
Ariana Grande ka njoftuar se ka shtyrë tre koncertet e ardhshme të turneut të saj "Eternal Sunshine", për shkak të sfidave që lidhen me prodhimin e shfaqjes.
Këngëtarja bëri të ditur përmes një postimi në Instagram se koncerti i planifikuar më 12 korrik në Barclays Center në New York do të zhvillohet më 14 korrik. Ndërkohë, dy koncertet në TD Garden në Boston, të planifikuara për 22 dhe 24 korrik, janë zhvendosur për 23 dhe 26 korrik.
"Na vjen shumë keq për këto ndryshime në kalendar. Kjo ishte zgjidhja më e mirë dhe më e sigurt, pasi u përballëm me disa sfida në prodhim," shkroi Grande.
Ajo theksoi se prioriteti kryesor është siguria e ekipit dhe e publikut, si edhe garantimi që koncerti të zhvillohet ashtu siç është planifikuar.
"Gjëja më e rëndësishme për ne është siguria dhe fakti që ju ta shihni shfaqjen ashtu siç është menduar. Faleminderit për mirëkuptimin, mezi pres t'ju takoj," shtoi artistja.
Grande nisi turneun "Eternal Sunshine" më 6 qershor në Oakland, Kaliforni, ndërsa ai do të vazhdojë në disa qytete të SHBA-së, Kanada dhe Londër. Organizatorët konfirmuan se të gjitha biletat e blera do të mbeten të vlefshme për datat e reja.