
Për të katërtin vit radhazi, industria e prodhimit të këpucëve po humbet terren. Ky segment, ku veprojnë disa nga sipërmarrjet më të mëdha që punojnë me material porositësi, është goditur nga euroja e dobët, mungesa e punonjësve, rritja e pagave dhe largimi i porosive drejt vendeve më të lira.
Rënia e euros ka ulur ndjeshëm të ardhurat e eksportuesve në lekë. Kontratat paguhen kryesisht në monedhën europiane, ndërsa pjesa më e madhe e kostove mbulohet në lekë. Sa më e dobët euroja, aq më pak të ardhura mbeten për pagat, energjinë, transportin dhe shpenzimet e tjera.
Mungesa e fuqisë punëtore po kufizon kapacitetet prodhuese. Kompanitë e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë dhe të mbajnë punonjës, duke humbur mundësinë për të marrë më shumë porosi ose për t’i përmbushur ato brenda afateve. Në disa raste, kërkesa ekziston, por fabrikat nuk kanë staf të mjaftueshëm për ta përballuar.
Pagat janë rritur prej vitesh, pasi sipërmarrjet po përpiqen të frenojnë largimin e punonjësve. Presioni u shtua në janar 2026, kur paga minimale arriti në 50 mijë lekë. Për një industri që mbështetet te puna intensive dhe konkurron kryesisht përmes kostos së ulët, çdo rritje page ndikon drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar.
Kjo po i shtyn porositësit, kryesisht italianë, të kërkojnë tregje alternative. Një pjesë e prodhimit po zhvendoset drejt Marokut dhe vendeve të Lindjes së Mesme, ku kostot e punës janë më të ulëta.
Industria e këpucëve është ndër aktivitetet më të lehta për t’u zhvendosur. Fabrikat punojnë sipas porosisë, teknologjia transferohet relativisht shpejt dhe furnitorët nuk lidhen domosdoshmërisht me një vend të vetëm. Sapo prodhimi shtrenjtohet, porositë lëvizin.
Goditja nuk vjen vetëm nga Shqipëria. Kërkesa globale për këpucë dhe veshje është dobësuar, pasi konsumatorët po shpenzojnë më me kujdes. Ngadalësimi ekonomik, lufta në Ukrainë, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe pasiguria e zgjatur kanë ulur porositë për produkte që nuk konsiderohen të domosdoshme.
Eksportuesit shqiptarë ndodhen mes dy presioneve: duhet të përballojnë kosto më të larta në vend dhe njëkohësisht të mbajnë çmime të ulëta për të mos humbur klientët e huaj. Ky kombinim po e mban sektorin në tkurrje dhe po rrit rrezikun që edhe më shumë porosi të largohen nga Shqipëria.
Në vitin 2025, eksportet e tekstileve dhe veshjeve të këmbëve u reduktuan me rreth 1% në vlerë, me një tkurrje të barabartë nga të dy segmentet. Ndërsa në vitin 2025 u arrit që të frenohej disi rënia e dy viteve të mëparshme, në pjesën e parë të 2026-s tendenca është përkeqësuar sërish.
Për periudhën janar –qershor 2026, eksportet e tekstileve e këpucëve ranë përkatësisht me 6.6% dhe 7.3%, me bazë vjetore.
Të dhënat historike afatgjata nga INSTAT-i tregojnë se industria e tekstileve e këpucëve po kalon në krizën më të thellë të saj, me tre vite radhazi me rritje negative, për herë të parë në historinë e trancizionit.
Në vitin 2025, “prodhimi i tekstileve, veshjeve; industria e lëkurës dhe këpucëve” ra me 5%, pas një tkurrjeje prej përkatësisht prej 6.6% dhe 0.8% në vitin 2024 dhe 2023. Tkurrja e dy viteve të fundit është më e thellë dhe se në vitin 2020.
Më herët, sektori kishte kaluar një krizë të përkohshme në 2005-2012, me disa rënie që nuk zgjatën më shumë se një vit, teksa e gjithë industria globale u godit nga prodhimi kinez.
Më pas sektori u përshtat, duke shfrytëzuar avantazhet konkurruese, si afërsia me tregjet e Bashkimit Europian, aftësia për të punuar me porosi të vogla dhe të shpeshta. Industria e këpucëve avancoi dhe në mbylljen e ciklit, ndërsa ajo e tekstileve u përshtat më ngadalë.
Por, tashmë, pas një krize trevjeçare, rënia duket e parikuperueshme.
Në linjë me tkurrjen e aktivitetit, ka rënë dhe numri i të punësuarve. Sipas të dhënave të INSTAT-it për vitin 2024 (të fundit të disponueshme), industria e tekstileve dhe këpucëve punësonte 40 mijë persona, niveli më i ulët në një dekadë (24.6 mijë në industrinë tekstileve dhe 16.2 mijë në atë të veshjeve të këmbëve).
Në krahasim me vitin 2019, kur arriti nivelin më të lartë, punësimi në këtë industri është tkurrur me 15.7 mijë persona, ose 28% më pak, apo gati me një të tretën.
