
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pas përplasjeve të zhvilluara gjatë protestës së 28 nëntorit në Tiranë, duke akuzuar qeverinë për ushtrimin e dhunës ndaj qytetarëve dhe punonjësve të medias.
Berisha përshëndeti qëndresën e protestuesve, të cilët pavarësisht ndërhyrjeve të njëpasnjëshme të policisë, vijuan për orë të tëra tubimin në kryeqytet. Ai akuzoi forcat e rendit për përdorimin e tepruar të gazit lotsjellës, autobotëve me ujë dhe plumbave ndaj qytetarëve.
Sipas kreut të PD-së, mbi 21 protestues janë paraqitur në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa dhjetëra të tjerë janë mjekuar jashtë ambienteve spitalore. Berisha denoncoi gjithashtu ndërhyrjet e policisë ndaj gazetarëve dhe operatorëve që po mbulonin protestën.
Kryedemokrati paralajmëroi se kryeministri Edi Rama do të mbahet përgjegjës për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve dhe u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë pjesëmarrjen në tubimet kundër qeverisë.
Berisha dënoi gjithashtu ndërhyrjen e policisë pranë selisë së Partisë Demokratike, duke deklaruar se në drejtim të godinës dhe ambienteve të saj është hedhur gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Ai e cilësoi ndërhyrjen si një sulm të motivuar politikisht dhe paralajmëroi kundërpërgjigje në rast të përsëritjes së incidenteve të tilla. Kreu i PD-së theksoi se selia e partisë do të vijojë të jetë e hapur për çdo protestues, pavarësisht bindjeve politike, duke nënvizuar se protesta është një e drejtë kushtetuese dhe e patjetërsueshme.