
Komisioni Europian është pyetur për skandalin që ka përfshirë SHISH dhe masën “arrest shtëpie” ndaj Vlora Hysenit dhe përgjigja e tyre nuk i është larguar gjuhës së drunjtë.
Në stilin e kujdesshëm diplomatik të Brukselit, zëdhënësi Guillaume Mercier u rezervua të komentonte çështjen konkrete. Por pas kësaj formule, deklarata mund të lexohet si një “shkelje syri” për SPAK. Komisioni shprehu besim të plotë tek aftësia e Prokurorisë së Posaçme për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e organizuar.
“Ne nuk komentojmë çështje që janë në proces, por ajo që mund të themi është se ne i ndjekim nga afër zhvillimet që lidhen me shtetin e së drejtës, veçanërisht reformat në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, fusha në të cilat Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm.”
Pas rezervës për të folur mbi dosjen, Mercier dha mesazhin e besimit ndaj institucionit që po e heton atë:
“Kemi besim të plotë tek aftësia e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e organizuar.”
Kjo deklaratë nuk përbën një vlerësim për akuzat ndaj Hysenit, por politikisht është një sinjal mbështetjeje standarde që BE ka dhënë për SPAK.
Zëdhënësi shtoi se komunikimi me autoritetet shqiptare vijon:
“Në një këndvështrim më të gjerë, ne jemi gjithmonë në kontakt me homologët shqiptarë.”
Ndërsa për vlerësimin më të gjerë të Komisionit Europian mbi situatën, Mercier iu referua raportit të ardhshëm për zgjerimin:
“Sa i përket vlerësimit tonë për situatën, ju e dini që raporti për zgjerimin do të publikohet në javët në vijim.” /Lapsi.al