
Shkencëtarët kanë përdorur teleskopin diellor më të fuqishëm në botë dhe kanë kapur imazhe të reja mahnitëse të sipërfaqes së Diellit me detaje të papara. Vëzhgimet zbulojnë për herë të parë vorbulla gjigante plazme rrotulluese që luajnë një rol kyç në krijimin e të ashtuquajturit mot hapësinor.
Gjetjet, të botuara në revistën shkencore “Nature, u bënë të mundura nga Teleskopi Diellor Inouye, i cili ndodhet në ishullin Maui, Haëaii. Kushtet atmosferike jashtëzakonisht të pastra të rajonit u lejojnë shkencëtarëve të vëzhgojnë Diellin me një rezolucion që më parë ishte i pamundur.
Imazhet dhe videot kanë fiksuar vorbulla plazme të nxehtë në sipërfaqen e Diellit. Këto lëvizje shtrembërojnë dhe rrotullojnë fushën magnetike të yllit, duke grumbulluar sasi të mëdha energjie magnetike.
Scientists using the world's most powerful solar telescope have captured "whirlpools" of activity on the surface of our Sun that has not been possible to see before. pic.twitter.com/NItza2xTYO
— Black Hole (@konstructivizm) August 5, 2026
"Dielli është burimi i gjithë kësaj energjie dhe moti hapësinor. Për të qenë në gjendje t'i parashikojmë këto fenomene më saktë një ditë, duhet ta kuptojmë fizikën e tij deri në shkallët më të vogla", - tha Dr. David Boboltz i Observatorit Kombëtar Diellor (NSO) të Shteteve të Bashkuara.
Shkencëtarët vunë re një fenomen fizik të njohur si paqëndrueshmëria “Kelvin-Helmholtz”, e cila ndodh kur dy shtresa lëngu lëvizin me shpejtësi të ndryshme, duke krijuar vorbulla spirale. Një fenomen i ngjashëm gjendet edhe në oqeane, ku valëzime të vogla mund të zhvillohen në valë të mëdha dhe të fuqishme.
Në rastin e Diellit, këto vorbulla prodhojnë energji magnetike, e cila grumbullohet në shtresat e sipërme të atmosferës diellore. Kur kjo energji çlirohet, ajo shkakton shpërthime të fuqishme diellore.

"Këto lëvizje rrotulluese krijojnë energji magnetike, e cila mund të çojë në shpërthime të mëdha", shpjegoi astronomi i NSO-së, Dr. David Kuridze.
Këto fenomene janë shkaku kryesor i motit hapësinor, i cili mund të ndikojë në komunikimet satelitore, sistemet GPS, rrjetet e energjisë dhe infrastrukturën tjetër kritike në Tokë, ndërsa gjithashtu mund të rrisë potencialisht rreziqet për astronautët në hapësirë.
Sipas Dr. Friedrich Ëoeger, zbulimi i ndihmon shkencëtarët të kuptojnë më mirë jo vetëm mekanizmat që shkaktojnë motin hapësinor, por edhe një nga misteret më të mëdha të fizikës diellore: pse shtresat e sipërme të atmosferës së Diellit janë shumë më të nxehta se sipërfaqja e tij e dukshme.
Siç shpjegoi ai, vëzhgimet tregojnë se si energjia transferohet nga sipërfaqja në shtresat e sipërme të atmosferës diellore, ku më në fund lirohet në formën e fenomeneve shpërthyese.
Studiuesit vlerësojnë se një kuptim më i mirë i këtyre proceseve do të çojë në modele më të besueshme për parashikimin e aktivitetit diellor në të ardhmen, duke lejuar mbrojtjen në kohë të satelitëve, sistemeve të telekomunikacionit, rrjeteve të energjisë dhe misioneve hapësinore.
Në të njëjtën kohë, siç vëren Dr. Boboltz, Dielli mbetet një laborator unik natyror për të kuptuar ligjet themelore të fizikës.
"Është ylli më i afërt me ne dhe na ndihmon të kuptojmë ligjet themelore të natyrës. Konfirmimi i parë eksperimental i Teorisë së Përgjithshme të Relativitetit të Ajnshtajnit erdhi nga vëzhgimet e një eklipsi diellor. Vetëm për përparimin e njohurive njerëzore, ia vlen të kryhen kërkime të tilla shkencore", përfundoi ai. ©LAPSI.al