
Zgjerimi i BE-së po i afrohet momentit të së vërtetës: në muajt e ardhshëm, Mali i Zi dhe Shqipëria mund t’i afrohen ndjeshëm anëtarësimit, Ukraina dhe Moldavia po përparojnë, ndërsa Brukseli po vlerëson reformat e nevojshme për të përballuar një Bashkim Evropian më të madh dhe më kompleks.
Për herë të parë që nga Brexit-i, BE-ja ka një mundësi konkrete për t’u zgjeruar sërish. Por, ndërsa vende si Mali i Zi po i afrohen me shpejtësi anëtarësimit dhe të tjera e shohin Evropën si një spirancë sigurie, ambicia e Brukselit për zgjerim po shkon drejt momentit të së vërtetës.
Zgjerimi i BE-së po përfiton nga një shtysë që shfaqet një herë në një brez: disa prej vendeve që konsiderohen “nxënësit më të mirë” janë pranë finishit, Ukraina dhe Moldavia po hedhin hapat e parë vendimtarë për t’u shkëputur nga orbita e Moskës, ndërsa Islanda po shqyrton mundësinë e rifillimit të negociatave të anëtarësimit.
Situata nuk është dukur kaq premtuese prej vitesh.
Zyrtarët evropianë theksojnë se gjatë gjashtë muajve të fundit janë mbyllur më shumë kapituj negociues sesa gjatë gjithë dekadës së fundit.
Brukseli po e përdor gjithnjë e më shumë perspektivën e anëtarësimit në BE si një instrument të politikës së jashtme: për të konsoliduar ndikimin e tij në fqinjësinë e drejtpërdrejtë, për të zgjeruar garancitë e sigurisë që kufizojnë peshën e fuqive armiqësore dhe për të ankoruar stabilitetin në një mjedis gjeopolitik të paqëndrueshëm. Por, ndërsa perspektiva e një Bashkimi të zgjeruar bëhet gjithnjë e më konkrete, institucionet evropiane dhe shtetet anëtare po përballen gjithnjë e më shpesh me një sërë pyetjesh politike dhe strategjike, të cilat mund të shpërthejnë nëse vjen një valë e re zgjerimi.
Balanca gjeografike
Një nga faktorët kyç që duhet të marrë parasysh zgjerimi i BE-së është ekuilibri gjeografik, veçanërisht pas zgjerimit të ashtuquajtur “Big Bang” të vitit 2004. Në atë kohë, BE-së iu bashkuan 10 shtete të reja nga Evropa Qendrore dhe Lindore, duke krijuar te shumë kryeqytete të Evropës Perëndimore ndjesinë se qendra e gravitetit të BE-së ishte zhvendosur shumë në lindje.
Kandidatët më të avancuar sot, Mali i Zi dhe Shqipëria, nuk do ta ndryshonin këtë ekuilibër, për shkak të peshës së tyre të kufizuar. Por, ndërsa i afrohen finishit, ata ngrenë një çështje më delikate: si të menaxhohet Serbia, vendi më i rëndësishëm i Ballkanit Perëndimor, që mbetet një çështje përçarëse mes shteteve anëtare.
Të ashtuquajturit “Friends of the Western Balkans” vënë në pikëpyetje konsideratat gjeopolitike që po ndikojnë në dosjen e anëtarësimit të Beogradit. Ata paralajmërojnë se procesi i bazuar në merita nuk po zbatohet në mënyrë të njëjtë ndaj vendeve të ndryshme kandidate.
Ndërsa shtohen presionet për hapjen e grup-kapitujve të tjerë negociues me Ukrainën dhe Moldavinë deri në fund të vitit, thirrjet për ruajtjen e një ekuilibri gjeografik pritet të bëhen më të forta dhe mund të përfundojnë duke e kushtëzuar përparimin e Ukrainës me atë të Serbisë.
Islanda mund të përbëjë një faktor të papritur, por të dobishëm, për të riekuilibruar përbërjen ekonomike të bllokut. Vendi i pasur nordik po zhvillon një referendum, me votimin të hapur deri më 29 gusht, për të vendosur nëse do të rifillohen apo jo negociatat e anëtarësimit me BE-në.
Ndërkohë, Ukraina është “elefanti në dhomë”. Kryeqytetet evropiane e dinë shumë mirë se një formë e caktuar anëtarësimi në Evropë ose garancish sigurie do të duhet të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje të ardhshme paqeje me Moskën.
Pavarësisht ekonomisë së saj modeste, territori, popullsia dhe kapacitetet ushtarake të Kievit do ta bënin Ukrainën një shtet anëtar me ndikim të madh, veçanërisht në çështjet e mbrojtjes dhe politikës së jashtme. Kjo do ta detyronte Brukselin të rishikonte në një plan më të gjerë mënyrën se si do të funksiononte praktikisht një Bashkim i zgjeruar.
Nevoja për reforma
Në fjalimin e saj për gjendjen e Bashkimit Europian në vitin 2023, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi një rishikim të politikave në kuadër të zgjerimit: një lloj projekti për mënyrën se si duhet të funksionojë një BE me 30 ose më shumë shtete anëtare.
Plani më pas u la mënjanë në heshtje për vite me radhë, pasi kandidatura e Ukrainës e bëri çështjen më komplekse si në planin praktik, ashtu edhe në atë politik. Komisioni pritet ta publikojë tani më 30 shtator, ndërsa ekzekutivi evropian synon të rimarrë iniciativën.
Që nga momenti kur zgjerimi u ngjit në krye të agjendës së Brukselit, qeveritë evropiane kanë diskutuar se si duhet menaxhuar vala e ardhshme e vendeve kandidate. Janë propozuar ide që variojnë nga garanci më të forta demokratike për anëtarët e rinj, si një mësim i nxjerrë nga përvoja e Hungarisë nën Viktor Orbán, deri te forma të integrimit gradual, të menduara për t’u ofruar vendeve përfitime konkrete të anëtarësimit që në fazat e para.
Në një nivel më të thellë, Komisioni pritet të propozojë reforma në mënyrën se si funksionon vetë BE-ja, për të garantuar që Brukseli të vazhdojë të funksionojë edhe pas zgjerimit.
Po shtohen gjithnjë e më shumë kërkesat për heqjen e detyrimit të unanimitetit në çështje të tilla si politika e jashtme. Kjo është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ta bërë veprimin e jashtëm të BE-së më të fuqishëm në një klimë të tensionuar gjeopolitike, veçanërisht pas vetove të përsëritura me të cilat Orbán ka bllokuar vendimmarrjen evropiane.
Mund të rikthehet gjithashtu ideja për ta bërë Komisionin Evropian më të vogël dhe më fleksibël, duke e përqendruar te prioritetet e reja. Kjo do të nënkuptonte heqjen e parimit sipas të cilit çdo shtet anëtar ka të drejtë të ketë një komisioner, parim që mbështetet veçanërisht nga vendet më të vogla.
Skeptikët argumentojnë se ky nuk është momenti i duhur për reforma kaq të thella, pasi vitin e ardhshëm disa vende kyçe të BE-së do të zhvillojnë zgjedhje. Mes tyre është Franca, ku mundësia që një kandidat i Tubimit Kombëtar (National Rally), forcë e ekstremit të djathtë dhe euroskeptike, të fitojë Pallatin Élysée nuk ka qenë kurrë më konkrete.
Të tjerë kundërshtojnë se në Evropë gjithmonë ka ndonjë zgjedhje të rëndësishme në horizont dhe se reformat e shtyra prej vitesh nuk mund të shtyhen pafundësisht.
Pasiguria mbi ratifikimin
Procesi i zgjerimit të BE-së ka presupozuar gjithmonë se shtetet anëtare janë të gatshme të mirëpresin vende të reja në klub.
Në përgjithësi, vendet e BE-së i shprehin kundërshtimet e tyre përpara se negociatat e anëtarësimit të përfundojnë. Mosmarrëveshjet e gjata të Maqedonisë së Veriut, fillimisht me Greqinë për çështjen e emrit dhe më pas me Bullgarinë për të drejtat e minoriteteve, janë ndër shembujt më të njohur.
Bllokimi i një anëtarësimi në fazën e ratifikimit do të ishte pa precedent, por mbetet një rrezik konkret. Zhvendosja djathtas e spektrit politik në vende themeluese si Holanda dhe Franca po i bën në përgjithësi votuesit më skeptikë ndaj zgjerimeve të reja.
Siç shpjegoi për Euronews kreu i misionit të Malit të Zi pranë BE-së, Petar Marković, një nga arsyet kryesore përse vendi i tij është gati të pranojë garanci të mëtejshme për shtetin e së drejtës dhe luftën kundër prirjeve autoritare është pikërisht lehtësimi i procesit të ratifikimit.
Franca mbetet e panjohura më e madhe. Në vitin 2005, Parisi miratoi një amendament kushtetues që kërkon që çdo traktat i ri anëtarësimi t’i nënshtrohet një referendumi kombëtar, ose të miratohet me një shumicë prej tre të pestash në një seancë të përbashkët të Parlamentit.
Edhe një herë, Mali i Zi do të shërbejë si test. Ratifikimi i tij mund të bashkohet me atë të Shqipërisë, në varësi të ritmit të përparimit të Tiranës, ose me atë të Islandës, në varësi të rezultatit të referendumit.
“Nëse Mali i Zi nuk ia del, kjo sigurisht që do ta nxirrte seriozisht nga shinat të gjithë procesin”, deklaroi për Euronews Florian Bieber, koordinator i Balkans in Europe Policy Advisory Group. “Duhet të ketë një plan emergjence shumë të qartë për t’u përballur me këtë skenar.”/Euronews Italia