Në kujtimet e tij të reja të titulluara You Thought You Knew, Kevin Federline rrëfen për herë të parë momentin që, sipas tij, vulosi përfundimisht fundin e martesës me Britney Spears.
Ai përshkruan një telefonatë, kur Spears ishte duke u argëtuar me Paris Hilton dhe Lindsay Lohan, ndërsa në sfond dëgjoheshin të qarat e djemve të tyre, Sean Preston dhe Jayden James.
Federline, i cili ishte i martuar me Spears nga viti 2004 deri në 2007, thotë se ishte "i shkatërruar" nga ato telefonata të përsëritura që merrte nga Britney, teksa ajo ishte e dehur dhe, sipas tij, e papërgjegjshme si nënë.
"Po punoja në Miami kur mora një telefonatë në orët e para të mëngjesit. Ajo ishte me Parisin dhe Lindsay-n, e dehur, më lutej të shkoja tek ajo, ndërkohë që fëmijët po qanin në sfond," shkruan Federline në kujtimet e tij. "I kisha parë fotot ikonike të asaj nate, por ajo telefonatë më theu."
Ai shton se nuk ishte një rast i vetëm: “Ishte pjesë e një modeli të shkujdesur që përsëritej vazhdimisht.”
Ndërkohë, Spears në kujtimet e saj të vitit 2023 The Woman In Me, ka dhënë një version ndryshe për atë natë. Ajo shkruan se ishte në një shtëpi plazhi me nënën e saj, Lynne Spears, e cila kujdesej për fëmijët, ndërsa ajo dilte për të festuar me Hilton dhe Lohan.
Spears pranon se ishin "dehur", por thekson se kishte siguruar që fëmijët të mos ishin prezentë gjatë asaj nate.
Pas publikimit të kujtimeve të Federline, një përfaqësues i Spears reagoi përmes një deklarate për PEOPLE më 14 tetor:
“Me publikimin e librit të Kevin, ai dhe të tjerë po përfitojnë sërish nga Britney, dhe fatkeqësisht kjo ndodh pikërisht pasi i ka mbaruar mbështetja financiare për fëmijët. Gjithçka që Britney ka për zemër janë djemtë e saj, Sean Preston dhe Jayden James.”
Vetë Spears reagoi edhe në platformën X më 15 tetor, duke akuzuar Federline për "manipulim të vazhdueshëm". Ajo mbrojti marrëdhënien me djemtë dhe shtoi:
“Kam lutur gjithmonë për të pasur një jetë me djemtë e mi. Marrëdhëniet me adoleshentë janë komplekse. Jam ndjerë e poshtëruar dhe gjithmonë kam kërkuar të jenë pjesë e jetës sime.”/ Lapsi.al