Tkurrja më e madhe ka qenë për industrinë e këpucëve, që ka humbur 9 mijë punonjës, me reduktim prej 35%, ndërsa fabrikat e tekstileve kanë ulur të punësuarit me 21%, ose 6.7 mijë persona më pak.
Të ardhurat e 10 prodhuesve më të mëdhenj të këpucëve bien, rritet barra e shpenzimeve të personelit
Shoqëritë e prodhimit të këpucëve kanë arritur të frenojnë rënien e fortë në vitin 2025, por pjesa më e madhe e tyre kanë vijuar me aktivitet negativ, teksa shpenzimet e personelit rëndojnë kostot.
Sipas të dhënave të bilanceve, të përpunuara nga “Monitor”, qarkullimi vjetor i 10 kompanive më të mëdha në këtë sektor, sipas të ardhurave, ishte 9.8 miliardë lekë, me tkurrje prej 5% në raport me vitin 2024.
Vetëm 3 shoqëri prej tyre arritën të kishin rritje të të ardhurave. Në një sinjal pozitiv, shoqëritë që kanë kaluar në një cikël më të lartë prodhimi, kanë arritur të zgjerojnë aktivitetin.
Prodhuesit e këpucëve janë ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend. Në total, të 10 kompanitë kishin një buxhet për pagat dhe sigurimet e personelit prej 4.9 miliardë lekësh, ose mbi 50 milionë euro.
Shpenzimet e personelit u rritën në 5 nga 10 shoqëritë, ndërsa pjesa më e madhe e tyre raportojnë shkurtim personeli.
Gjashtë prodhuesit më të mëdhenj në vend deklaruan 3785 punonjës në vitin 2025, me tkurrje prej 10% në krahasim me një vit më parë, ose 415 persona më pak. Nga këto, vetëm një kompani (“Prodyn”) deklaroi rritje të stafit.
Sipërmarrjet e prodhimit të këpucëve, me cikël pothuajse të mbyllur, kanë dhe faturim më të lartë dhe kanë qenë gjithmonë pjesë e “Monitor 200”.
Por, në vitin 2025, për të dytin vit radhazi, nuk ka asnjë shoqëri nga ky segment, teksa asnjë nuk ka raportuar të ardhura mbi 2 miliardë lekë.
“Albaco Shoes” mbetet fabrika më e madhe e prodhimit të këpucëve. Të ardhurat e shoqërisë ranë lehtë me rreth 2%, në 1.6 miliardë lekë, pas tkurrjes me 27% në vitin 2024. Sipas raportit të aktivitetit, gjatë vitit 2025, shoqëria “Albaco Shoes” ka pasur ecuri jonormale të aktivitetit të saj.
Faturimet kanë pësuar ulje me rreth 26.35% në krahasim me vitin 2024, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, rënies së kërkesës dhe kursit të këmbimit. Shoqëria thekson se çmimet e faturimit në euro janë rritur, por rënia e kursit të këmbimit ka sjellë ndikim të madh negativ.
Në kahun tjetër, kostot e prodhimit kanë shënuar rritje rreth 16.4% në krahasim me vitin 2024.
Numri i të punësuarve është ulur me rreth 6% në krahasim me vitin 2024, duke zbritur në 1370. Kjo kompani mbetet dhe punëdhënësi më i madh në sektor, me një buxhet pagash prej rreth 1 miliard lekësh, apo mbi 10 milionë euro.
“AlbanDel” është ngjitur për herë të parë si shoqëria e dytë më e madhe në vend e prodhimit të këpucëve. E krijuar në vitin 2009, shoqëria është në pronësi të “Tod’s International B.V.”. Të ardhurat u rritën me 16%, në 1.25 miliardë lekë.
Sipas burimeve zyrtare, rritja e vëllimit të shitjeve ka ardhur si rezultat i shtimit të porosive, pas zbatimit në shtator 2025 të një projekti për rritjen e eficiencës.
Projekti synonte shfrytëzimin e plotë të kapacitetit prodhues dhe krijimin e ekonomive të shkallës.
Kompania raportoi 260 të punësuar, nga 275 vitin e mëparshëm. “Gjatë vitit 2025, qarkullimi i punonjësve arriti në 37.2%, i ndikuar nga rënia e disponueshmërisë së fuqisë së lirë punëtore në sektorin fason në Shqipëri”, thuhet në raportin vjetor.
Shoqëria ushtron aktivitetin vetëm për llogari të të tretëve, konkretisht për “Tod’s S.p.A.”, kompania holding e grupit me të njëjtin emër, që operon në segmentin e produkteve luksoze përmes markave “Tod’s”, “Hogan”, “Fay” dhe “Roger Vivier”. Aktiviteti përfshin faza të ndryshme të përpunimit të lëkurës dhe tekstileve në procesin e prodhimit të pjesëve të sipërme të këpucëve.
“Alba Shoes Group” ka zbritur në prodhuesin e tretë më të madh. Shoqëria raportoi të ardhura prej gati 1.1 miliardë lekësh, me rënie 7%. Aktiviteti i shoqërisë është: Qepje faqe këpucësh për vete dhe të tretë (fason). Shoqëria raporti reduktim të punësuarish, nga 1099 në vitin 2024, në 828 në vitin 2025.
