Flash

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë kompletohet, Kuvendi voton 4 anëtarët

Lapsi.al 20 February 2026
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë

Parlamenti votoi dje emërimin e katër anëtarëve të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Anëtarët e rinj do të jenë Selami Xhepa dhe Holta Zaçaj të propozuar nga vetë Kuvendi dhe Ervin Mete e Jonida Prifti, të propozuar nga Këshilli i Ministrave. Votimi për kandidaten e pestë, Matilda Shehu, të propozuar nga një grup deputetësh të shumicës, u shty me vetë kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Selami Xhepa aktualisht është president dhe pedagog në Universitetin Europian të Tiranës, ndërsa të shkuarën ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, këshilltar i kryeministrit për çështjet ekonomike, ekonomist i lartë në Bankën e Shqipërisë, etj.

Holta Zaçaj në fund të vitit të kaluar mbylli mandatin si anëtare dhe kryetare e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa në të shkuarën ka qenë pedagoge, avokat dhe drejtuese e departamentit Ligjor në Alpha Bank Albania.

Ervin Mete ka mbajtur në të shkuarën detyrën e ministrit të Financave dhe drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Jonida Prifti aktualisht punon në Bankën e Këshillit të Europës për Zhvillim, në pozicionin e menaxheres për Shqipërinë, Gjeorgjinë dhe Lituaninë, ndërsa më herët ka punuar edhe në Bankën e Shqipërisë.

Në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ka ngelur edhe një vend tjetër vakant dhe për të cilin kandidati duhet të propozohet nga Këshilli i Ministrave.

Kryeministria ka hapur përsëri një procedurë aplikimesh për kandidatët e interesuar.

Në njoftimin e tij, Këshilli i Ministrave inkurajon personat që përmbushin kriteret të aplikojnë për vendin e fundit vakant të një anëtari në këtë këshill, që duhet të propozohet nga ky institucion. Sipas ligjit, aplikantët duhet të kenë arsimin e lartë ekonomik ose juridik, përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare, kualifikime profesionale të profilit dhe përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare.

Kryeministria pati hapur një procedurë të parë aplikimesh në fund të nëntorit 2025, në vijim të së cilës iu propozuan Kuvendit për t’u votuar dy kandidatë. Ndërkohë, ky institucion nuk bëri publike arsyet e mospropozimit të një kandidature të tretë dhe nuk publikoi as listën e kandidatëve që aplikuan në proces. Afati i pranimit të aplikimeve për këtë procedurë të re është data 11 mars 2026.

Zgjedhja e anëtarëve të rinj do të zhbllokojë pas afërsisht dy muajsh funksionimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Në muajin dhjetor, përfundoi mandati i gjashtë prej nëntë anëtarëve të mëparshëm të Këshillit. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre pas përfundimit të mandatit. Ndërkohë, ligji “Për Bankën e Shqipërisë” kërkon që mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës zhvillohet me praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve të emëruar, duke përfshirë praninë e kryetarit ose zëvendëskryetarit të Këshillit Mbikëqyrës.

Për këtë arsye, prej gati dy muajsh Këshilli Mbikëqyrës nuk ka më kuorum dhe vendimmarrja është faktikisht e paralizuar. Dy mbledhjet e Këshillit Mbikëqyrës, të planifikuara për t’u zhvilluar në janar dhe shkurt, dështuan. Në mbledhjen e muajit shkurt duhet të shqyrtohej dhe miratohej raporti i Politikës Monetare për tremujorin e parë të vitit, i shoqëruar me vendimmarrjen e radhës të politikës monetare për normat bazë të interesit./Monitor.al

Të këshilluara

ide

Pse Rama nuk tërhiqet dot nga Zvërneci

Ndonëse kryeministri e la të hapur fatin e investimit të cilin e etiketoi si testin e parë të platformës Besa, ai nuk është i lirë ta bëjë këtë. Edi Rama e di shumë mirë, se nëse i thotë jo Kushnerit të cilin e yshti të hidhte në Zvërnec paratë e katarianëve, pasoja do të jetë shumë më e madhe se indiferanca përbuzëse që Trump demostroi ndaj atleteve të tij të bardha në samitin e NATO-s.

12:29 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

92.76

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Analiza/ Si Trump po gjallëron pa dashje demokracinë në Shqipëri

Pas një viti, kur analistët vajtonin shkallën në të cilën Donald Trump i kishte inkurajuar autokratët e botës, situata politike mund të ketë filluar të ndryshojë. Jo vetëm që Trump është thellësisht jopopullor në nivel global, por çdo qeveri që futet në shtrat me të, po ofron prova të korrupsionit të vet.

23:57 Jan-Werner Muelle

Me sytë katër

PAPARAZZI