke e futur gazetarin në qendër të betejës ligjore. Vituscka pretendon se fjalët e tij u shkëputën nga konteksti dhe se më pas ai u thirr për të dorëzuar dokumente dhe për të dëshmuar.
Ai pretendon gjithashtu se Daily Mail ndryshoi mënyrën se si mbikëqyrej puna e tij dhe më pas e pushoi nga puna në qershor 2025. Në një deklaratë, Vituscka tha se ishte bërë gazetar për të kërkuar të vërtetën dhe se kishte kaluar dy dekada duke ndërtuar karrierën e tij mbi raportimin etik, integritetin dhe punën e palodhur.
“Kjo padi ka të bëjë me përgjegjësinë dhe mbrojtjen e parimit bazë se gazetarët nuk duhet të ndëshkohen për mbrojtjen e integritetit të tyre”, u shpreh ai.