“Protec Shoes” sh.p.k. deklaroi të ardhura prej gati 1.1 miliardë lekësh, me rritje 4% me bazë vjetore. Shoqëria ka aktivitet në prodhim të faqeve të këpucëve e sandaleve, këpucëve të gatshme të të gjitha llojeve. Shoqëria deklaroi 115 punonjës, nga 122 në vitin 2024.
“ProDyn Albania” është kompania me rritjen më të shpejtë në vitin 2025. Të ardhurat u zgjeruan me 35%, në 870 milionë lekë. Për të përballuar krizën që erdhi nga rritja e kostove dhe rënia e porosive, themeluesja e kompanisë, zonja Eva Laro, e transferoi prodhimin për një nivel më të lartë të klientëve.
Prej më se dy vitesh, ajo kaloi me sukses fazën e testimit për prodhimin për markën e luksit “Prada”, ndërkohë që po zhvillon projekte të reja me “Massimo Dutti”, “Gant”, “Birkenstock” etj. Kjo strategji çoi në rritje graduale të porosive dhe pranimin e çmimeve më të larta nga klientët.
Kompania është ndër të paktat që ka rritur numrin e punonjësve, duke e çuar në 637, nga 597 në vitin 2024.
Edhe shoqëria tjetër, po në pronësi të znj. Laro, “Efa Solution”, e specializuar në nënkontraktimin për prodhimin e këpucëve, rriti të ardhurat me 31%, në 2.5 miliardë lekë.
“Fital”, dikur një nga operatorët më të mëdhenj të prodhimit të këpucëve në vend, që qarkullonte mbi 2 miliardë lekë në vit, ka shënuar tkurrje të fortë të aktivitetit dy vitet e fundit.
Në vitin 2025, të ardhurat ishin 845 milionë lekë, në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm. Në vitin 2019, shoqëria kishte deklaruar të ardhura prej 2.4 miliardë lekësh. Kompania ka shkurtuar vazhdimisht punonjës, nga 911 në vitin 2022, numri i tyre ka zbritur në 647 në vitin 2024 dhe 575 në vitin 2025.
Paga mesatare mujore për të punësuar është rritur vazhdimisht, nga 42.2 mijë lekë në vitin 2022, në 49.6 mijë lekë në vitin 2024 dhe 50.8 mijë lekë në vitin 2025.
Sipas raportit të aktivitetit, ndikim negativ në treguesit e vitit 2025 pati edhe kursi i këmbimit të euros, i cili zbriti nga 98.15 lekë/euro në fillim të vitit në 96.77 lekë/euro në fund të tij.
Një tjetër faktor negativ ishte rënia e eksporteve krahasuar me vitin 2024.
Kostot e personelit e kalojnë për herë të parë kufirin e 50% të shpenzimeve totale
Bilancet e 10 kompanive më të mëdha të prodhimit të këpucëve tregojnë se, krahas tkurrjes së aktivitetit, sektori po përballet edhe me përkeqësimin e strukturës së kostove.
Në vitin 2025, xhiroja e këtyre kompanive ishte rreth 26% më e ulët se në vitin 2022, ndërsa pesha e shpenzimeve të personelit ndaj totalit të shpenzimeve është rritur në mënyrë të vazhdueshme, nga 42.9% në vitin 2022, në 51.5% në vitin 2025.
Pra, tashmë më shumë se gjysma e shpenzimeve të kompanive më të mëdha të sektorit lidhen me personelin, nga më pak se 43% tre vite më parë.
Kompanitë nuk kanë arritur ta kompensojnë rritjen e kostove të punës përmes rritjes së çmimeve të faturimit. Hapësira për të negociuar çmime më të larta me porositësit e huaj mbetet e kufizuar, pasi prodhuesit shqiptarë konkurrojnë me vende ku kostoja e punës është më e ulët dhe ku porositë mund të zhvendosen relativisht shpejt.
Në të njëjtën kohë, nënçmimi i euros ka reduktuar vlerën në lekë të të ardhurave nga eksportet, ndërsa një pjesë e madhe e kostove, veçanërisht pagat dhe shpenzimet operative, paguhen në monedhën vendase.
Kompanitë janë gjendur në presionin mes rritjes së pagave dhe pamundësisë për ta kaluar këtë kosto te klienti përmes çmimeve. Edhe shkurtimi i numrit të punonjësve nuk ka mjaftuar për të ulur peshën e shpenzimeve të personelit, pasi kostot mesatare për punonjës janë rritur.
Normat e fitimit mbeten minimale, duke u luhatur në 3 – 4%. Kjo hapësirë e kufizuar fitimi ua dobëson më tej kompanive aftësinë për të përballuar goditje të reja nga kursi i këmbimit apo kostot operative.
Në këtë mjedis, edhe ndryshime të vogla në paga apo çmime mund të ndikojnë ndjeshëm në qëndrueshmërinë financiare të aktivitetit./Monitor