Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka surprizuar sot para derës së SPAK, ku zakonisht akuzon këtë institucion ose Gjykatën e Posaçme, duke u marrë edhe me atë Kushtetuese. Lideri i opozitës ngriti alarmin përkundër një manovre për spastrimin edhe të atyre gjykatësve që kanë votuar në raste të caktuara si minorancë, kundër dëshirave dhe urdhrave që jep qeveria. "PD ka bindjen se çdo emërim i ri në Gjykatën Kushtetuese mund të bëhet vetëm e vetëm me një qëllim, për të larguar nga gjykata persona të cilët kanë mandatin 8-vjeçar", tha ai duke shtuar: "Duan të mos ketë asnjë zë kundër, po të jenë 100 përqind (votojnë-shënim i Lapsi.al) dhe t’i kapin peng".
[video width="854" height="480" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2025/07/vcompress_193.mp4"][/video]
Por, për të kuptuar këtë shqetësim të Berishës duhet njohur më parë konteksti i asaj që po ndodh në kushtetuese e cila ka vendosur vetë të mblidhet në shtator të këtij viti për të interpretuar zgjatjen e mandatit të anëtarëve të saj. Në trupën e GJK, janë hapur dy vende ose maksimumi tre (në bazë të interpretimit që bëjnë palët) që duhen zëvendësuar.
E para, iku me dorëheqje në rrethana krejt të habitshme- disa thonë në kushtet e shantazhit, Elsa Toska. Në bazë të një interpretimi ambig që iu bë ligjit vendin do e lëshojë edhe kryetarja aktuale Olta Zaçe. Emri i tretë është ai i Sonila Bejtes, të cilës me sa duket i referohet Berisha, duke mos e përmendur nominalisht, kur thotë: "PD është absolutisht kundër vendimeve militanteske partiake të Sokol Sadushit, i cili jashtë çdo tagri ka ndërhyrë në proces dhe e konsideron këtë si përpjekje për të marrë aty edhe të vetmin që nuk kishin, por që do jetë një akt i mirëfilltë antikushtetues".
Po pse Berisha përmend me emër kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushin, i cili për një vit (deri në fund të 2025) do të jetë edhe kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Arsyeja është e thjeshtë, sepse ky gjykatës me influencë në sistem, gjë që i buron si nga lidhjet e tij në PS, po ashtu edhe nga mbajtja e kostumit të njërit prej baballarëve të reformës në drejtësi, ka nisur një fushatë për të emëruar të preferuarit e tij në Kushtetuese. Nuk janë të qarta arsyet nëse këtë e bën për të krijuar grupazh të vetin brenda sistemit, apo për hir të pushtetit por tentativat e tij janë të dukshme.
Padurimi i Sokol Sadushit për të rrëmbyer mandatet në Kushtetuese
Pa pritur më shumë sesa një ditë nga fitorja e PS-së në zgjedhje, në 12 maj, ai iu drejtua me një letër Gjykatës Kushtetuese.
Në atë dokument, të publikuar nga “Shqiptarja.com”, e cila mbështet hapur linjën e Sadushit, ai akuzonte se Gjykata Kushtetuese nuk po shqyrtonte me urgjencë çështjen e kohëzgjatjes së mandateve të gjyqtarëve kushtetues, sipas një kërkese të dërguar më herët nga Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
“Mosveprimi në kohë i Gjykatës Kushtetuese për të deklaruar mandatin e gjyqtarit, emërtesë e Presidentit të Republikës, që duhet të ishte kryer para datës 25 Prill 2025, nuk rezulton të ketë ndonjë justifikim ligjor, aq më tepër kushtetues”, theksonte ai.
Reagimi i kryegjyqtarit të lartë lidhej me një kërkesë të Presidentit të Republikës, në 25 Janar 2025, me objekt “Deklarim i mandatit të gjyqtarit kushtetues.
Në thelb, kërkesa e Presidentit të Republikës i referohej mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja, e cila është emëruar në detyrë në dhjetor të vitit 2020 nga paraardhësi i tij në detyrë, Ilir Meta me mandat të plotë që përfundon në vitin 2028 dhe jo sot, sikurse duan ta interpretojnë ata që kërkojnë që mos ketë më vota kundër në GJK.
Pra, këtë kërkesë të Bajram Begajt nën presionin e Sokol Sadushit do të shqyrtojnë Gjykatësit Kushtetues në 16 Tetor. Sfidat janë dy: që së pari Sadushi të imponojë tre emra të preferuar të tij, për aq kohë sa ai drejton KED-in, deri në fund të këtij viti. Dhe e dyta që me këtë rast të spastrohet kjo gjykatë nga prishësit e unanimitetit, që votojnë në pakicë kudër asaj që i ka kërkuar qeveria.
Gjykata Kushtetuese/ Ushtar Begaj gatitu për nënën parti
Pikërisht kjo qe edhe arsyeja se përse Sali Berisha, rezervoi nga "vendi i gabuar" hyrja e SPAK, tentativat për të manipuluar me emërimet në kushtetuese.
Këtë radhë duket se shqetësimi i liderit të opozitës shkon në të njëjtën gjatësi vale me atë të Bashkimit Evropian, i cili në një raport të fillim korrikut për shtetin e së drejtës në Shqipëri fliste për "pasiguri ligjore" të mandateve të gjyqtarëve kushtetues (poshte faksimilja poshtë).
©Lapsi.al
