Mbërriti në Shqipëri mesditën e kësaj të premteje, (25/9) ambasadori i ri i SHBA-ve në vendin tonë. Ish-gjenerali Eric Wendt ishte i përzgjedhuri presidentit Donald Trump për të drejtuar diplomacinë amerikane, në vendin tonë.
Siç duket nga pamjet e publikuara nga TCH, ambasadori amerikan është pritur në Rinas nga drejtues të protokollit të shtetit dhe përfaqësues të ambasadës. Pas një qëndrimi prej rreth 20 minutash në terminalin VIP në Rinas, ambasadori i ri amerikan është nisur drejt Tiranës për një ndalesë të parë në selinë diplomatike në “Rrugën e Elbasanit”.
Ish-gjenerali Eric Wendt e nis misionin e tij diplomatik në Shqipëri, pas një periudhe 3-vjeçare gjatë së cilës Washingtoni hasi vështirësi në Senat për të sjellë një ambasador, që nga mbarimi i mandatit të Yuri Kim në Qershor 2023.
Në më pak se 24 orë nga mbërritja në Tiranë, paraditja e së shtunës do ta gjejë ambasadorin Eric Wendt në Pallatin e Brigadave për të dorëzuar letrat kredenciale të Presidenti i Republikës. Më pas pritet që ai të ketë edhe një takim kokë me kokë me kreun e shtetit.
Të mërkurën parashikohet që ambasadori Eric Wendt do të ngjisë shkallët e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për të zhvilluar takimin e parë me ministrin Ferit Hoxha. Të premten Ambasada Amerikane në Tiranë do të organizojë në një hotel në qendër të kryeqytetit ceremoninë e prezantimit të ambasadorit të ri. ©LAPSI.al