Procesi gjyqësor ndaj producentit të njohur muzikor Sean “Diddy” Combs vazhdon të zbulojë detaje tronditëse. Të premten, më 6 qershor, viktima e dytë e dyshuar për trafik seksual vazhdoi dëshminë e saj para jurisë, duke rrëfyer për përjetime të rënda gjatë marrëdhënies së saj me artistin.
Gruaja, e njohur me pseudonimin “Jane”, tha se Combs e detyronte të merrte pjesë në maratona seksuale të stërzgjatura me meshkuj të paguar, shpesh nën ndikimin e drogës. Ajo dëshmoi se, kur shprehej se po lodhej, Combs i thoshte: “Nuk po lodhesh me mua, apo jo?” dhe i jepte ekstazi për ta mbajtur zgjuar dhe të aftë për të vazhduar.
Sipas saj, disa nga këto seanca seksuale, të cilat Combs i quante “debauchery” ose “netët e hotelit”, zgjatnin më shumë se 24 orë, ndërsa më e gjata zgjati gati tre ose tre ditë e gjysmë.
E pyetur nga prokurorja Maurene Comey se kush vendoste kur përfundonin këto akte, “Jane” u përgjigj “Sean.” . Pas përfundimit të “netëve të hotelit”, çifti shkonte në shtëpinë e Diddy-t, ku ajo i gatuante, i bënte masazhe dhe kujdesej për të.
“Jane”, një nënë e vetme dhe influencuese në rrjetet sociale kur njohu Diddy-n, tha se gradualisht ra në varësi të tij financiare dhe emocionale. Fillimisht pranoi të merrte pjesë në një “natë hoteli” në maj 2021, duke menduar se do ishte një herë e vetme — por tha se kjo praktikë e dominoi më pas gjithë marrëdhënien e tyre.
“Ishte një derë që nuk arrita dot ta mbyll për pjesën tjetër të marrëdhënies,” – dëshmoi ajo.
Diddy është paditur për trafikim seksual, komplot kriminal dhe dhunë, dhe është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave. Në dëshmi të mëparshme, ish-e dashura e tij Cassie Ventura ka përshkruar praktika të ngjashme të cilat Combs i quante “freak offs”.