Flash

Dy zëra të fuqishëm të financës botërore urojnë 100-vjetorin e Bankës së Shqipërisë

Lapsi.al 12 November 2025
Dy zëra të fuqishëm të financës botërore

Me rastin e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, dy nga figurat më të rëndësishme të financës ndërkombëtare - Kristalina Georgieva, Drejtore e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Christine Lagarde, Presidente e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), përcollën urimet dhe mesazhet e tyre për këtë jubile historik, duke vlerësuar rolin që Banka ka luajtur në ruajtjen e stabilitetit monetar dhe në udhëtimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian.

Kristalina Georgieva: Pavarësia e bankës qendrore, themeli i qëndrueshmërisë kombëtare

https://www.youtube.com/watch?v=wh7bwHG3hjs

Në mesazhin e saj përshëndetës, Kristalina Georgieva përgëzoi Bankën e Shqipërisë për 100 vite qëndrueshmëri, reformash dhe vizioni. Ajo theksoi se historia e bankës qendrore shqiptare është pasqyra më e mirë e evolucionit të shtetit shqiptar – nga standardi i arit e deri te politikat moderne të shënjestrimit të inflacionit.

“Pavarësia e bankave qendrore është shumë më tepër se një teknikalitet formal – ajo është gur themeli i qëndrueshmërisë kombëtare,” deklaroi Georgieva, duke nënvizuar rëndësinë e kuadrit ligjor, transparencës dhe komunikimit të hapur me publikun si elemente që garantojnë besimin dhe stabilitetin.

Shefja e FMN-së vlerësoi rolin kyç të Bankës së Shqipërisë në përballimin e krizave të viteve të fundit – nga kriza financiare globale tek pandemia e COVID-19 – dhe theksoi se angazhimi i saj i palëkundur për politika të kujdesshme monetare dhe rregullim të përgjegjshëm ka forcuar themelet e qëndrueshmërisë ekonomike të vendit.

Duke parë përpara, Georgieva theksoi se Shqipëria përballet me sfida të reja si fragmentimi gjeopolitik, transformimi digjital dhe ndryshimet demografike, por theksoi se FMN do të mbetet një partnere e palëkundur në këtë rrugëtim për reforma dhe forcim institucional.

Christine Lagarde: Nga sfidat e inflacionit tek integrimi evropian

https://www.youtube.com/watch?v=FP_-cNmaoQ0

Në mesazhin e saj, zonja Lagarde vuri në dukje transformimin e jashtëzakonshëm të Bankës së Shqipërisë përgjatë një shekulli, duke theksuar se ky përvjetor është një moment reflektimi mbi rrugën e gjatë të kaluar dhe sfidat e së ardhmes.

Ajo kujtoi periudhën e vështirë të tranzicionit të viteve ’90, kur inflacioni në Shqipëri arriti mbi 200%, si dhe masat e guximshme të bankës qendrore për të rikthyer stabilitetin monetar.

“Ligji i vitit 1997, që i dha pavarësinë operacionale dhe mandatin e palëkundur për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.– nënvizoi Lagarde.

Presidentja e BQE-së vlerësoi gjithashtu përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të përforcuar stabilitetin financiar dhe për t’u përafruar me standardet e Bashkimit Evropian, përmes rregulloreve prudenciale dhe përfshirjes në sisteme të rëndësishme evropiane të pagesave, si SEPA dhe në të ardhmen në TIPS Clone. Sipas saj, ky proces pasqyron jo vetëm suksesin institucional të bankës, por edhe përparimin e Shqipërisë drejt integrimit të plotë evropian.

“Ndërsa Shqipëria ecën përpara drejt një lidhjeje gjithnjë e më të afërt me Bashkimin Evropian, është thelbësore të ruhet angazhimi ndaj politikave të shëndetshme dhe institucioneve të besueshme,” përfundoi Lagarde.

Një shekull qëndrueshmërie dhe besimi

Të dyja drejtueset, në mesazhet e tyre, bashkohen në një ide thelbësore: suksesi i Bankës së Shqipërisë është një sukses i qëndrueshmërisë institucionale dhe i besimit publik. Në një kohë ndryshimesh globale, Banka e Shqipërisë shihet si një ankorë stabiliteti dhe si një institucion që ka ditur të ruajë pavarësinë, integritetin dhe profesionalizmin – duke shërbyer jo vetëm si bankë qendrore, por si një simbol i maturisë dhe progresit të shtetit shqiptar.

Të këshilluara

Tallje e rëndë ndaj futbollistit me ngjyrë?

Një futbollist me ngjyrë i skuadrës së Burrelit, Arnold Këaku Siaë, u bë objekt i një debati nëse ndaj tij, gjatë një emisioni sportiv në RTSH, pati ose jo tall...

14:55

ide

Si të shndërrohet protesta në lëvizje

Mungesa në shoqërinë shqiptare e një lëvizje shpërndërruese për sistemin politik dhe kulturor të këtyre 35 vjetëve, neoliberal neokolonialisht: ky është problemi më i madh që kemi

10:06 Rudian Zekthi

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

94.26

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI