Flash

Reuters: Trump planifikon të ndalojë hyrjen e qytetarëve nga 36 vende shtesë

Lapsi.al 15 June 2025
Reuters: Trump planifikon të ndalojë hyrjen e qytetarëve nga 36

Presidenti Donald Trump po shqyrton mundësinë për të zgjeruar ndjeshëm ndalimin e udhëtimeve, duke ndaluar ndoshta hyrjen në Shtetet e Bashkuara të qytetarëve nga 36 vende të tjera, sipas një dokumenti të brendshëm të Departamentit të Shtetit që është parë nga agjencia Reuters.

Më herët këtë muaj, presidenti republikan nënshkroi një dekret që ndalonte hyrjen e qytetarëve nga 12 vende, duke deklaruar se kjo masë ishte e nevojshme për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara nga “terroristët e huaj” dhe kërcënime të tjera ndaj sigurisë kombëtare.

Ky urdhër ishte pjesë e një fushate të ashpër ndaj emigracionit që Trump nisi këtë vit në fillim të mandatit të tij të dytë, e cila ka përfshirë deportimin në El Salvador të qindra venezuelianëve të dyshuar si anëtarë bandash, si edhe përpjekje për të mohuar regjistrimin e disa studentëve të huaj në universitetet amerikane dhe për të deportuar të tjerë.

Në një dokument të brendshëm diplomatik të firmosur nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Departamenti i Shtetit rendit një dymbëdhjetëshe shqetësimesh për vendet në fjalë dhe kërkon ndërmarrjen e masave korrigjuese.

“Departamenti ka identifikuar 36 vende problematike që mund të rekomandohen për pezullim të pjesshëm ose të plotë të hyrjes nëse nuk përmbushin standardet dhe kërkesat e përcaktuara brenda 60 ditëve,” thuhet në dokumentin që është dërguar gjatë fundjavës. Dokumenti u raportua fillimisht nga Washington Post.

Ndër shqetësimet e ngritura nga Departamenti i Shtetit ishin mungesa e një qeverie kompetente ose bashkëpunuese për të prodhuar dokumente të besueshme identiteti dhe “siguria e dyshimtë” në disa nga këto vende.

Disa prej këtyre vendeve, thuhet në dokument, nuk bashkëpunonin në kthimin e shtetasve të tyre të urdhëruar për deportim nga SHBA. Në disa raste, qytetarët e tyre kishin qëndruar në SHBA përtej afatit të vizës.

Shqetësime të tjera përfshijnë përfshirjen e disa shtetasve në akte terroriste në SHBA apo veprimtari antisemitike dhe anti-amerikane. Dokumenti nënvizon se jo të gjitha këto shqetësime vlejnë për çdo vend në listë.

Vendet që mund të përballen me ndalim të plotë ose të pjesshëm të hyrjes nëse nuk adresojnë këto shqetësime brenda 60 ditëve janë: Angola, Antigua dhe Barbuda, Benini, Butani, Burkina Faso, Cabo Verde, Kamboxhia, Kameruni, Bregu i Fildishtë, Republika Demokratike e Kongos, Xhibuti, Dominika, Etiopia, Egjipti, Gaboni, Gambia, Gana, Kirgistani, Liberia, Malawi, Mauritania, Nigeri, Nigeria, Saint Kitts dhe Nevis, Saint Lucia, Sao Tome dhe Principe, Senegali, Sudani i Jugut, Siria, Tanzania, Tonga, Tuvalu, Uganda, Vanuatu, Zambia dhe Zimbabve.

Kjo do të ishte një zgjerim i ndjeshëm i ndalimit që hyri në fuqi më herët këtë muaj. Vendet që u prekën më parë ishin: Afganistani, Mianmari, Çadi, Republika e Kongos, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Haiti, Irani, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni.

Hyrja e njerëzve nga shtatë vende të tjera – Burundi, Kuba, Laosi, Sierra Leone, Togo, Turkmenistani dhe Venezuela – gjithashtu është kufizuar pjesërisht.

Gjatë mandatit të tij të parë, Trump shpalli ndalimin e udhëtarëve nga shtatë vende me shumicë myslimane, një politikë që kaloi disa ndryshime përpara se të miratohej nga Gjykata e Lartë në vitin 2018.

Reuters, përshtati në shqip ©Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

23°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI