Flash

Cili ishte roli i Rusisë në krizën me migrantë në Ceuta?

Lapsi.al 13 August 2026

Pamjet e mijëra migrantëve që arritën në enklavën spanjolle të Ceutës në Afrikën Veriore në fund të korrikut tronditën Bashkimin Evropian, i cili tashmë kishte nisur pushimet verore njëmujore, duke e vënë atë në lëvizje.

Ambasadorët e BE-së u kthyen nga pushimet për një takim online më 3 gusht, për t’u përgatitur për një tjetër takim online të 27 ministrave të Brendshëm të bllokut, një ditë më vonë. Deri atëherë, kriza ishte shmangur në masë të madhe, pasi Spanja, e cila fillimisht ishte kritikuar ashpër nga shtetet e tjera anëtare, kishte thirrur përforcime dhe tha se kishte kthyer mbrapsht tashmë rreth 70.000 nga 72.000 personat që kishin hyrë në Ceuta. Gati 90 persona vdiqën në kaosin që përfshiu rojen bregdetare spanjolle.

Mendohet se asnjë prej migrantëve nuk arriti në Evropën kontinentale. Ndërsa Ceuta, së bashku me enklavën tjetër spanjolle, Melilla, janë zyrtarisht pjesë e zonës pa pasaporta Shengen të BE-së, të dyja kanë rregulla të veçanta që përcaktojnë se kontrollet e identitetit duhet të kryhen kur udhëtohet prej tyre drejt destinacioneve në Evropën kontinentale. Kjo e bën pothuajse të pamundur hipjen në tragetet që kalojnë ngushticën e Gjibraltarit. 

Rrjeti i trafikimit

Atëherë, çfarë apo kush qëndronte pas fluksit të madh të migrantëve? Në deklaratën e tyre të përbashkët, të lëshuar pas takimit të fillimit të gushtit, ministrat e Brendshëm të bllokut fajësuan “rrjetet e trafikimit të migrantëve” dhe lanë të kuptohej gjithashtu se BE-ja duhet të përmirësojë “ndërgjegjësimin e përbashkët për situatën, gjë që mund të arrihet përmes zhvillimit të mëtejshëm të sistemeve të paralajmërimit të hershëm, si inteligjenca para mbërritjes në kufi dhe monitorimi i rrjeteve sociale”. Para se migrantët të fillonin të mbërrinin në Ceuta, në internet u përhapën thashetheme se Spanja do t’i priste njerëzit krahëhapur.

Në kërkim të një shkaku, disa politikanë evropianë vunë në pah si vendimin e Madridit për të rregulluar statusin e migrantëve, ashtu edhe një vendim të fundit të Gjykatës Supreme të Spanjës. E para, skema për legalizimin e statusit, megjithatë, u drejtohej kryesisht migrantëve latino-amerikanë që punojnë në Spanjë dhe zbatohej për personat që mund të dëshmonin se kishin banuar në vend për pesë muaj rresht para fillimit të këtij viti.

Shkaku i dytë i sugjeruar për fluksin ishte një vendim shumë teknik i gjykatës, i marrë në fillim të korrikut, i cili përcaktoi se procedura e kthimit të menjëhershëm të migrantëve nga Madridi nuk zbatohej për personat e ndaluar teksa përpiqeshin të notonin nga territori i Marokut drejt Ceutës dhe Melillës. Sipas vendimit, kjo procedurë zbatohej vetëm nëse migrantët kalonin një barrierë fizike, që do të thoshte se ata që përpiqeshin të hynin duke notuar do t’i nënshtroheshin një procesi ligjor shumë më të ngadaltë, në vend që të ktheheshin menjëherë. Megjithatë, vendimi i gjykatës mezi u bë lajm në Spanjë kur u dha më 8 korrik.

Skenari i Bjellorusisë

Por, kush mund të jenë këta “aktorë të jashtëm keqdashës”? Një zgjedhje e qartë në Bruksel është Rusia, e cila ka një histori të nxitjes së migrantëve drejt kufijve të BE-së. Kriza në Ceuta kishte disa ngjashmëri me përpjekjen e Bjellorusisë dhe Rusisë, kryesisht gjatë viteve 2021-2022, për të shtyrë mijëra njerëz, kryesisht nga Afganistani, Iraku dhe Siria, drejt Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë. (Ky fluks i tentuar vazhdon edhe sot, me Letoninë që së fundmi u detyrua të mbyllte përkohësisht kufirin me Bjellorusinë pas një rritjeje të tentativave për kalim të kufirit).

Në atë kohë, Brukseli nxitoi të drejtonte gishtin nga regjimi i Aleksandr Lukashenkos dhe mbështetja e Kremlinit për të, si në aspektin logjistik, ashtu edhe përmes manipulimit dhe ndërhyrjes së huaj në informacion (FIMI). Kornizat e sanksioneve u zgjeruan për të përfshirë aktet e “instrumentalizimit të migrantëve”, ndërsa ndalimet e vizave dhe ngrirja e aseteve u vendosën ndaj zyrtarëve që lehtësonin rrugët e migrantëve drejt kufijve të BE-së, operatorëve turistikë dhe hoteleve që ishin përdorur gjatë udhëtimit, madje edhe ndaj Belavia-s, kompanisë kombëtare ajrore të Bjellorusisë, për transportimin e njerëzve fillimisht drejt Bjellorusisë.

Ndërsa diplomatët e BE-së thanë se përpjekja e Rusisë për manipulim ishte e konsiderueshme, ata gjithashtu vunë në pikëpyetje se sa ndikim kishte pasur në të vërtetë. Në fakt, pasoja kryesore mund të ketë qenë shkaktimi i më shumë përçarjeve brenda BE-së, pasi shumë shtete anëtare dukeshin sikur po sulmonin Spanjën.

Italia, qeveria e krahut të djathtë e së cilës ka bërë luftën kundër imigracionit nga jashtë Evropës një prioritet qendror, pezulloi shpejt dhe përkohësisht lidhjet detare dhe ajrore me Spanjën dhe ishte një prej nismëtarëve të një letre – të nënshkruar nga 21 shtete të tjera anëtare të BE-së (por, ç’është thelbësore, jo nga fqinjët e drejtpërdrejtë të Spanjës, Franca dhe Portugalia) – e cila mbante një qëndrim mjaft të ashpër ndaj Spanjës.

Në kohën kur ministrat e Brendshëm u takuan dhe Madridi e kishte situatën nën kontroll, blloku u rreshtua në mbështetje të Spanjës, ndërsa zyrtarë nga vendet që kishin qenë më parë kritike pranuan privatisht se reagimet e tyre fillestare kishin qenë tepër histerike dhe të përqendruara te audiencat vendase.

Dhe, pavarësisht se ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, e kritikoi publikisht Kremlinin, duket se diplomatët e BE-së nuk duan t’i japin Rusisë shumë merita. “Kremlini është i etur të marrë publicitet për marifetet e tij të ndryshme, gjë që mund ta zmadhojë rëndësinë e FIMI-t rus”, tha një diplomat i BE-së per Radio Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë
 

Të këshilluara

ide

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

Pse Rama e lidhi Kushnerin me një trafikant

Edhe familjes Trump, në një vend ku është e pamundur të bësh para pa u bërë pis, nëse nuk do i qëllonte Artur Shehu, patjetër do i binte për pjesë dikush i ngjashëm me të

12:58 Andi Bushati

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

92.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI