Fatmir Xhafaj tha sot në Kuvend se edhe Italia në reformën e fundit që bëri në drejtësi, ka ndjekur modelin shqiptar të ndarjes në dy këshilla.
"Disa kolegë gjatë debateve, nisur nga motive e interesa të ndryshme, kanë pretenduar se reforma e vitit 2016 ka dështuar ose se disa zgjidhje institucionale, si ndarja në dy këshilla Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë ishin të gabuara. Madje u përmend në seancën e kaluar edhe reforma e miratuar së fundmi në Itali si shembull që ne duhet ta ndjekim!! Por faktet flasin krejt ndryshe! Italia, pas një debati prej tri dekadash, vetëm para një jave, ka miratuar një reformë kushtetuese që përkon pothuajse plotësisht me modelin shqiptar të vitit 2016. Edhe Italia po ndan sot sistemin e qeverisjes së drejtësisë në dy këshilla të veçanta një për gjyqësorin dhe një për prokurorinë – me përbërje të përzier nga magjistratë dhe jomagjistratë, pra pothuajse me të njëjtin koncept institucional që ne vendosëm tetë vite më parë", deklaroi Xhafaj.
Deputeti socialist që udhëhoqi Komisionin e Posacëm të Reformës në Drejtësi, shtoi me tej se ky zhvilim në Itali konfirmon që arkitektura shqiptare e drejtësisë ka qenë e mbështetur në një vullnet e vizion të qartë dhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.
"Debati i bërë në Italinë fqinje, argumentat e sjella atje dhe në fund, vetë miratimi i atij projekti provoj edhe përmes shembullit më të ri të Italisë, një ndër vendet më me peshë në BE, se ne kishim shumë të drejtë në zgjidhjet e dhëna, se arkitektura e re e sistemit është në standartet e kohës dhe se modeli ynë është tashmë një eksperiencë e mirë jo vec për vende të ngjashme me ne, por edhe për vende shumë më të përparuara, me demokraci e shtet të së drejtës të konsoliduar si Italia. Ndaj e kam thënë dhe e ritheksoj, arkitektura institucionale e sistemit e dizenjuar nga reforma në drejtësi është në përputhje me standartet më të mira europiane. Në bindjen time problemet e sfidat që ka sot sistemi nuk lidhen drejtëprsëdrejti me projektin kushtetues apo ligjet themelore të reformës, por me zbatimin praktik të tyre, te cilësia e menaxhimit dhe kultura institucionale brenda vetë sistemit", deklaroi më tej Fatmir Xhafaj.