
Këngëtari i njohur amerikan Usher ka reaguar ndaj thashethemeve që qarkulluan në rrjetet sociale se ai kishte përdorur një sozi ose një person që i ngjan për ta zëvendësuar gjatë disa prej koncerteve të fundit.
Thashethemet nisën të përhapen me shpejtësi në rrjet pas një performance të Usher në stadiumin MetLife në New Jersey, më 7 gusht, ku disa fansa pretenduan se këngëtari dukej ndryshe dhe “i panjohur”.
Në videot që u bënë virale, Usher shfaqet në skenë me kapele dhe syze, gjë që bëri që disa përdorues të dyshonin se personi në skenë nuk ishte këngëtari i vërtetë.
“Usher, nuk mund ta mashtroni Nju Jorkun. Ky nuk je ti, vëlla. Dua paratë e mia mbrapsht”, shkroi një përdorues në X, në një postim që grumbulloi më shumë se 4 milionë shikime.
Një tjetër përdorues në TikTok shkroi mbi videon e koncertit: “Usher, pse na e bëre këtë mbrëmë?”, ndërsa në koment shtoi se këngëtari “kishte dërguar sozin e tij”.
Përballë këtyre pretendimeve, 47-vjeçari reagoi me humor përmes Instagramit. Në një postim të publikuar të dielën, më 9 gusht, Usher iu përgjigj drejtpërdrejt komenteve për një “klon”.
“Ju jeni shumë qesharakë… klon? Ata nuk mund të klonojnë këtë?”, shkroi ai, duke shoqëruar reagimin me emoji.
Në një tjetër koment, këngëtari pyeti me shaka: “Si arrini në këto përfundime?”, ndërsa më pas shtoi: “AI nuk është aq i avancuar.”
Thashethemet u përhapën pasi disa fansa vunë në dukje ndryshime në pamjen e Usher gjatë performancës në New Jersey. Të tjerë, megjithatë, argumentuan se pamja e tij ishte e vështirë për t'u dalluar për shkak të kapelës dhe syzeve.
Usher aktualisht është në turne së bashku me Chris Brown. “R&B Tour” nisi në qershor dhe do të vijojë deri në dhjetor, me koncerte në qytete të ndryshme të Amerikës së Veriut.